Gazeta Express ka marrë vesh se ndeshjet e rundit parakualifikues për Ligën e Kampionëve, në të cilin merr pjesë kampionia e Kosovës, Prishtina – do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në kryeqytetin e Shqipërisë.
Ndeshjet e rundit parakualifikues do të zhvillohen më 22 dhe 25 qershor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Gazeta Express ka mësuar se UEFA ka vendosur t’ia besojë Shqipërisë mbajtjen e këtij mini-turneu.
Në këtë mini-turne marrin pjesë kampionët nga Kosova, Ishujt Faroe, Andorra dhe San Marino. Shorti i këtij turni parakualifikues do të mbahet sot. Ky rund njihet mini-turne me dy ndeshje gjysmëfinale dhe një finale.
Prishtina do ta ketë përballën njërën prej, Inter Club d’Escaldes apo Folgore. Ndërsa me HB Torshavn kampiona e Kosovës mund të përballet në finale, nëse të dy skuadrat i fitojnë ndeshjet e tyre gjysmëfinale.
Fituesi i këtij turne do të kalojë në rundin e parë kualifikues, në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në sezonin e ri të Ligës së Kampionëve.
Ishujt Faroe ishin caktuar si vendi mikpritës i këtij mini-turneu, por burime të Gazetës Express bëjnë me dije se ai është zhvendosur në Tiranë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, duke e parë interesin për ta organizuar këtë mini-turne, si dhe marrëdhëniet e mira me presidentin e Prishtinës, Remzi Ejupi, e ka shfrytëzuar ndikimin e vet si anëtarë i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për ta zhvendosur zhvillimin e ndeshjeve në Tiranë. /Gazeta Express/