Një përgjigje e shkurtër: Dielli ynë është një yll me madhësi mesatare: ka yje tjerë të ngjashëm me të, edhe më të mëdhenj se ai, madje deri në 100 herë më të mëdhenj. Shumë sisteme solare kanë shumë diej, ndërsa i yni vetëm një. Dielli ynë ka diametër 864000 milje dhe temperatura në sipërfaqe të tij është 10000 gradë Fahrenheit.
Marrë nga faqja zyrtare e NASA-s, përktheu: Shkëndije Berisha/Gazeta Express
Dielli ynë është një “top” i ndritshëm, i nxehtë, i përbërë prej hidrogjenit dhe heliumit dhe ndodhet në qendër të sistemit tonë diellor. Diameteri i tij është 864000 milje (139047,22 km), që e bën atë 109 herë më të gjerë se Toka. Temperatura në sipërfaqe të tij është 10000 gradë Fahrenheit (5537,77 gradë Celsius), ndërsa në bërthamë të Diellit temperatura arrinë në 27 milion gradë Fahrenheit (14999982,222 gradë Celsius).
Dielli ynë është mjaft mbresëlënës, por si krahasohet me yjet e tjerë? Ka edhe miliarda yje tjerë në galaktikën Rruga e Qumështit – galaktika të cilën e quajmë shtëpi. Dhe ka shumë, shumë më tepër në pjesën tjetër të universit.
Atëherë, a është Dielli ynë i veçantë?
Madhësia e Diellit tonë
Rezulton se Dielli ynë është një yll me madhësi mesatare. Ka yje më të mëdhenj dhe më të vegjël se ai. Janë gjetur yje me diametër 100 herë më të madh se Dielli ynë. Në të vërtetë, ata yje janë të jashtëzakonshëm. Janë parë gjithashtu yje që janë vetëm sa një e dhjeta e madhësisë së Diellit tonë.
Diej me shokë
Dielli ynë është pak i pazakontë sepse nuk ka miq. Është vetëm një diell, i cili rrethohet me planete, asteroide, kometa dhe planete xhuxhë. Por, sistemet diellore mund të kenë më shumë se një diell. Në fakt, shpesh ndodh kështu. Më shumë se gjysma e të gjithë yjeve ndodhen në sisteme me yje të shumëfishta. Kjo do të thotë se sistemi diellor ka dy ose më shumë diej në të.
A mund ta imagjinoni të keni dy diej në qiell, në të njëjtën kohë? Epo, ka shumë planete në univers ku kjo është diçka normale.