Kastrati adipofob dhe etërit e bullizimit - Gazeta Express
string(41) "kastrati-adipofob-dhe-eterit-e-bullizimit"

OP/ED

Gazeta Express

09/04/2021 11:42

Kastrati adipofob dhe etërit e bullizimit

OP/ED

Gazeta Express

09/04/2021 11:42

Kush instaloi bullizmin si mekanizëm propagande politike në Kosovë? E dimë të gjithë. Kush e përdor atë edhe sot me sukses? Afera «Kastrati -Osmani» na sjell në adresën e njëjtë.  

Shkruan: Xhemal Ahmeti 

Lexo Edhe:

Amy Chua, profesorja e Drejtësisë në Yale e ka një ese që mban titullin «Ne dhe «Ata» – tragjedia gjenetike e humanitetit» [Political Tribes: Group Instinct and the Fate of Nations: 2018]. Sapo rranë «ata» dhe erdhën «ne»-të kërkojnë haraçin. Me metoda të njëjta sikur atëherë kur nuk ishin në pushtet. Dhe atë me një shkak të huazuar nga një parti tjetër, që fare nuk merr pjesë në ceremoninë e fundit të linçimit populist të tyre. Me një akuzë pa këmbë e pa kokë. Deputeti i PDK-së Kastrati bëri një aludim të fshehtë, të paprovueshëm, të cilat mediat ia interpretuan sipas asociimit që panë vetë. Megjitahtë as fyerja nuk ishte një lapsus linguae, por synonte një adresë brenda kosntekstit të kohës. Ashtu siç nuk është kampanja ndaj tij vetëm shpërthim feministesh  dhe të trashësh të zgjuara keq. Kampanja ndaj tij është «Mobbing», është bullizëm cullak. Pse është e tillë? 

I. 

Në sytë e qytetarit të shkolluar, atij që kur thotë mirëmëngjesi e di se çka i thotë tjetrit, pra i dëshiron mëngjes të mirë, ajo protesta para UP -së kundër Ardian Kastratit do t’i dukej si Flashmob. Do t’i dukej kështu atij qytetari që rastësisht, para se t’i kishte mbyllur sytë për gjumë natën paraprake, në smartphon-in e tij që kurdisi si zile zgjimi, të kishte hapur portalin «Reporteri» dhe të lexonte tekstin (të 04/04/21 H 21:23)  me titullin: «Ardian Kastrati i PDK-së me fjalë të Faik Konices bullizon ndaj Presidentes Vjosa Osmani». Do ta shihte protestën si një Flashmob (sipas Bill Wasik-ut) nëqoftëse ai përveç citatit të Konicës nuk do dinte më tepër. Do ta konsideronte protestën «si një aksion publik spontan, në të cilin njerëzit nuk e dinë se ç ’bëjnë» (Flashmob) pasi ai nuk ia ka idenë se ajo është e organizuar dhe është më shumë se sa ç’duket. Është tendencë për linçim publik. Është «Bullizëm». Po, por jo ndaj asaj siç e sajon portali.  

Çka dhe si duhet ta lexojmë protestën dhe kampanjat kundër deputetit të PDK-së Ardian Kastrati? 

Le ta lexojmë edhe njëherë lajmin që ofruan portalet, këtu i cituar «Reporteri» ngase Google na nxori të parin gjersa kërkuam gjurmët e aferës. 

TEKSTI, citat: 

Titulli: Ardian Kastrati i PDK-së me fjalë të Faik Konicës bullizon ndaj Presidentes Vjosa Osmani 

Lead: Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka fyer presidenten e vendit Vjosa Osmani 

Përmbajtja: Kastrati edhe pse nuk ka përmendur emrin e presidentes Osmani, por me fjalë të Faik Konicës e ka fyer atë dhe bullizuar për peshë, duke shkruar “…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”. 

Statusi i Kastratit: Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. 

Në një shkrim të botuar në ‘Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: 

“…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”. 

ANALIZA e tekstit: 

Pse gazetarit sapo lexoi tekstin e Konicës i doli parasysh Vjosa Osmani e jo ta zëmë ndonjë teze e tij që konsiderohet të jetë e bëshme? Sepse konteksti politik ishte i tillë dhe Vjosa Osmani ishte në qendër të vëmendjes. Ardian Kastrati mirëpo thotë se qeshi me «zyrtaren e lartë të Stambollit». Vjosa Osmani nuk njihet si seksere politike e Erdoganit siç janë plotë kolegë partiakë të tij që punojnë për despotin e Bosforit. Kastratin konteksti e denoncon në sytë e tjerëve sikur ta kishte me Osmanin. Ndërkaq portalin jo vetëm konteksti por edhe kolludimi në vepër që bën e denoncon atë edhe më keq se Kastratin: ai, gazetari, portali, pa kërkuar deklaratën e cituesit për ta konfirmuar pandehjen e tij është i sigurt se ajo, për të cilën flet Kastrati është zonja Osmani. E këtë mund ta bëjë kaq i bindur ngase vetë e sheh Vjosa Osamin ashtu, si «fshatarke me barkun si kade e fytyrëkuqe».  

Në titull portlali thotë Kastrati «bullizon». Po ç’është pra bullizmi?  

TERMINOLOGJIA – «Bullizmin» e kanë futur në fjalor shqiptarët nga «Bullismo» i italishtes. Ndërkaq italot e kanë huazuar atë nga anglosferat, në udhë e sipër duke e izmëzuar «Bullying»-un. Ky nocion në anglishte përshkruan shkallën e eskalimit të «Mobbing»-ut. Me Mobbing [i cili definicion vjen nga psikologjia dhe pedagogjia] nënkuptohet: «dhuna verbale ose fizike, e hapur ose e mbyllur, afatgjate dhe që ka për qëllim përjashtimin e viktimës nga grupi, klasa» [Kampwerth, 2009, F. 7 dhe Stangl, 2021]. Në konkurrencë e sipër të këtyre dy termeve, që në esencë thonë të njëjtën, psikolog të ndryshëm kanë hapur «Bullying»-in si nocion që përshkruan sot jo vetëm mobbing-un shkollave por që mëton të përshkruaj edhe dukuri në sistem e thelb të njejta e përtej sferave e zonave pedagogjike. Sidomos pas shfaqjes së populizmit ekstrem viteve të fundit nocioni doli tejet adekuat për tu përdorur edhe gjatë përshkrimit të difamimit të viktimave (si individi, grup, shtresë …)  nga grupe të caktuara politike gjatë luftës së tyre për pushtet.  

A «bullizoi» Kastrati? Po, me kushtin nëse atij në «fyerje» e sipër do t’i bashkëngjitej një grup ithtarësh, të cilët në mënyrë sistematike, në grup, për një kohë të gjatë e me ofendime, shpifje, me dhunë psiqike [ose fizike] do të ushtronin presion për ta përzënë Vjosa Osmanin nga PDK, nga Parlamenti, nga institucioni e kështu me rradhë. Pasi ky proces mungon total: Jo, pra Kastrati nuk bullizoi. Kush bullizoi atëherë?  

BULLIZMI SI DUKURI – Supozojmë që Kastrati innuendoi ( = aludim i fshehtë, i maskuar) për ta fyer zonjën Osmani. Inuendimi mirëpo nuk u trajtua publikisht, ka mbetur çështje e hapur ngase mungon qëndrimi i tij publik [deri tash]. Ishin mediat që sollën «bullizmin» në lojë. Cilat media dhe me ç ’pronarësh e bërësish nuk e dimë ende. Akterë të caktuar, «rastësisht» aktivist të lidhur me partinë në pushtet si rrjedhojë organizuan protestat kundër Kastratit, duke kërkuar suspendimin nga vendi i punës, UP-ja, për bullizëm. Ky, Universiteti e mori si të dhënë «bullizmin» e Kastratit dhe e delegoi lëndën në Këshillin e Etikës. Për aludim të fshehtë, pasi fyerja me adresat direkt mungon, nuk dërgohet kush në një instancë ku merren masa disiplinore.  

Tash i dashur lexues bën llogarinë se nga vjen bullizimi në këtë aferë: ku gjendet një masë njerëzish që nëpërmjet fyerjeve, organizimit sistematik të propagandës, nëpërmjet protestave në rrugë dhe vënies nën presion të institucioneve publike linçon dikë  [pa gjykuar ende se ç’ishti inuendimi i tij] si bullist me synimin për ta përjashtuar nga vendi ku punon?  

HISTORIA E BULLIZMIT NË KOSOVË – Propaganda politike – sidomos ajo populiste – jeton nga difamimi, nënçmimi dhe poshtërimi i kundërshtarëve si të paaftë, si të padenjë gjersa janë në pushtet. Kjo as që do të ndryshojë ndonjëherë. Në shoqëritë demokratike ku ligji është më efektiv e mban këtë shdiskurs kundërshtarësh brenda kufijve të një polemike megjithatë të kulturuar. Në shoqëritë shqiptare ku nuk funksionojnë gjykatat si duhet [pse nuk e paditi Osmani (juriste) për ofendim Kastratit dhe pastaj nga vendimi i gjykatës të gjenerohej sjellja ndaj tij?] gjërat ecin ndryshe, duken si Flashmob, mirëpo janë kampanja të orkestruara mirë. 

Mobbing-u, Bullizmi fragmentar ka qenë evident edhe gjatë luftës. Etablimi i tij mirëpo si sistem, si armë politikë dhe si metodë u instalua nga LVV e kohës së Fisnik Ismailit me «Pampersat» e tij në rrjetin social e pastaj edhe me portale të veçanta. Prandaj nuk është e rastit që njerëzit rreth kësaj partie sot të organizojnë bullizmin kundër dikujt, madje për ironinë e fatit, duke akuzuar viktimën për bullizëm.  

UP – dhe tjerët tash për t’iu servilosur sa më thellë pushtetit të ri nuk do marrin qëndrim objektiv duke thënë se i mungojnë faktet juridike, i mungojnë shenjat dhe elementet e nevojshme për ta trajtuar madje deklaratën e Kastratit si inuendim e lere më si Mobbing apo bullizëm; ai as që ka aftësinë t’i qortojë mediat se pse nxitën bullizmin kundër anëtarit të tij në bazë të vetë imazhit që kanë për presidenten e tyre. Një njeri duhet linçuar për t’i treguar pushtetit të ri nënshtrimin total dhe kaq. Dukuria do kalojë për të vazhduar – bullizmi i Tjetrit duke e akuzuar si bullist. Ose habisin edhe veten dhe vendosin ndryshe?