Sfidat e ministrit të ri të MKRS në Trashëgimi Kulturore - Gazeta Express
string(56) "sfidat-e-ministrit-te-ri-te-mkrs-ne-trashegimi-kulturore"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

23/03/2021 17:12

Sfidat e ministrit të ri të MKRS në Trashëgimi Kulturore

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

23/03/2021 17:12

Në komunitetin e profesionistëve të trashëgimisë ekziston perceptimi që administrata e MKRS që merret me trashëgimi është tejet e korruptuar dhe joprofesionale. E nëse korrupsioni është vetëm perceptim, shkatërrimi i trashëgimisë tashmë është real. Prandaj, ministrin e ri të MKRS e pret një punë jashtëzakonisht e madhe. Shpresoj në vullnetin dhe profesionalizmin e tij që të ndryshojë gjendjen e tanishme

Shkruan: Pleurat Kabashi

Rrallë herë ndodhë, që në MKRS të vije një ministër kompetent dhe njohës i fushave përkatëse, kjo edhe për shkakun se kjo ministri përbëhet nga tre resorë të ndryshëm. Te rasti i Trashëgimisë Kulturore kjo bëhet edhe më problematike sepse është fushë që varet edhe nga edukimi kulturor që ministrat kanë ose nuk kanë, si dhe nga specifikat shkencore. Në dy mandatet e kaluara kemi pasur ministra me mungesa të theksuara në këto aspekte. Për këtë arsye edhe kemi pasur stagnim e regres në përgjithësi në Trashëgiminë Kulturore, qoftë në ruajtjen, mbrojtjen avancimin dhe promovimin e saj. Natyrisht, edhe situata ekonomike e pasluftës ka imponuar prioritete të tjera, por edhe komuniteti i profesionistëve të trashëgimisë ka qenë i vogël dhe nuk ka përbërë ndonjë interes për vota nga politikanët që t’i lidheshin me premtime mbi trashëgiminë.

Një nga problematikat më të mëdha, në këto 20 vitet e pasluftës, ka qenë mbrojtja e trashëgimisë, kapacitetet institucionale dhe mungesat ligjore. Si shtet, por edhe si popull, për shkak të vetëdijes sonë rreth rëndësisë së trashëgimisë, kemi dështuar pothuajse tërësisht t’i mbrojmë asetet tona kulturore. Përball ndërtimit të egër urbanistik janë shkatërruar qindra ndërtesa me vlera kulturore-historike. Nuk kemi arritur asnjëherë të imponojmë që në planet urbanistike të parashihet mbrojtja e trashëgimisë. Normalisht do të duhej, ashtu siç e ka bota mbarë, që çdo ndërmarrje urbanistike apo arkitektonike të përcillej me vëzhgim të institucioneve kompetente që merren me mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe në raste të caktuara, kur kemi të bëjmë me asete të rëndësishme kulturore edhe të revokohen lejet e ndërtimit. Përkundrazi, çdo herë i është dhënë përparësi ndërtimeve duke i shkatërruar këto asete kulturore, si në rastin e ndërtimit të autostradave, ndërtimit të ndërtesave shumëkatëshe brenda “zonave të mbrojtura” kulturore-historike etj. Rasti më eklatant ndoshta është zbulimi i disa rrënojave arkeologjike romake në qendër të Prizrenit, ku ka dështuar tërësisht edhe pushteti qendror edhe ai lokal. Ka rreth 10 vite që ato rrënoja shkatërrohen pa ju ofruar as edhe një mbrojtje nga shteti.

Në zonat rurale situata është akoma më e rëndë. Ndërtimet në fshatra janë plotësisht pa mbikëqyrje dhe pa plan urbanistik, e nuk bëhet fjalë për mbikëqyrje dhe mbrojtje të trashëgimisë. Varre, kala dhe vendbanime të tëra janë shkatërruar nga ndërhyrjet urbanistike dhe arkitektonike, e në raste të caktuara edhe nga aktivitetet hortikulturore. MKRS ka dështuar plotësisht në që të ofroj mbrojte adekuate, qoftë me platforma ligjore apo edhe me mbikëqyrje në terren. Ka munguar interesimi i shtetit që këto zona të mbrojtura me ligj të shpronësohen dhe të vihen nën menagjimin dhe mbrojtjen e shtetit.

Më vije turp ta them që shteti jugosllav është përkujdesur më shumë për qytetin antik të Ulpianës se sa Republika e Kosovës. Sot në Ulpianë ka aktivitet të pakontrolluar agrikulturor. Me dhjetëra parcela janë mbjellë me pemë dhe askush nuk është interesuar që këto aktivitete t’i ndaloj. Zona është pothuajse tërësisht në pronësi private dhe qe 20 vite nuk ka pasur as edhe më të voglin tentim që toka të shpronësohet. Vendbanimet e jashtëzakonshme neolitike të Vlashnjes (Prizren), Runikut (Skënderaj), dhe Fafosit (Mitrovicë) tashmë janë shkatërruar pothuajse tërësisht nga ndërtimet e pakontrolluara arkitektonike private. E madje ka pasur edhe ndërtime nga shteti në zonat e mbrojtura, siç ishte rasti i ndërtimit të zonës ekonomike/industriale në vendbanimin shumështresor të Hisarit (Suharekë), ndërtimit të impiantit të pastrimit të ujrave në Poslishtë (Prizren) e madje edhe ndërtimi i objektit policor në Prishtinë etj.

Muzetë gjenden në një kaos të tërësishëm, pa ligj dhe pa organizim adekuat. Kush të dojë në Kosovë mund të hap muze. Një pjesë e këtyre muzeve janë jashtë kontrollit të shtetit. Askush nuk e di se sa artefakte ka, si është gjendja e tyre, në çfarë kushtesh mbahen, e mos të flasim për laboratorë për konservimin e tyre apo për kartelat identifikuese dhe regjistrimin në databazë.

Instituti dhe qendrat rajonale për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore janë pothuajse tërësisht pa ekspert, dhe janë përdorur për punësimin e militantëve partiakë. Aktiviteti dhe autonomia e tyre pothuajse janë monopolizuar nga MKRS, duke u shndërruar në palë promovuese për dhënien e lejeve bizneseve të ndryshme.

Instituti arkeologjik qe tre vite është paralizuar duke mos pasur pothuajse asnjë aktivitet shkencor. Është bllokuar financiarisht duke u futur në obligime financiare te palët e treta në pamundësi të kryejë asnjë pagesë, as për punëtorët shkencor e fizik, për studentë e për mjete pune. Gërmimet arkeologjike të lëna në gjysmë kanë nxitur degradimin e lokaliteteve arkeologjike të cilat kanë mbetur pa mbikëqyrje dhe mbrojtje. Studentët e arkeologjisë nuk kanë se ku të kryejnë praktikën arkeologjike. Numri i arkeologëve të diplomuar ka filluar të rritet dhe nuk ka asnjë konkurs për punësimin e tyre, ndonëse ka mungesë të theksuar të arkeologëve në të gjitha institucionet e lartpërmendura.

Qe 20 vite nuk është blerë asnjë pajisje laboratorike apo teknologjike për të ndihmuar gërmimet arkeologjike dhe për të konservuar artefaktet e gjetura. Shumica e këtyre institucioneve nuk kanë as makina transporti për të shkuar në vendet ku raportohen gjetje apo dëmtime të lokaliteteve arkeologjike. Edhe kur shkojnë me makina private atyre nuk ju paguhen derivatet.

Në komunitetin e profesionistëve të trashëgimisë ekziston perceptimi që administrata e MKRS që merret me trashëgimi është tejet e korruptuar dhe joprofesionale. E nëse korrupsioni është vetëm perceptim, shkatërrimi i trashëgimisë tashmë është real. Prandaj, ministrin e ri të MKRS e pret një punë jashtëzakonisht e madhe. Shpresoj në vullnetin dhe profesionalizmin e tij që të ndryshoj gjendjen e tanishme.

/Ligjërues në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti Filozofik/Departamenti i Antropologjisë. Kryetar i Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës