Ishte viti 2014, kur 65 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe tri anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca – e përkrahën rezolutën me të cilën bëhej thirrje që Siria të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Megjithatë, kjo nismë u bllokua me veto nga dy anëtare tjera të përhershme, Kina dhe Rusia, të cilat udhëhiqen nga dy miq të diktatorit Bashar Al-Assad.
Nasuf Abdyli
Ambasadori i atëhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, tashmë i ndjerë, Vitaly Churkin, e kishte cilësuar rezolutën si “marifet për publicitet” dhe kishte paralajmëruar se nëse kjo rezolutë do të kalonte, ajo do t’i dëmtonte përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Siri, ndonëse në atë kohë nuk ishin duke u zhvilluar bisedimet për paqe, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Trembëdhjetë shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, prej të cilave tri anëtare të përhershme dhe dhjetë të përkohshme, votuan në përkrahje të rezolutës për gjykimin e krimeve në Siri. Megjithatë, Kina dhe Rusia, të cilat e përkrahin regjimin e presidentit sirian, Bashar Al-Assad, e përdorën të drejtën e vetos, të cilën e kanë vetëm pesë anëtaret e përhershme, për ta bllokuar rezolutën për Sirinë.
Ambasadorja e atëhershme e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, menjëherë i sulmoi Moskën dhe Pekinin për këtë veprim, duke deklaruar: “Populli sirian sot nuk do të shohë drejtësi. Ata do të shohin krim, por jo ndëshkim. Votimi me veto sot ua parandaluan viktimave të krimeve që të dëshmojnë në Hagë.”
Ajo e citoi dëshminë e një dezertori sirian, të emërtuar me kodin Cezari, i cili ka ofruar dëshmi në formë të fotografive të vrasjes së 11.000 të burgosurve nga qeveria siriane.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe në atë kohë, William Hague, pati deklaruar: “Jam i tmerruar nga vendimi i Rusisë dhe Kinës për të përdorur veto ndaj një rezolute jopolitike për referimin në GjND të të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, pavarësisht përkatësisë.”
Se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë raporte të mira me presidentin autoritar sirian, Bashar Al-Assad, ky nuk është ndonjë sekret. Rusia iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Assadit në vitin 2015 për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri për t’i luftuar grupet e opozitës, kryesisht përmes sulmeve ajrore.
Ndërkohë presidenti kinez, Xi Jinping, më 10 mars u përkujdes që t’i dërgonte mesazh keqardhjeje homologut sirian me rastin e infektimit të këtij të fundit me virusin SARS-CoV-2. Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kinës thuhet se presidenti kinez u uroi Assadit dhe bashkëshortes së tij shërim të shpejtë, duke shprehur njëkohësisht përkrahjen e qeverisë dhe popullit kinez për qeverinë siriane.
Në Siri, numri i saktë i të vrarëve që nga fillimi i luftës më 2011 nuk dihet. Grupet e aktivistëve vlerësojnë se shifra sillet nga më së paku 387 mijë deri në 593 mijë. Sipas Vëzgjuesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Britaninë e Madhe, deri në dhjetor të vitit 2020 në Siri janë raportuar 22.149 fëmijë të vrarë dhe 13.804 gra të vrara.
Sipas organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, vetëm deri në shkurt të viti 2017, nga 5.000 deri në 13.000 të burgosur janë ekzekutuar në burgjet qeveritare në Siri, ndërsa mijëra të tjerë raportohet të kenë vdekur nga tortura e autoriteteve./Gazeta Express