Një pikturë e bërë nga ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, e cila ishte në pronësi të aktores Angelina Jolie, është shitur për 7 milionë funte në një ankand të mbajtur në Londër.
Çmimi i shitjes ishte gati katër herë më i lartë sesa vlerësimi paraprak dhe e theu rekordin e pikturës më të shtrenjtë të ish-kryeministrit Churchill, që deri më tani ishte më pak se 1.8 milion funte.
Piktura e quajtur “The Tower of the Koutoubia Mosque”, e bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore, iu shit një blerësi anonim, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Churchill në atë kohë u frymëzua nga qyteti maroken, Marrakesh, dhe e bëri pikturën me vaj pas Konferencës së Kasablankës më 1943.
Ai ia bëri dhuratë këtë pikturë presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Franklin Roosevelt.
Piktura përfundoi në duart e aktores së njohur, Angelina Jolie, kur doli në shitje në New Orleans në vitin 2011.
Para se të bëhej pjesë e politikës, kryeministri historik i Britanisë së Madhe, Winston Churchill, ishte oficer ushtarak dhe filloi të pikturonte relativisht vonë, në moshën 40-vjeçare.
Piktura e shitur me çmim rekord paraqet minaret e një xhamia prapa murit rrethues të qytetit të vjetër. Në prapavijë shihen malet, ndërsa para murit janë disa figura të vogla me ngjyra.
Në një botë që vazhdon të përparojë me shpejtësi në fushën e teknologjisë, përdorimi i tabletëve ka marrë një...