Ish-kreu i Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj u la në masën “detyrim paraqitjeje” nga Gjykata e Tiranës. Ish-gjyqtari doli sot para trupit gjykues, për tu njohur me masën e sigurisë, dy ditë pas arrestimit të tij, pas sherrit që pati me djemtë e mitur. Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për ish-gjyqtarin.
Trupi gjykues e ka shqyrtuar këtë kërkesë të Prokurorisë dhe ka vendosur një masë më të lehtë për ish-gjyqtarin, atë si “detyrim paraqitjeje”.
Alaudin Malaj u vu në pranga dy ditë më parë, në zonën e Liqenit të Tiranës. Policia u lajmërua nga banorët e zonës, pasi Malaj ishte përfshirë në një sherr fizik me djemtë e tij të mitur për një makinë. Mes tyre ishte futur edhe vëllai i ish-gjyqtarit.
Ndaj ish-kreut të Apelit Tiranës u ngritën fillimisht akuzat: “Dhunë në familje e përsëritur”, “Dhunë në familje në prani të të miturve”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” si dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, pasi djemtë e Malajt kishin edhe urdhër mbrojtjeje.
Alaudin Malaj ka dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, ndërsa pak kohë më parë bëri një kërkesë që çështja e tij të rigjykohej në shkallën e parë.