Beteja e Herberto Juan Padillas - Gazeta Express
string(31) "beteja-e-herberto-juan-padillas"

Beteja e Herberto Juan Padillas

Arte

Gazeta Express

26/12/2020 11:39

Si çdo kund tjetër, disa  të tjerë,  me aq sa munden e zgjedhin një rrugë neutrale, rrugën e heshtjes, vet izolimit dhe si të tillë  ata “mbyllen në kullat e tyre të fildishta”, siç thuhet në fjalorin letrar.

Shkruan: Bujar Tafa

Lexo Edhe:

Kur Fidel Kastro me shokë po e shtrinte dhe forconte regjimin e tij në Kubë, poeti dhe disidenti kuban Herberto Juan Padilla në fillim kishte qenë përkrahës i madh i tij, kuptohet i entuziazmuar e i dehur nga propaganda për idenë e lirisë, barazisë dhe drejtësisë mes njerëzve. E kur e pa që sistemet komuniste  janë veçse maska për lirinë dhe drejtësinë mes njerëzve, e kur u bind se edhe të barabartët dallojnë, siç do të thoshte me ironi Orueli, me disa pak “më të barabartë se të tjerët”, ai filloi të distancohej  nga diktatori dhe nga regjimi i tij  komunist.

Kuptohet që pas këtij distancimi ai u burgos nga ky regjim, dhe pas shumë vetëkritikave të famshme, të detyruara në sistemet totalitare, si dhe pas shumë reagimeve, lutjeve dhe kërkesave nga intelektualë të shquar botëror të asaj kohe për lirimin e tij si; Sartri, Mario Vergas Losa, Julio Cartazar etj, ai më në fund u lirua, e pas lirimit, kur e braktisi Kuben, ai u shpërngul dhe jetoi në ShBA.

Herberto Juan Padilla në  poezinë “Kënga e xhonglerit” e ndërtoi, për mrekulli, raportin në mes të poetit  disident dhe diktaturës. Po  ashtu,  ai e ndërtoi edhe strukturën  përcjellëse dhe dekorin që i karakterizon shoqëritë që janë  të mbushura me revolucionarizma, me britma pseudo kauzash, me “yryshe” e thirrje turmash delirante e plot mendësi të tilla totalitare, jo vetëm bajate por fatkeqësisht edhe shumë shtypëse për liritë individuale e kolektive. Në ato rrethana shumë intelektualë rreshtohen në njërën nga të dy anët, disa nga ana e diktaturave, që në poezi përfaqësohen me Gjeneralin  d.m.th. në anën e të fortëve në pushtet, e disa të tjerë e zgjedhin rrugën e rezistencës për të mos i thyer idealet e parimet e tyre morale e intelektuale. Si çdo kund tjetër, disa  të tjerë,  me aq sa munden e zgjedhin një rrugë neutrale, rrugën e heshtjes, vet izolimit dhe si të tillë  ata “mbyllen në kullat e tyre të fildishta”, siç thuhet në fjalorin letrar.

Poezia “Kënga e xhonglerit”, është poezi proklamatë për konfliktin në mes të individit që synon ta ruaj lirinë e tij dhe pushtetit abuziv.  Në këtë poezi poeti derisa i ndanë rrugët me diktatorin, në ndërkohë i ndërton edhe karakteristikat në mes të botës paqësore që e përfaqëson poeti  dhe botës së dhunës ushtarake e politikes totalitare të cilën e përfaqëson Gjenerali. Konkretisht poeti në poezi e ndërton një situatë  lufte  në mes të këtyre dy poleve që përfundimisht e ndajnë botën në anën e mirë dhe në anën e keqe të saj.

Kënga e xhonglerit

                                    General, dein Tank ist ein starker Wagon

                                                                                                            -Breht

Gjeneral, është një luftë

Mes urdhrave të tu dhe këngëve të mia.

Ajo vazhdon gjithë kohën:

ditë e natë.

Nuk njeh as lodhje e as gjumë-

një luftë që vazhdon për shumë vjet,

aq shumë sa sytë e mi nuk kanë parë një agim

ku ti, urdhërat e tua, ushtritë e tua, llogoret të mos qenë.

Një betejë e pasur,

në të cilën, të flasim estetikisht, zhelet e mia

dhe uniforma e jote shihen sy me sy.

Një betejë teatrale-

që vetëm i mungon skena e ndriçuar

ku komedianët mund të dalin nga çdo anë

duke bërë potere si nëpër karnavale,

secili duke treguar besnikërinë e tij dhe vlerën.

Gjeneral, unë nuk mund t’i shkatërroj flotat e tua dhe tanket

dhe nuk e di sa gjatë kjo luftë do të zgjasë

por çdo natë një nga urdhrat e tu vdes pa u ndjekur

dhe e pamundshme, një nga këngët e mija mbijeton.

                                                                        (Përktheu Betim Muço)

Herberto Juan Padilla dëshmon se arti, poezia, por edhe fjala e lirë e aspirata për lirinë është më e fuqishme se diktati, më e fuqishme se çdo lloj dhune e pushteteve abuzive. Poezia jeton përherë, është art universal, është e të gjitha kohërave dhe e të gjitha hapësirave. Ajo lexohet botërisht dhe i jep krahë imagjinatës dhe ëndrrës për liri, përkundër dhunës që e shtypë dhe e mbytë individin. 

Poezia “Kënga e xhonglerit” është mesazh për diktatorët e gjysmë diktatorët, të djathtë dhe të majtë,  çfarëdo qofshin ata, dhe mbështetësit e tyre se koha e pushteteve abuzive, gjithsesi, është e kufizuar. Ajo kohë një ditë detyrimisht mbaron, duke lënë si trashëgimi vetëm pasoja dhe plagë të hapura me të cilat plagë do të ballafaqohen padrejtësisht edhe gjeneratat e reja. Në ndërkohë kjo poezi është  shpresë për lirinë dhe drejtësinë e vërtetë, gjithsesi pa ideologji e mendësi totalitare. Para së gjithash,  poezinë e Herbeto Juan Padillas duhet kuptuar si mesazh për intelektualët që të mos bien në asnjë mënyrë në kurthe të pushteteve abuzive të cilat shpeshherë nuk ngurrojnë t’i joshin këta të fundit me privilegje të llojllojshme.