Shkruan Berat Buzhala: Profil i Albin Kurtit - Gazeta Express
string(43) "shkruan-berat-buzhala-profil-i-albin-kurtit"

Shkruan Berat Buzhala: Profil i Albin Kurtit

OP/ED

Gazeta Express

09/12/2020 11:01

Rrëzimi i tij, e kaluara e tij dhe e ardhmja e tij. Kjo tash është një betejë e humbur. Ishte e domosdoshme për të ndodhur kështu. Zgjedhjet duhet të mbahen.

Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Paramendoni sikur të kishte qenë edhe më tutje kryeministër i Kosovës. Paramendoni, gjithashtu, sikur zgjedhjet e nëntorit në ShBA t’i kishte fituar Donald Trumpi, kurse ai ta kishte caktuar për Sekretar të Shtetit, me falni për gjuhën, “pederin” Richard Grenell.

Ndaluni këtu dhe mos paramendoni më asgjë.

Në fillim të këtij viti, ky ishte një skenar krejtësisht i mundshëm, për të cilin po përgatitej e gjithë bota. Diferenca në sondazhe në mes të kandidatëve për president në Amerikë ishte shumë e ngushtë, gjë që i jepte përparësi presidentit në detyrë. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, ishte qeveria e parë në Evropë që i ishte futur “all in” konfrontimit me administratën amerikane. Kjo nuk mund të quhej as përleshja e Davidit me Goliatin. Ishte një përplasje në mes të një “jo-tamam-shteti” me shtetin më të fuqishëm në botë. Pra, për ShBA’në kjo ishte një “joçështje”, kurse për Kosovën një çështje ekzistenciale. Albin Kurti, duke mos pasur as armë nukleare, duke mos pasur as burime të naftës, duke mos pasur, në fakt, asgjë me të cilën do të mund të negocionte, e forcoi dorën e tij duke investuar çdo gjë. Po sillej sikur në trupin e tij të ishte futur edhe Kim Jong Uni, edhe Mohamed Bin Salmani. Luftë e përgjithshme. Luftë me Amerikën, luftë me partnerët, luftë me opozitën. Qeverisjet e këqija të mëparshme dhe korrupsioni masiv po ia mundësonin një arrogancë të tillë. Qysh thotë populli, “i lagti për shi nuk mërzitet”. Këto janë situata delikate por të njohura në praktikat ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e qytetarëve të dëshpëruar me më shumë dëshirë do të bashkëjetojnë me gabimet e Albinit sesa me ndonjë veprim tek-tuk të mirë të establishmentit. Çdo gjë nis dhe përfundon te “ky nuk vjedh”. Pra, mbizotëronte logjika: ai që nuk vjedh e ka vazhdimisht dhe në çdo gjë mirë, kurse ata që vjedhin e kanë vazhdimisht dhe në çdo gjë keq. Kjo është e pasaktë, por është vështirë e debatueshme. Nuk ka asgjë më të sikletshme që të thuash publikisht që edhe ora e prishur dy herë në ditë e tregon kohën e saktë ose që edhe hajnat ndonjëherë e kanë mirë. Albini këtë e ka ditur më së miri. Duke e ndier presionin e madh amerikan, duke i ditur kërkesat e tyre në rritje, ai u hodh nga anija, duke lënë një rrëmujë pas vetes. Politikë është edhe kjo. Albini nuk dëshiron që në librin e tij të faturave të figurojnë edhe disa fatura të papaguara të establishmentit. Ai e dëshiron pushtetin të pastër dhe pa borxhe. Me fjalë të tjera, meqë revolucionet, ose ardhjet në pushtet pa votë, nuk janë të mundura për kohën në të cilën po jetojmë, sepse ato të mundësojnë një gjë të tillë, kur klasa e deriatëhershme përfundon në konop, kurse të rinjtë vijnë të pastër, atëherë Albini dëshiron që revolucioni të bëhet me votë, duke e shpallur të kaluarën joekzistuese, duke mos i marrë parasysh as të arriturat e as dështimet. Çdo gjë fillon me mua. Jezu Krishti i shfaqet Gjon Pagëzorit dhe thotë: Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, që është, që ishte dhe që vjen, i plotfuqishmi (Zbulesa 1:8). Pra, Jezusi është qendra dhe qarku i të gjitha gjërave, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Në Islam, koha përpara ardhjes së Profetit Muhamed njihet si “Jahiliyyah” ose Epoka e Injorancës.

Sigurisht që nuk është kështu. Ky do të ishte më shumë një skenar që ngjason me komedinë legjendare britanike, “Monty Python”. Në këtë komedi, lideri i Frontit Popullor të Judesë, duke dashur që ta zhbëjë periudhën e sundimit romak në ato territore, tregon se qysh romakët morën çdo gjë prej tyre dhe jo vetëm prej tyre, por edhe nga baballarët dhe baballarët e baballarëve të tyre.

Ai i pyet me ironi mbështetësit e tij: Në këmbim të kësaj, çfarë bëri Roma për ne?

Ujësjellësin, i thotë njëri.

“Përveç ujësjellësit”, thotë i pakënaqur lideri revolucionar.

“Kanalizimet”, i thotë një tjetër, duke shtuar se a e dinë si ka qenë papastërtia në qytet më herët.

I zënë në defensivë, lideri revolucionar vazhdon të pyesë: “Përveç ujësjellësit dhe kanalizimit, çfarë bëri tjetër Roma për ne?”

“Rrugët”, përgjigjet tjetri.

“Mirë, përveç ujësjellësit, kanalizimeve, rrugëve, çfarë bëri tjetër Roma për ne?”

“Edukimin.”

“Përveç ujësjellësit, kanalizimeve, rrugëve, edukimit, çfarë bëri tjetër Roma për ne?”

“Banjat publike. Sigurinë në rrugë. Verarinë. Mjekësinë.”

“Përveç këtyre, çfarë bëri Roma për ne”, vazhdon të pyesë lideri revolucionar.

“E solli paqen.”

“Oh, paqen…., mbylle gojën!”

Megjithatë, për momentin, masat popullore nuk janë të gatshme të dëgjojnë për asnjë të arritur në kohën e Romës. Kosova ka ekzistuar para Albinit. Janë shënuar të arritura të mëdha. Janë shënuar të arritura historike. Kosova ka lëvizur nga një provincë serbe në një shtet të njohur ndërkombëtarisht. Në shumicën e ngjarjeve historike, Albini ka qenë në anën e kundërt të tyre. Ai ka qenë gabim. Ka qenë një “Prophet of Doom”. Një profet që ka parashikuar që do të ndodhin vetëm gjëra të këqija. Që do të ndodhin gjëra të këqija pas Rambujesë. Pas negociatave të Vjenës. Pas shpalljes së pavarësisë. Pas çdo gjëje në të cilën ai nuk ka qenë i pranishëm. Kosova sot ka (deri diku) rrugë. Ka (deri diku) rrymë. Ka (deri diku) shkolla. Ka (deri diku) siguri publike. Ka (deri diku)  spitale. Ka (deri diku) sistem bankar. Ka (deri diku) ekonomi të lirë. Kosova ka (deri diku) medie të lira. Kosova ka PLOTËSISHT zgjedhje të lira. Të gjitha këto janë me të meta të mëdha. Gjithkund është vjedhur dhe abuzuar, por ato janë aty. Dikush tjetër duhet të vijë dhe të punojë rreth tyre.

Sidoqoftë, kjo nuk është dëshira e Albinit. Ibrahim Rugova për të nuk ekziston e, së këndejmi, nuk ekziston asgjë e bërë gjatë viteve të 90’a, përveç protestës së 1 Tetorit të vitit 1997. Nuk ekzistojnë as vitet e pasluftës, as shpallja e pavarësisë, e, së këndejmi, as protagonistët e këtyre ngjarjeve. Është dashur një apel kombëtar për ta bindur atë që të shkojë të përkulet te varri i Ibrahim Rugovës, edhe pse nuk jam i sigurt në është përkulur. Albin Kurti e di që injorimi i rolit të Ibrahim Rugovës do t’i sillte pasoja të mëdha elektorale, prandaj atë e kompenson te ajo pjesë e elektoratit, duke e shpallur pothuajse tradhtar Hashim Thaçin, rivalin e vjetër politik të Rugovës. Pra, rugovistëve ua fshin lotët me Thaçin. Në anën tjetër, pjesën nacionaliste, elektoratin e UÇK’së, që parimisht është me Thaçin, e entuziazmon me flamurin kuq e zi dhe me injorimin që ia bën Rugovës. Kjo është një rrugë e ndërlikuar, por jo e pamundur. Aktualisht, aleatja kryesore e tij për këto tema është heshtja. Ai i ka thënë ato që ka pasur për t’i thënë. Platforma e tij është një tavolinë suedeze – çdokush ushqehet prej saj varësisht prej shijeve që ka. Ka salmon, ka fli, ka mantia, ka sallatë, ka edhe ëmbëlsirë. Çdokush e citon Albinin për pjesën që atij ose asaj i hyn në punë, sepse frustrimi me pjesën tjetër është i jashtëzakonshëm. Mjafton që të publikohet lajmi që djali i Haxhi Shalës është emëruar konsull dhe Albinit i shtohet përkrahja popullore edhe për 1 ose 2 për qind. Ai tash nuk duhet të bëjë asgjë. Thjesht duhet të presë. E pamë çfarë ndodhi në Podujevë. Kandidati i vënë prej tij, i cili me vendim gjyqësor është shpallur uzurpator i pronës publike, fitoi në rundin e parë në një territor ku askush nuk kishte arritur të futej, përveç LDK’së. Qytetarët dëshirojnë të hakmerren, sepse janë të bindur që Albinit i ishte bërë e padrejtë në fillim të këtij viti. Atij teknikisht edhe i ishte bërë e padrejtë, sepse, parimisht, fituesi i zgjedhjeve duhet ta qeverisë vendin, mirëpo ajo ishte një padrejtësi e domosdoshme. Sido që të jetë, tash votuesit janë të gatshëm që ta kompensojnë Albinin në çdo palë zgjedhje që do të mbaheshin, deri në rikthimin e tij aty ku ishte përpara Avdullah Hotit. Dhe kjo duhet të ndodhë. Sa më shpejt, aq më mirë. Ky ballon duhet të shfryhet. Narracioni se Albini ishte kundër çdo gjëje në 30 vjetët e fundit është një temë që nuk u intereson votuesve të rinj. Ata votën e tyre do ta hedhin duke i gjykuar politikanët për sjelljet e tyre në 4-5 vjetët e fundit. Nuk do të votojnë për historinë. Albini është në mënyrë të padiskutueshme larg më tërheqës për të qenë i votuar sesa çdo udhëheqës tjetër partiak. 

(Në ditët në vijim: Lidhja Demokratike e Kosovës)