Shefja e Spitalit Infektiv Najada Çomo ka folur në ABC News për gjendjen shëndetësore të pacientit, i cili tentoi vetflijimin sot, duke u hedhur nga kati i tretë i këtij spitali. Çomo tha se gjendja shëndetësore e 69-vjeçarit nga Bolena e Fierit paraqitet kritike jo vetëm për shkak të Covid-19 por tashmë edhe për shkak të pasojave pas ngjarjes së sotme.
“Sigurisht është ngjarje tragjike ajo që ka ndodhur me një pacient të shtruar në 24 orët e fundit. Ai ndodhet aktualisht në terapi intensive pranë spitalit Infektiv. Akti është kryer nga në një situatë të rënduar psikologjike.
69-vjeçari është në situatë problematike qoftë nga sëmundja bazë por edhe nga pasojat që u shkaktuan nga vetëhedhja. Puna jonë ka edhe këto lloj problematikash, por që gjithsesi puna jonë do të vazhdojë ndërkohë që do të kërkoja edhe nga mediat të na mbështesin në punën tonë, të kemi suportin moral që nevojitet si në rastin e pacientëve dhe në rastin e personelit mjekësor”, – deklaroi Çomo.
Sipas saj, çdo pacient i infektuar nga Covid, është i rrezikuar të preket nga çrregullimet psikologjike. Kjo situatë rëndohet edhe nga fakti se kur hyn në spital i sëmuri, përballet me frikën por edhe me mungesën e kontaktit fizik me familjarët gjatë kohës së shtrimit, edhe pse kontakti përmes telefonatave nuk mungon.