Werder Bremen ka njoftuar se Milot Rashica nuk do të lejohet t’i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës për ndeshjet e këtij muaji, për shkak të kufizimeve të koronavirusit në qytetin gjerman.
Rashica u ftua nga trajneri i Kosovës Bernard Challandes për ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë më 11 nëntor në Elbasan dhe për dy ndeshjet e fundit në grup në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe ndaj Moldavisë në Prishtinë, por nuk do të jetë në gjendje të paraqitet, raporton Gazeta Express.
Kufizimet e vendosura nga autoritetet shëndetësore në Bremen për mbrojtje ndaj Covid-19, e kanë shtyrë klubin e Bundesligës të mos i lejojë lojtarët e vet t’u bashkohen Kombëtareve të tyre përkatëse, sipas mediave të shumta gjermane.
Sipas masave për mbrojtje ndaj virusit në Bremen, një futbollist që kthehet në qytet nga jashtë shtetit duhet të futet në karantinë pesëditore, pavarësisht rezultatit të testit për Covid-19.
“Asnjë lojtar nuk do të paraqitet për shtetin e vet përkatës. Vendimi është marrë për shkak të rregullores nga autoriteti shëndetësor në Bremen, e cila thekson se lojtarët që kthehen nga vendet me rrezikshmëri të lartë të virusit duhet të futen në karantinë për pesë ditë”, thuhet në një njoftim të Bremenit.
“Ne e dimë se lojtarët dëshirojnë t’u bashkohen kombëtareve të veta, por ne nuk guxojmë të rrezikojmë duke e parë situatën e përgjithshme”, ka thënë drejtori sporti i Bremenit, Frank Baumann.
Sulmuesi anësor nga Vushtrria s’u lejua të udhëtonte drejt Prishtinës as në humbjen e Kosovës 2:1 kundër Greqisë në stadiumin Fadil Vokrri në shtator.
Rashica po ashtu mungoi në katër ndeshjet e fundit të Kosovës në dy muajt e fundit, për shkak të një lëndimi në gju.
Rashica do të mungojë në dy ndeshje vendimtare për fatin e Kosovës në Grupin 3 të Ligës C, pasi dardanët dëshirojnë ta shmangin rënien në Ligën D – kategorinë e fundit të kësaj gare.
24-vjeçari do ta humbë mundësinë për të luajtur kundër Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë dhe tri ditë më vonë kundër Moldavisë në Prishtinë.
Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia. /Gazeta Express/