Gjykata Kushtetuese thotë se akoma nuk ka marrë vendim lidhur me legjitimitetin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit. Gazeta Express mëson se lënda është shqyrtuar dhe gjyqtari raportues ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë.
Gazeta Express
Qeverisë së Avdullah Hotit, që u formua falë një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mund t’i “shkojë koka” po nga e njëjta gjykatë.
Gazeta Express ka mësuar se gjyqtari Bekim Sejdiu, e ka konsideruar si jokushtetues votimin e Qeverisë Hoti prej deputetit Etem Arifi, që tashmë ishte i dënuar me burgim.
Sipas të njëjtave burime, Gjykata Kushtetuese po pret momentin kur të dalë me vendimin e saj që e vulos kërkesën e gjyqtarit raportues, sepse edhe një pjesë e gjyqtarëve të tjerë pajtohen me të.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese thotë se nuk është marrë akoma vendimi për rastin e votës së deputetit Arifi.
“Raportimet e djeshme në media përkitazi me këtë rast janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë. Gjykata nuk ka marrë ende një vendim lidhur me këtë kërkesë dhe lënda është duke u shqyrtuar. Si në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë një vendim, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në një përgjigje të Kushtetueses dhënë Gazetës Express.
Qeveria e Avdullah Hotit u votua nga 61 deputetë dhe Etem Arifi ishte një nga ta, duke e mundësuar formimin e saj.
LVV-ja ka dorëzuar në qershor të këtij viti kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.
“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Edhe pas këtij dënimi, ai kishte marrë pjesë në seancën e 3 qershorit, kur vendi u bë me Qeveri të re.
Para një muaji ai është dorëzuar vetë në Polici për ta vuajtur dënimin. /Express/
Thellë nga natyra e paprekur, në zemër të Bjeshkëve të Istogut, nga mali madhështor i Moknës, shtrihet një perlë...