Shkruan Blerim Shala: Vizita e Lajčakut në Prishtinë - Gazeta Express
string(51) "shkruan-blerim-shala-vizita-e-lajcakut-ne-prishtine"

Shkruan Blerim Shala: Vizita e Lajčakut në Prishtinë

Gazeta Express

17/10/2020 11:19

Askush në politikën kosovare nuk e di se si do t’i bëhet puna temës së Asociacionit/ Bashkësisë e cila duket që është e pashmangshme në bisedimet e Brukselit.

Blerim Shala

Lexo Edhe:

Qëndrimi disaditësh në Prishtinë i Miroslav Lajčakut, Emisarit Special të BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe të gjitha takimet që ai i pati me zyrtarët dhe politikanët e vendit, kishte për qëllim zhbllokimin e bisedimeve të Brukselit të cilat tashmë janë në gjendje të vendnumërimit.

Dihet botërisht që qasja e veprimit të EUSR-it në këtë proces, hap pas hapi apo ’kapitull pas kapitulli’  (i Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë), për të cilin u patën pajtuar Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, në Takimin e parë në nivelin e lartë, me 16 korrik në Bruksel, pësoi një goditje të keqe kur u shfaq për trajtim tema e Aranzhmaneve për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave  (me shumicë serbe).

Një Takim në nivelin e lartë, i paraparë për 28 shtator në Bruksel, u anulua, pikërisht në vijim të dallimeve substanciale në mes të palëve në trajtimin e kësaj teme tepër të ndjeshme për Prishtinën zyrtare.

Autoritetet negociatore të Prishtinës, në veçanti Kryeministri Hoti, këmbëngulin që për temën e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave nuk do të flasin në Bruksel, apo, zbatimi apo jetësimi i tij do të ndodhë në Kosovë pas arritjes së Marrëveshjes Ligjësisht Obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila, për gjithë skenën politike të vendit, do të nënkuptojë njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Autoritetet zyrtare të Beogradit e thonë të kundërtën: Pa u zgjidhur një herë e mirë tema e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, nuk mund dot të ketë kurrfarë Marrëveshje të mirëfilltë në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Me atë logjikën e kahmotshme jetësore, filozofike dhe politike, ’kush është i pari, veza apo pula’, apo, a duhet së pari të shqyrtohet kjo temë kyç për bisedimet e Brukselit, apo, një herë duhet të bëhet Marrëveshja e madhe politike, Lajčak mbërriti në Prishtinë, për të dhënë mesazhe që dialogu nuk mund të ndalet, që ai ka kuptim vetëm nëse arrihet së shpejti Akordi për normalizimin e marrëdhënieneve, dhe që Marrëveshje nuk mund të ketë fare pa gjetur formulën për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Lajčak, edhe pa arritur fare në Prishtinë të martën e kaluar, ua bëri goxha të qartë autoriteteve të Kosovës dhe të gjithë spektrit politik, që nuk mund të shmanget dot trajtimi i kësaj teme, në njërën formë apo tjetrën, në njërën mënyrë apo tjetrën.

Varianti i preferuar nga Lajčak, dhe i dakorduar para tre muajsh në Bruksel, spikatë bisedimet për Aranzhmanet për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave, në kuadër të asaj Tërësie të kapitujve apo të elementeve të Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajčak, por edhe kryeqendrat e Perëndimit  (Washingtoni, Brukseli, Berlini dhe Parisi), supozojnë që pajtimi eventual i Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin/ Bashkësinë, është çelësi që hap dyertë e Marrëveshjes së madhe, e cila sipas tyre nuk ka si ta shmangë temën e njohjes reciproke.

Por, për shkaqe të nduarnduarta  (për të cilat mund të bëhet një libër, e lëre më një shkrim autorial), të cilat në tërësinë e tyre përbëjnë lëmshin e madh politik kosovar që sa vjen dhe rritet e bëhet edhe më i paqartë, edhe më i patëfillueshëm, pala kosovare duket që nuk ka vullnet dhe gatishmëri ta përfillë këtë qasje të Lajčakut, pa marrë garanca të qarta nga Beogradi zyrtar që ai do të jetë i gatshëm ta pranojë formalisht pavarësinë e Kosovës.

Pala serbe, dhe këtu duket që Beogradi ka mirëkuptimin jo vetëm të Lajčakut, por edhe të gjitha kryeqendrave të Perëndimit  (edhe të Washingtonit, pra), insiston që nuk mund të ketë Marrëveshje finale pa adresimin e temës së Asociacionit/ Bashkësisë.

Në synimin e tij për ta ushtruar një presion efektiv mbi Qeverinë e Kosovës për t’iu kthyer bisedimeve të Brukselit duke i përfillur ’Rregullat e lojës’ për të cilat ishte arritur pajtimi i dyanshëm, EUSR Lajčak ’ofron’ edhe solucionin e dytë për Prishtinën zyrtare, i cili bazohet mbi Marrëveshjen e Parë në mes të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar  (të 19 prillit të vitit 2013-të), dhe në atë Marrëveshjen për Parimet e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe  (të 25 gushtit të vitit 2015-të), e cila pësoi zhvlerësimin legal me Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës  (të dhjetorit, 2015).

Pra, sipas Lajčakut, autoritetet e Kosovës e kanë detyrim zbatimin e këtyre dy Marrëveshjeve  (edhe duke përfillur Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese), edhe pa biseduar fare për këtë temë në Bruksel.

Pra, Emisari Special i BE-së për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, e sheh si të domosdoshme dhe të pashmangshme, për instancat më të larta të Kosovës, trajtimin e temës së Asociacionit/ Bashkësisë, ose me atë modelin e tij të preferuar, si element kyç të Marrëveshjes së madhe politike midis Kosovës dhe Serbisë, ose me këtë variantin e obligimit të marrë tashmë nga Prishtina në vitet 2013 dhe 2015.

Si qëndrojnë punën tani, dhe pakkush këtu mund të presë që diçka thelbësore do të ndryshore në ditët dhe javët e ardhshme, Prishtina zyrtare nuk është e disponuar as për variantin e zbatimit të Marrëveshjeve të mëparme, dhe as për të biseduar tani për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave, në kuadër të procesit final të bisedimeve, pa i marrë ato garancat për njohjen reciproke si kryeçështje të Marrëveshjes Gjithpërfshirëse.

Ky solucioni i parë i Lajčakut kërkon hartimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë, nga Ekipi Menaxherial katëranëtarësh, teksa mund lehtë të supozohet se çfarë mandati, cilat kompetenca dhe çarë organizimi do të propozojë për këtë trup ky Ekip Menaxherial, krejtësisht i kontrolluar nga Beogradi.

Solucioni i dytë nënkupton që pala kosovare të jetë e gatshme ta shqyrtojë këtë çështje, me logjikën e preferuar ndërkombëtare  (e cila aktualisht nuk ka fare përkrahje ndër ne), për koncesione të reja ndaj Beogradit, me synimin që në fund të mbërrihet tek njohja e dyanshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Duke që për shkak të kësaj rrjedhe të ngjarjeve rreth temës së Asociacionit/ Bashkësisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili parimisht nuk është fort i interesuar që bisedimet e Brukselit të ecin me një dinamikë të shpejtuar dhe që të këto  (bisedime), të mbërrijnë tek ai ‘çasti i të vërtetës’, kur Beogradi do të ballafaqohet me ‘Kryefjalën e Marrëveshjes’  (njohjen e Kosovës), e ka ri-gjetur atë pozicionin e të qenit komod dhe të pritjes se çfarë do të bëjë Prishtina, të cilin e pati gëzuar për njëzet muaj të plotë  (në vijim të kallëzimit të njohur për tarifën).

Sërish, si thuhet me atë fjalorin diplomatik, ‘topi është në këtë anën kosovare’, teksa nuk duket që ndër ne ka fare disponim për ta ‘luajtur lojën e Asociacionit/ Bashkësisë’.

Për më shumë, askush në skenën politike të Kosovës, nuk e di se si do t’i bëhet puna kësaj teme dhe si do ta shmangim atë situatën kur ne edhe një herë do të mund të fajësohemi për ngecjen evidente në bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit.