Kronikë e ngecjes së paralajmëruar (I) - Gazeta Express
string(36) "kronike-e-ngecjes-se-paralajmeruar-i"

Kronikë e ngecjes së paralajmëruar (I)

Gazeta Express

16/09/2020 16:29

Dialogu në Bruksel së shpejti mund të hyjë në fazën e ngecjes së plotë, kur do të kuptohet që është bërë gabim që qysh në fillim nuk është trajtuar Emri i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, do të vazhdojë, këtë javë, të enjten dhe të premten  (me 17 dhe 18 shtator), në Grupet punuese, të cilat udhëhiqen nga Skender Hyseni dhe Marko Đurić.

Temat të cilat do të trajtohen tash e tutje, ndryshe, të dakorduara në Mbledhjen e 7 shtatorit në Bruksel në mes të Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, pas atyre të parave të cilat parimisht ishin më të lehta për tu trajtuar dhe për tu pajtuar me to, për shkak të karakterit të tyre human/ njerëzor (tema e të pagjeturve dhe ajo e të zhvendosurve/ refugjatëve), apo të atij të bashkëpunimit ekonomik, janë shumë më të vështira.

Është bërë e ditur tashmë që kësaj radhe, në Bruksel, do të flitet për këto tema: Aranzhmanet për komunitetet jo-shumicë – Asociacioni/ Bashkësia e komunave, dhe Kërkesat e dyanshme financiare dhe pronësore.

Kur dihet se çfarë peshe të rëndë bartin në vete këto tema, vështirë që dikush mund të presë që qysh në këtë raundin e parë të bisedimeve në këtë nivel, do të mund të ketë një përafrim të pozicioneve të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, e lëre më diçka më shumë.

Sipas pikëshikimit aktual të Brukselit, ka të ngjarë që këto tema, së bashku edhe me atë që pritet të vijë më pas  (ajo e Trashëgimisë religjioze-kulturore serbe në Kosovë), do të jenë boshti i një Marrëveshjeje eventuale në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.

Natyrisht, në rrethanat e tanishme, pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit në shqyrtimin e këtyre temave, janë diametralisht të kundërta. Mbase, asnjë pikë e përbashkët nuk ekziston në mes të dy palëve.

Në anën tjetër, ka rëndësi të madhe se cila do të jetë qasja e vetë EUSR-së, (Emisarit Special të BE-së), Miroslav Lajčakut, dhe e EEAS-it dhe BE-së në përgjithësi, dhe sa do të mund të ndikojë Administrata Amerikane në këtë ndërmarrje parimisht evropiane, edhe pse është e paimagjinueshme që BE-ja pa përkrahjen (vendimtare) të SHBA-së, do të mund të mbërrijë në cakun e bërë prej Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë .

Prej këtyre temave kyç të cilat do të trajtohen tash e tutje në Bruksel, duket që ajo e Kërkesave të dyanshme financiare dhe pronësore, me gjithë kompleksitetin e saj, është pak më e lehtë, pos tjerash, sepse ajo është e pritshme, e kuptueshme dhe e logjikshme.

Ajo në fakt paralajmëron, si e tillë, që Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, nëse do të bëhet Marrëveshja Ligjërisht Detyruese, do të hynë në fazën e barazimit financiar dhe pronësor, e cila zaten ka karakterizuar edhe atë fazën e rregullimit dhe normalizimit të raporteve në mes të ish-njësive federale, pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së  (të konstatuar në Konferencën Paqësore të Hagës, në vitin 1991).

Si të gjitha temat e tjera, edhe kjo pra, pati gjetur vendin e vet në CSP-në  (Propozimin Gjithpërfshirës), të Presidentit Ahtisaari  (shkurt, mars, 2007), i cili ishte rezultat i një procesi 18 muajsh të bisedimeve në Vjenë dhe në Bruksel, të udhëhequra prej Ahtisaarit dhe Ekipit të tij, teksa Kosova përfaqësohej nga Ekipi i Unitetit.

Barazimi financiar, në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili tek Ahtisaari kishte domethënien e borxheve të jashtme/ ndërkombëtare të Kosovës, të cilat ishin servisuar nga Serbia  (pas zhbërjes së RSFJ-së dhe krijimit të RFJ-së), do të duhej të ndodhte jo më larg se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Propozimit të UNOSEK-ut  (Zyres së Ahtisaarit).

Dihej që CSP duhej të hynte në fuqi me një Rezolutë të veçantë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në pranverën e vitit 2007. Kjo nuk ndodhi për shkaqe të njohura, apo, në vijim të kundërshtimit të CSP-së nga Rusia e Presidentit Putin.

Sidoqoftë, në CSP ishte definuar që nëse Prishtina dhe Beogradi nuk do të merreshin vesh për këtë dimensionin financiar, atëherë, Ahtisaari pati propozuar që ISG  (Grupi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, të cilit i përgjigjez ICO, Zyra Civile Ndërkombëtare), do ta emëronte një Arbitër (ndërkombëtarë), i  cili do të përpiqej ta finalizonte këtë çështje.

Duket që këto Propozime të Ahtisaarit, sipas të gjitha gjasave, do shërbejnë si model apo si shembull edhe në rast të arritjes eventuale të Marrëveshjes së madhe politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pra, do të mund të ketë një afat kohor kur dy shtetet  (apo një Komision i përbashkët ndërshtetëror), do të angazhohen për ta adresuar si duhet këtë temë. Pasi këtu, kërkesat e dy palëve nuk kanë thuaja gjë të përbashkët, atëherë, supozohet që në përfundimin e atij afati kohor  (i cili mund të jetë 12 muaj, jo më i gjatë), BE-ja do të mund ta emërojë një Arbitër ndërkombëtarë i cili do ta kishte një mandat të qartë vendimmarrës dhe një kornizë kohore, brenda së cilës, pas shqyrtimit të kërkesave të Kosovës dhe të Serbisë, do të mund t’i mirrte vendimet të cilat do të ishin obligative për te dy palët.

Sa i përket temës së pronës publike dhe asaj shoqërore, dihet që në Pakon e Presidentit Ahtisaari, të gjitha pronat e këtij lloji, brenda territorit të Kosovës, i janë dhënë Kosovës.

Dy temat e tjera, apo ajo e Aranzhmaneve për komunitetet jo-shumicë – Asociacionit/ Bashkësisë së komunave, dhe e Trashëgimisë religjioze-kulturore serbe në Kosovë, pos që e kanë poashtu komplekstitetin e kësaj të parës, kanë një rrezatim shumë më problematik dhe madje më të rrezikshëm politik, me pasoja të cilat do të mund tutje ta ndërlikonin dhe ta vështirësonin skenën politike kosovare, e cila edhe në rrethanat e tanishme, nuk shquhet me një unitet në adresimin e sprovës së dialogut për Kosovën. Përkundrazi.

Për palën kosovare, këto tri njësi në kuadër të dy temave, kanë marrë atë formën e tyre definitive te Propozimi i Presidentit Ahtisaari, te Marrëveshja e Parë e Brukselit  (19 prill, 2013), dhe te Verdikti i Gjykatës Kushtetuese për Parimet e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe  (dhjetor, 2015).

Pra, ekzistojnë, sipas bindjes së politikanëve të Kosovës  (dhe të opinionit të gjërë kosovarë), zgjidhjet e gatshme  (tashmë), për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë  (te Ahtisaari, te Kushtetuta e Kosovës dhe te Korniza ligjore e vendit), për Trashëgiminë religjioze-kulturore serbe në Kosovës (te Ahtisaari, te Kushtetuta e Kosovës dhe te Korniza ligjore e vendit), dhe për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave (Marrëveshja e Brukselit dhe Verdikti i Gjykatës Kushtetuese).

Ky është, nëse mund të thuhet ashtu, ’territori’ i cili, për palën kosovare, i ka definuar qartë këto tema, prandaj, pala serbe, sipas mendimit mbizotërues në Kosovë, do të duhej të dakordohej me këto përcaktime dhe definicione ndërkombëtare  (Ahtisaari, Marrëveshja e Brukselit), dhe vendore  (Korniza legale e Kosovës, duke u nisur nga Kushtetuta e Kosovës).

Në anën tjetër, nuk ka kurfarë dyshimi, zatën, kjo gjë dihet botërisht, që instancat më të larta të Serbisë kanë një pikëpamje krejtësisht tjetër për këto tri njësi dialoguese dhe ato nuk kanë dhënë shenja që do të jenë të gatshme të dakordohen me këtë pikëpamje të autoriteteve të Kosovës.

Në radhë të parë, Beogradi zyrtar asnjëherë nuk e ka pranuar Propozimin e Presidentit Ahtisaari, i cili ka qenë themeli ndërkombëtarë i krijimit të shtetit të Kosovës, me shpalljen e tij, me 17 shkurt të vitit 2008.

Për autoritetet më të larta të Serbisë, edhe ato propozime të Ahtisaarit të cilat janë deri diku të pranueshme për to, nuk bartin në vete potencialin e të qenit të mjaftueshme për të shërbyer si ’brum’ për bërjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić dhe Delegacioni i tij, po ashtu, nuk pajtohen dot me atë Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës  (të dhjetorit të vitit 2015), i cili pati zhvlerësuar, në njërën anë, përmbajtjen e Parimeve të Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e në anën tjetër, pati obliguar autoritetet e Kosovës që ta formojnë këtë Asociacion, sipas Marrëveshjes së prillit të vitit 2013.

Në fakt, hartimi i këtij Statuti është obligim i Ekipit Menaxherial, i cili u ri-konfirmua si i tillë, nga Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Ramush Haradinaj, në muajin prill të vitit 2018-të. Po të respektohej afati kohor katër mujor për hartimin e këtij Statuti, qysh në muajin gusht të vitit 2018-të, do të përmbyllej disi kjo çështje. Por kjo nuk ka ndodhur.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për Trashëgiminë religjioze-kulturore serbe në Kosovë, temë kjo e cila gjeti veten edhe në Marrëveshjen e Washingtonit për Normalizimin ekonomik (në mes të Kosovës dhe Serbisë), të fillimit të muajit shtator, deri më tash së paku, kryeçështja, në adresimin e saj, kishte të bënte me zbatimin e obligimeve kushtetuese dhe ligjore nga pala kosovare, dhe jo në ndryshimin e saj.

Ky formulim (i zbatimit të obligimeve), zatën karakterizon Pikën e veçantë të Marrëveshjes së Washingtonit, të nënshkruar me 4 shtator në Zyren Ovale të Shtëpisë së Bardhë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nga Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.

Megjithatë, ka paralajmërime që edhe në trajtimin e kësaj teme, pala serbe do të synojë tejkalimin e kornizës ndërkombëtare dhe vendore të ruajtjes së Trashëgimisë religjioze dhe kulturore serbe, midis tjerash, edhe për shkak që Vučić dëshiron të arrijë një rezultat të qartë në avansimin e statusit dhe pozicionit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë  (të SPC-së), sepse SPC është aktualisht kundërshtari kryesor i çfarëdo Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të ndërtohej mbi cilëndo njohje të Kosovës  (njohjen formale apo atë de dakto, të ngjashme me Marrëveshjen themelore midis dy Gjermanive), e cila do ta mundësonte rrumbullakësimin e sovranitetit ndërkombëtarë të Kosovës, përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Për SPC-në Kosova nuk është shtet dhe askush në Beograd nuk duhet ta trajtojë Kosovën si shtet. 

Siç po shihet pra, as këtu, nuk mund të ketë një dakordim të lehtë në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, apo, edhe në këtë rast, do të ketë bisedime shumë të vështira në mes të dy Delegacioneve.

Nesër: Pa një bashkërenditje të mirëfilltë në mes të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, nuk mund të ketë Marrëveshje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.