Vettel në makinë me Szafnauer, shtohen zërat për një kalim te Racing Point - Gazeta Express
string(73) "vettel-ne-makine-me-szafnauer-shtohen-zerat-per-nje-kalim-te-racing-point"

Gazeta Express

07/08/2020 18:29

Vettel në makinë me Szafnauer, shtohen zërat për një kalim te Racing Point

Gazeta Express

07/08/2020 18:29

Shtohen zërat për një kalim të mundshëm të pilotit të mirënjohur gjerman Sebastian Vettel në radhët e ekipit Racing Point.

Katër herë kampioni i botës në Formula 1 nxiti akoma më shumë spekulimet mbi një kalim të mundshëm të tij vitin e ardhshëm te skuadra britanike Racing Point, teksa fundjavën e kaluar përshkoi rrugën e kthimit pas përfundimit të Çmimit të Madh të Britanisë pikërisht në makinën e bosit të këtij ekipi, 55-vjeçarit rumuno – amerikan Otmar Szafnauer.

Lexo Edhe:

Fotografi Zyrtar i Formulës 1 Mark Sutton rrëfeu pas garës së Silverstonit se kishte parë 33-vjeçarin gjerman në ndenjësen e pasagjerit, në Ferrarin e Szafnauer, por nuk mundi të shkrepte dot në kohë një fotografi, për të vërtetuar ngjarjen. Ky episod më pas u konfirmua edhe nga vetë Vettel, që në prag të Çmimit të Madh të 70-vjetorit të Formulës 1 shpjegoi se të dy udhëtuan së bashku drejt një pike karburanti. Piloti nga Heppenheimi konfirmoi se të dy mbanin maska dhe ai tha se Szafnauer përdorte një Ferrari të tipit Pista, një makinë të cilën e kishte porositur prej kohësh dhe bosi i ekipit Raicing Point më në fund e kishte një mjet të tillë.

Vettel u shpreh disi i indinjuar për spekulimet që ngriti një histori e tillë dhe piloti gjerman qartësoi se pas furnizimit me karburant rrugët e tyre u ndanë dhe kreu më i lartë i skuadrës britanike u drejtua për në shtëpinë e tij, ndërsa ai vetë kishte punë të tjera për të bërë. Seb, të cilit me mbarimin e sezonit aktual i përfundon kontrata me skuderinë e Ferrari-t, iu shmang pyetjes së gazetarëve në lidhje me hipotezën e një transferimi të mundshëm te Aston Martin, që do të jetë emri i ri i ekipit britanik Racing Point për vitin 2021.

Ai pranoi se ka shumë mundësi në dispozicion për të bërë zgjedhjen e duhur, duke marrë në konsideratë ndenjëset e zëna dhe vendet që janë bosh. Sebastian Vettel konfirmoi se është shumë i qetë me idenë që ka në mendje, duke lënë të kuptohet se tashmë piloti gjerman ka vendosur në lidhje me të ardhmen e tij, madje Seb shtoi se është i lumtur dhe nuk ndihet aspak nën presion, përkundrazi ai deklaroi se në momentin e duhur do ta publikojë vetë lajmin në lidhje me zgjedhjen e bërë.

Gjatë fundjavës së kaluar Vettel u pa të prekte bërrylin me përzemërsi, në formë përshëndetje me miliarderin kanadez Lawrence Stroll, që është babai i pilotit të ekipit Racing Point Lance Stroll, sidoqoftë piloti gjerman u mundua të hedhë poshtë çdo aludim, duke shpjeguar se ai përshëndetet në këtë mënyrë edhe me drejtues të tjerë të Formulës 1, si Toto Wolff apo Christian Horner dhe njerëz të tjerë të këtij sporti. Ekipi Racing Point duket si zgjedhja më e mirë e mundshme për pilotin nga Heppenheimi, por pilotët aktualë të kësaj skuadre kanë kontrata afatgjata, ndërsa te ekipi zyrtar i Mercedesit Valtteri Bottas rinovoi për një vit, ndërkohë kampioni në fuqi Lewis Hamilton duket se nuk ka asnjë alternativë tjetër, por të qëndrojë në timonin e makinës së famshme gjermane, që është me diferencë edhe mjeti më i shpejtë dhe më i besueshëm në qarkullim, në këtë sport.

Përsa u përket pjesëtarëve të ekipit Racing Point, kanadezi Lance Stroll është djali i bosit të skuadrës, ndërsa meksikani Sergio Perez vazhdon të mbështetet nga sponsor tepër të fuqishëm. Pavarësisht se meksikani rezultoi pozitiv me koronavirus dhe fundjavën e kaluar u zëvendësua nga gjermani Nico Hulkenberg, Perez pozicionohet në vendin e shtatë në klasifikimin e përgjithshëm në kuotën e 22 pikëve, me dy pikë më shumë sesa shoku i tij i ekipit Lance Stroll, që pozicionohet menjëherë një vend më poshtë, ndërsa Vettel në krahun tjetër në edicionin e sivjetshëm ka dështuar për t’u ngjitur deri në podium dhe pas katër garave të para të sezonit renditet i 13-i, me vetëm 10 pikë gjithsej.

Racing Point përdor motor Mercedes dhe deri tani është përfaqësuar shumë mirë, duke përfituar në maksimum nga shpejtësia e motorit gjerman, madje ekipi britanik me qendër pikërisht në Siverstone është pagëzuar si Mercedesi Rozë, për shkak të ngjyrës me të cilën janë bojatisur makinat e kësaj skuadre. Drejtuesit e ekipit Racing Point kanë pranuar se kanë kopjuar makinën Mercedes që fitoi edicionin e shkuar titullin botëror në sistemin e frenimit dhe për arsye të shkeljes së rregullores pas ankimimit të bërë nga skuadra Renault krerët e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit vendosën që ta gjobisin me një shumë prej 400.000 eurosh dhe t’i ulin ekipit britanik 15 pikë në klasifikimin e përgjithshëm të konstruktorëve. /ss/