I shpëtoi ferrit të ISIS-it, një ditë me Alvin Berishën në Qerret të Kavajës - Gazeta Express
string(75) "i-shpetoi-ferrit-te-isis-it-nje-dite-me-alvin-berishen-ne-qerret-te-kavajes"

I shpëtoi ferrit të ISIS-it, një ditë me Alvin Berishën në Qerret të Kavajës

Gazeta Express

06/07/2020 8:54

Gazeta “Fjala” udhëton drejt fshatit Qerret në Kavajë, aty ku 12-vjeçari Alvin Berisha rikthehet tek shtëpia e gjyshërve pas shumë vitesh. Çfarë thotë dhe përjeton Alvini në “botën e re”. Nga flakët e ferrit në kampin “Al-Hol”, pranë babait, që ta quash hero është pak. Rrëfimi i Afrim Berishës për udhëtimet e panumërta drejt Sirisë për të gjetur djalin e humbur, si dhe sfidat e hasura me gazetarin shqiptar të “Le Iene”, Taulant Kopliku, kur Alvini do të merrte krahët e lirisë prej kampit të luftës. Dashuria e pakushtëzuar e të afërmve, për t’ia lehtësuar mungesën e të ëmës, të vdekur nga shpërthimi i një predhe në Siri.

Nga Alessia Selimi

Lexo Edhe:

Një top prek rrjetën e një porte të improvizuar. Nuk është i zhurmshëm, sikundër predhat apo bombat e lëshuara në kampin “Al-Hol”, në Siri. Me një shkathtësi dhe inteligjencë teknike, Alvin Berisha shënon gol me këmbën paksa të çalë. Brohoret dhe i hidhet në qafë gjyshit, kundërshtarit të tij në lojë, por jo në jetë. Faqet e fryra i ngrihen më pranë syve dhe rreth gojës i shkaktohen vijëzime të holla nga e qeshura. Për këdo që nuk e njeh, dhëmbët e tij të mëdha dhe të dalë nuk flasin për të shkuarën, historinë e rrallë të një fëmije.

Alvin Berisha u rrëmbye në moshën 6-vjeçare nga e ëma, pasi kjo e fundit u tërhoq nga propaganda e imamëve të ndryshëm dhe ekstremistë të Shtetit Islamik. Ajo braktis familjen, bashkëshortin e dy vajzat, dhe busull orientimi për të u bë një rekrutues maqedonas, me të cilin ra në dashuri. Kështu, i mituri është pjesë e një aventure të frikshme, ku askush s’mund të dalë i fituar. Aq më pak Alvini, të cilin porsa e kishin shkëputur nga suaza e fëmijërisë dhe shpatullat e të atit. Megjithatë, qëllimi ishte i palëkundur. Djaloshi duhet të rritej me çdo kusht si luftëtar i grupit xhihadist. Nuk është film, as letërsi.

Në një ditë më se të zakonshme, më 1 dhjetor 2014, Valbona Berisha nuk u ndal me droje në pragun e shtëpisë. Dhe prej atij momenti, real, dramatik, familja Berisha u vendos fillimisht në qendër të kronikave italiane e më pas shqiptare. Lot! Thirrje! Lutje! Fatmirësisht, historia e trishtë dhe sureale përfundoi me fund të lumtur, ndonëse Valbona ndërroi jetë mes një terreni bombash e breshërie plumbash. I vogli iu rikthye përkujdesjes së gjyshërve dhe dashurisë së babait.

Mirëpo, kurioziteti vijon.Duket se, pavarësisht gjithçkaje, Alvin Berisha, i cili sot është 12 vjeç, evokon besim dhe shpresë.

Në shtëpinë e Alvinit

Gazeta “Fjala” ndodhet në fshatin Qerret, Kavajë. Alvini po rend pas një topi, me një buzëqeshje të dukshme në fytyrë. Ndërkohë, gjyshi, Beqir Berisha, luan rolin e portjerit. Ndodhen krah shtëpisë së tyre dykatëshe, në një tokë të gjelbërt, ku dy porta duket se janë sajuar aty për aty. I dallohet qartazi dëshira e të shijuarit çdo segment të fëmijërisë, dikur të rrëmbyer e hedhur në flakët e ferrit. Së bashku me të atin, Alvini mbërriti nga porti i Barit në Durrës në orët e para të së hënës së shkuar. Sot shënohen shtatë ditë, 168 orë që ky vogëlush rrethohet nga përqafimet e ndiera të të afërmve dhe shoqëria e bashkëmoshatarëve.

Por ai nuk e ka harruar mikun e tij të hershëm e të madh, me të cilin u njoh brenda kampit famëkeq “Al-Hol” në Siri. Paraprin familjarët kur këta të fundit i zgjasin duart dhe faqet gazetarit Taulant Kopliku; i afrohet shtatshkurtër, tashmë i shëndetshëm dhe duket se sy më sy flasin një gjuhë të tyren, të padekodueshme. Një e qeshur uniforme shpërthen, si të ish njëherazi opium, për t’iu larguar realitetit, dhjetorit të vitit 2014, kur u rrëmbye nga e ëma për të luftuar me ISIS-in (Shteti Islamik).

Në thjeshtësi, rrethuar me respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin, kështu jeton familja Berisha. Teksa ulemi në dhomën e ndenjies, që mban  jo më shumë se një minibar, tavolinë e set divanësh ngjyrë mjalti, vëmendja tërhiqet pashmangshmërisht nga një kornizë e vogël, brenda së cilës ndodhet një foto e Alvinit në moshën 4-vjeçare. I ati, Afrimi, na tregon se përkon me të njëjtën foto që figuron aktualisht në sistemin TIMS. Ndërkohë, sytë e nënës  së tij, të mëdha e bojëqielli, rrëmbushen.

Alvini ulet në krye të dhomës, pranë Taulantit. Nuk shqetësohet aspak nga prania e njerëzve. Për më tepër, nuk ngurron të artikulojë çiltërsisht dëshira si të shkuarit në plazh, apo të ngrënit për drekë speca të skuqur.

Rrëfimi i të atit; 5 vite në kërkim të djalit të humbur

Afrim Berisha pohon se shumëçka ka ndryshuar tek i biri me ardhjen në Shqipëri. Por përpara se të ndalet në regjimin e tij, Afrimi na tregon se si u bë i mundur udhëtimi i Alvinit.

“Im bir ka ikur bashkë me të ëmën në Siri, me pasaportë shqiptare. Kur ka mbërritur atje, sikundër të gjithëve, i është marrë dhe zhdukur pasaporta. Në momentin që u mor nga kampi dhe u soll në Itali, Alvini kishte vetëm një dokument shoqërimi. Kështu, kur vendosa të vij së bashku me të në Shqipëri, shkova në konsullatë për të marrë një leje kalimi”, thotë Afrimi.

Kur mbërritëm në portin e Durrësit, Alvini rezultonte në sistem ende në kërkim. Por kjo nuk u bë pengesë për kalimin tonë”, shton ai.

Buzëqesh lehtë kur kujton se si punonjësit e portit kërkonin fotografi me të birin, dhe të lë të mendosh se i ka të freskëta pamjet e aparateve telefonikë që drejtohen nga fytyra e Alvinit.

Megjithatë, bëhet serioz kur thotë se tashmë në krye të punëve të tij qëndron pajisja e Alvinit me një pasaportë shqiptare. “Do të merrem me këtë çështje, sapo të fillojë java”, shprehet ai i prerë.

Alvini zgjohej në Barzako, Itali rreth orës 16:00. Ndërsa nën çatinë ku po bashkëbisedojmë me të, rreth orës 09:00. Për sa i takon ushqimit, është i mbarë. Afrimi, megjithatë, thotë se e refuzon në mënyrë kategorike konsumimin e orizit. Me shumë gjasa, i afron pranë vetes burgun e ngritur në fushë të hapur në verilindje të Sirisë.

Duar të mpleksura dhe shikime të përhumbura. Dhimbja gëzon ende peshë, madje të rëndë kur i rikthehet udhëtimit të frikshëm për ta rimarrë Alvinin sërish në shtëpi, pranë dy motrave të tij më të mëdha.

“E ndieja trupin tim të tjetër kujt”, tregon Afrim Berisha. “Nuk më interesonte asgjë tjetër, përpos Alvinit. Mora parasysh gjithçka, kur më 1 janar 2015 shkela në Siri.”  Për të parën herë në jetë, Afrimi u mbyll brenda një qelie për 24 orë. Por, ai arriti të paguajë për lirinë e tij; i dha në dorë një luftëtari të ISIS-it dhe një luftëtari shqiptar 500 euro.  Afrimi nuk u dekurajua nga përballja me të tillë terroristë. U rikthye çdo vit në Siri, deri kur mbërriti në kampin e “Al-Hol”-it, ku Alvini ishte transferuar pas vdekjes të së ëmës gjatë luftimeve.

Ka kaluar shumë ky burrë”, ndërhyn Taulanti. “Në një moment të caktuar, i vendosën një armë në dorë dhe i kërkuan të luftonte në emër të Shtetit Islamik”, vijon ai me një të qeshur ironike.

Kaq mjafton që dy burrat të ndajnë kujtime të së shkuarës mes heshtjesh paksekondëshe, e mes tyre çastet jetë a vdekje kur Afrimi hiqej si përkthyes. “Kur jemi kthyer nga kampi prej Kurdistanit sirian në Kurdistanin irakian, Afrimi hiqej si përkthyes. Mirëpo, kampi kishte përçuar mesazhe në kufi se njëri prej nesh ishte i ati i Alvinit. Dhe nuk vonoi shumë kur na futën në një dhomë me shefin e shërbimeve sekrete”, kujton Taulanti.

Kur i pyet për ekzistencën e frikës, të dy shprehen njëzëri se gjithçka ishte marrë parasysh, për sa kohë rrezikohej jeta e Alvinit.

Mes tyre ekziston një miqësi e pastër, e ndërsjellë, dhe kjo nuk kuptohet vetëm nga sintonia e tyre në rrëfim, por edhe nga shakatë pa teklif. “Afrim, më dukesh në formë, mjaft simpatik”, i drejtohet Taulanti me theksin e një shkodrani që s’mund ta konceptojë kurrsesi jetën pa cikla humori.

Alvini nuk qëndron në një vend, i pëlqen të bashkohet me kushërirat në dhomën përballë, si dhe të marrë në dorë telefonin e tij, me të cilin komunikon shpesh me të afërmit që ndodhen në Itali.

Hera-herës i vjen pranë të atit, si për t’i rikujtuar se pasdite do të shkojë në plazh, për t’u larë me kamardare dhe për të ngrënë mish në zgarë që, sipas tij, një i ri në moshë e gatuan në mënyrë të shkëlqyer. Alvini ka uri, uri për jetën!

Është fëmijë i mirë, i urtë, nuk na shqetëson aspak”, shprehet gjyshja e Alvinit, si për të nënkuptuar se të tilla kërkesa i japin forcë, i rikthejnë buzëqeshjen e munguar.

I ulur në të majtën e saj, i shoqi nuk e ka të lehtë kur shikon të birin që përndiqet nga e kaluara. Nga ana tjetër, nuk ngurron ta shoqërojë në rrugëtimin pas në kohë.

Për pesë vite me radhë, në rrugën që shihni përballë shtëpisë, dilja mbrëmjeve të vona dhe mendoja për nipin, nëse kishte ngrënë apo fjetur siç duhet, nëse po keqtrajtohej, dhunohej e përdorej”, thotë Beqiri. “Për pesë vite me radhë, për të fjetur, pija dy pilula. Kur m’u komunikua ardhja e Alvinit në shtëpinë e tim biri në Itali, piva vetëm një pilulë. Sot, fle i qetë, pa kurrfarë ilaçesh”, vijon kryefamiljari i familjes Berisha.

Sakaq, Afrimi nuk na pohon të njëjtën gjë. “Ka net kur zgjohem i lemeritur dhe shoh në e kam pranë vetes tim bir. Vetëm kur bindem se po fle i paqtë, vetëm atëherë mund të më mbyllen sërish sytë”, shprehet ai teksa fërkon kokën me njërën dorë.

Asokohe kam blerë një shkallë të lartë, në mënyrë që të kaloja murin rreth katër metra të lartë. Po, po! Murin që më ndante nga shikimi i tim biri.” 

Alvini shfaqet sërish në dhomën e ndenjies. Ndërkohë, mbetet ende subjekt bashkësedimi. Veçse tregohet kujdes, maturi në të folur.

“E kemi prerë tri ditë para biletën për t’u kthyer në Shqipëri. Ky djaloshi këtu, të cilin e shihni kaq të urtë, ishte i paduruar, kërkonte të nisej në po atë çast që ia komunikuam”, thotë Afrimi duke iu referuar Alvinit.

“Të tillë e kam njohur edhe në kamp. Këmbëngulës!”, shprehet Taulanti duke qeshur. “Kur i premtova se do ta nxirrnim nga ai vend, ku ndëshkimet shkonin nga goditja me kamzhik, deri te gjymtimet, më kërkoi ta mbaja fjalën në çast”, vijon ai zëulët, si për ta dëgjuar vetëm ne, të rriturit, të parrahurit me kushte çnjerëzore.

“Ka një dashuri të pamatë për Shqipërinë. Nuk dëshiron të rikthehet në Itali. Madje, në shenjë revolte, ka “hequr” dorë edhe nga gjuha e vendit fqinj, ndonëse është i detyruar t’i bëjë detyrat shkollore. Tërë kohës flet shqip”, thotë Afrimi.

Ky burrë i sprovuar, figuron i papunë. Nuk e pret askush në Itali. Megjithatë, e ka marrë shtruar. “Kam planifikuar të qëndroj në shtëpinë e prindërve deri në gusht. Më tej, duke parë, e duke bërë. Afrimi do të vazhdojë shkollën, ndërkohë unë do të rifilloj kërkimet për një vend pune”, shprehet ai.

“O kampion, i ke bërë detyrat?”- i drejtohet Taulanti Alvinit. “Sot jo, isha duke luajtur futboll me gjyshin”, i përgjigjet 12-vjeçari me pafajësinë e moshës.

Gazetari e shoqëron me sy Alvinin kur ikën për të disatën herë nga dhoma e ndenjies, dhe vë re se ecën shumë më mirë se nga takimi i fundit me të. “Është një tjetër djalë ky që po shoh unë. Nuk duket se është plagosur nga shpërthimi i një predhe në makinë, ku udhëtonte së bashku me të ëmën dhe bashkëshortin e saj të ri. Çalon shumë pak, por, pa dyshim, që qenka rekuperuar nga ndërhyrja kirurgjikale. Më bëhet shumë qejfi”, i thotë ai familjes Berisha.

Gjyshërit e Alvinit janë ulur në divanin ngjeshur një muri të plasaritur. Menjëherë identifikohet si një dëshmi e tërmetit katastrofik që nisi në orën 03:54 minuta të martën e 26 nëntorit. Dhe kështu në mënyrë krejt të natyrshme nis biseda për pasojat që solli kjo tronditje, për viktimat, të plagosurit dhe mijëra banesat e shkatërruara.

Ata pohojnë se përpos disa objekteve të thyera dhe krisjes së murit që fshihet deri diku nga gjerësia dhe lartësia e divanit, shtëpia i ka rezistuar tërmetit në mënyrë të paparashikuar.

Ne ishim në Itali në momentin kur Shqipëria u prek nga tërmeti i 26 nëntorit. Kishim udhëtuar për Alvinin. Tërmeti përkoi me ardhjen e tij nga kampi “Al-Hol” në Itali. Ende nuk ishim çmallur me të, kur u njoftuam se një lëkundje e fuqishme sizmike kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme. Me frikën se një tjetër ngjarje e trishtë do prekte familjen tonë, se e jona çati ishte shembur, donim të udhëtonim me çdo kusht”, tregon gjyshja e Alvinit.

Ndërkohë i shoqi shton se i biri, Afrimi, nuk i lejoi të merrnin avionin drejt Shqipërisë.

Dua të shkoj te gjyshi! Bab…m’ço te gjyshi”, kështu u shpreh vogëlushi kur u takua me të atin në kamp, falë emisionit investigativ italian “Le Iene”, që pati mëshirë për dëshpërimin e Afrim Berishës.

Dhe rezulton se Alvini gëzon me të vërtetë një lidhje të ngushtë me gjyshin. Jo më kot është i përzgjedhuri i tij në çdo lojë. Për të, ky burrë në moshë shndërrohet në lojtar futbolli, basketbolli, mundjeje, si dhe në notar.

Shpëtimi i Alvinit, kur gazetarët mundën shtetin

Afrimi nuk flet për ish bashkëshorten në asnjë çast, dhe askush nuk guxon të hapë një bisedë lidhur me të. Duket se e para dhe e fundit herë kur ka vendosur të flasë për ish të shoqen, e cila ia degdisi djalin në kampet e ISIS-it për ta kthyer në luftëtar, ka qenë për “Le Iene”, gjithmonë me shpresën se do të ndihmonte në investigimet e gazetarëve.

Kështu ndodhi! Pas disa muajsh kërkime, Afrimi mori një letër nga i vogli i tij, ku i shprehte mallin dhe dëshirën për t’u kthyer në shtëpi.

Ç’kemi baba! Si je? Jam unë, djali jot. Më mungon baba. Më merr me vete në shtëpi, të lutem, më mungon shumë”, shkruhej në letrën që u bë edhe më shumë shtysë për Afrimin dhe stafin e emisionit italian për t’u nisur në Siri.

Mes mijëra personave të kequshqyer, plagosur, të paveshur e palarë, Alvini gjendet nga identifikimi i tipareve e shenjave në trup, dhe merret në krah nga një gazetar italian, i cili e dërgon tek i ati i përmallur për të tijën erë, fytyrë e trup.

Pas shtatë përpjekjeve të dështuara, atë takim, se si u ktheva duarbosh nga kampi në Itali, me një përqafim që i jepte kohës tjetër nocion, e kam përpara syve”, thotë Afrimi teksa përlotet. E merr pranë vetes, dhe i puth qafën, ashtu hundëzhytur.

Që Alvini t’i rikthehej një jete normale, nuk ishte e lehtë.

Mos ki frikë, nuk të lë vetëm”, i tha Afrimi vogëlushit të tij duke e ditur fare mirë se po e linte sërish mes bombave dhe molotovëve, dhe se po konsumoheshin pa rezultat të gjitha mënyrat për ta marrë 12-vjeçarin nga kampi.

Imagjinoni, 70 mijë persona në të njëjtën situatë, në një kamp të mbyllur, shumë nga të cilët pjesë e batalioneve femërore të ISIS. Nëse hyni në kronologjinë e lajmeve nga “Al-Hol”, do të gjeni thuajse çdo javë lajme kronike për vrasje me thika apo djegie tendash.

E megjithatë, përpos  gjithçkaje, ndërhyrjes së munguar të autoriteteve shqiptare, Alvini iu largua luftës dhe territ në Siri.

Operacioni i tij i shpëtimit u mor përsipër nga Gjysmë Hëna dhe Kryqi i Kuq, me udhëheqjen e vendit fqinj, Itali.

Shteti shqiptar nuk u pa asgjëkundi. Në dalje televizive, kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, këmbëngulnin se çështja ishte shumë e komplikuar dhe se Siria nuk kishte një “kokë” me të cilin mund të negocionin. Për më tepër, Romina Kuko, zëvendësministrja e Brendshme, hodhi idenë në një emision televiziv se ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Gent Gazheli, mund të merrej peng. Në atë periudhë, gazetari i “Le Iene” u lidh me të, por, siç u transmetua përmes pamjeve filmike, nuk u realizua dot as edhe një telefonatë në të mirë të Alvinit. Dhe jo më larg se tri ditë pas publikimit të emisionit italian, Gent Gazheli dha dorëheqjen.

Tororisjet e këtij lloji, nuk janë harruar nga familja Berisha. “Gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene”, përfshirë këtu mikun tonë, Taulant Kopliku, kanë bërë atë që nuk mundi dot të bënte shteti ynë. Ata ngritën një botë të tërë në këmbë. Italia, ky vend aq i afërt dhe i largët nga ne, u angazhua për jetën e tim nipi vetëm sajë tyre”, thotë gjyshi i Alvinit.

“Le të mos merremi shumë gjatë me rolet dhe meritat në shpëtimin e vogëlushit tonë kampion”, ndërhyn Taulanti. “Unë di të them që ka pasur një super angazhim nga qeveria italiane dhe personat e specializuar për operacione të atij lloji. Të tjerat pastaj janë copëza pasuruese.” 

Afrimi mban mend çdo fjalë që i thoshte të birit gjatë operacionit të shpëtimit, teksa qëndronte me urdhër të policisë italiane në një dhomë hoteli në Romë. Sikurse mban mend edhe sekuencat e filmuara nga autoritetet përkatëse, që marrin jetë nga momenti kur Alvini u rrëmbye në kamp nga forcat speciale italiane.

Ndonjëherë them se edhe një projekt kinematografik nuk mund ta konkurrojë historinë e jetës së vogëlushit tim”, thotë Afrimi duke pohuar më tej se nuk e kishte përsëritur kurrë kaq herë më parë një fjali si: Mos ki frikë!

Një leksion jete nga Alvini

Nxënësi më i njohur i Sokratit dhe ndoshta më i devotshmi ndaj mësimdhënieve të tij, Platoni, e ka përshkruar njeriun me mendje egoiste, e cila, sipas tij, e drejton atë në bazë të dëshirave dhe qëllimeve personale.

Megjithatë, pyetja e kryefamiljarit Berisha drejtuar Taulantit, se “çfarë po bëhet me fëmijët e tjerë?”, të bën të mendosh shumë për këtë arsyetim.

Në kampin “Al-Hol” në Siri që kontrollohet nga forcat ushtarake kurde, jetojnë rreth 80 shtetas shqiptarë, mes tyre 27 të mitur.

Besoj se do të kishim pasur ndonjë zhvillim, sikur të mos ndodhte tërmeti i 26 nëntorit. E si për t’u mos mjaftuar me kaq, e gjithë bota u prek nga pandemia COVID-19. Pra, dy situata jo të lehta, jashtë çdo parashikimi, në një hark të shkurtër kohor, kontribuan në harresë”, përgjigjet Taulanti me një keqardhje lehtësisht të lexueshme në fytyrë.

Por Alvini nuk e harron dot shoqen e tij Eva, të bijën e Mide Dumanit. Në shkurt të vitit 2014, burri i saj, me autorizim të rremë, dërgoi në Siri jo vetëm Evën, por edhe djalin me emrin Endri.

Afrimi tregon se Alvini ia përmend shpesh, teksa luajnë apo përpiqen të flasin për ëndrrat dhe dëshirat.

Ndërkohë që ankthi i tij mbaroi në momentin kur i biri iu hodh në qafë në aeroportin Fiumicino të Romës,  ai i familjarëve të tjerë, me të njëjtin fat, merr të tjera përmasa, masive, deri në mpirje.

Historia e Alvinit me një nënë xhihadiste dhe një baba të palodhur për ta rimarrë në mbrojtje, tronditi thellësisht opinionin publik, dhe prodhoi gjithashtu kërkesën e kuptueshme për një operacion riatdhesimi. Por kjo kërkesë veçse po shtrihet në vite. Dhe për familjarët e fëmijëve të ekspozuar ndaj vdekjes, vitet përkthehen në shekuj, dekada.

Ishte i pamundur konsumimi i pijeve të shtruara mbi tavolinë. Rrafshimi i kurbës së emocioneve, me ulje e ngritje, nuk qe i mundur për asnjërin prej nesh, të priturit e familjes Berisha. Për më tepër, erdhi ora të largoheshim.

Teksa i drejtohemi dyerve, m’u krijua përshtypja se së bashku me Taulantin po vrisja mendjen se si do të ishte shtrëngimi i duarve, se cilat do të ishin fjalët e fundit. Nuk është e lehtë të lësh pas një familje si ajo e Alvin Berishës, me një trup plot vraga.

Duket se, kryefamiljari e kupton këtë gjë. Më orienton drejt fushës së gjelbërt, ku para 60 minutave po luante me nipin, dhe më tregon kosheret e tij të bletëve. “Më beson kur të them se prej tyre kam arritur të përftoj rreth 100 kilogramë mjaltë? U bënë disa vite që po bëjnë jo më shumë se 14 kilogramë”, thotë gjyshi i Alvinit, i fokusuar drejt tyre. “Megjithatë, e kam të qartë. Edhe bletët kërkojnë dashuri”, shton ai buzagaz, teksa lë të nënkuptojmë se prioriteti i mendimeve dhe zemrës ka qenë veçse djaloshi 12-vjeçar.

Jo shumë larg nesh, Afrimi i drejtohet Taulantit me dy shishe raki të bëra vetë. “Njëra i takon mikut tënd, gazetarit italian, Luigi Pelazza”, i thotë i ngazëllyer. Këmbët po merrnin udhën e tyre.

Ndërkohë, shikimi i gjyshes së Alvinit, mbeti i firuar, pavarësisht të qeshurave, batutave dhe lumturisë së përbashkët.

Ndryshe nga ajo, djaloshi i familjes Berisha po i turret erës së barit të lagur nga stuhia e erës dhe rrezeve të diellit. Me fytyrën e tij të qeshur, rimerr topin në duar dhe me një dorë të ngritur në ajër, na përshëndet.

Kështu, na ofron një leksion jete.