77-vjeçari i arrestuar në Serbi, Tahiri thirrje institucioneve vendore e ambasadave: Të lirohet, ka shëndet të brishtë - Gazeta Express
string(115) "77-vjecari-i-arrestuar-ne-serbi-tahiri-thirrje-institucioneve-vendore-e-ambasadave-te-lirohet-ka-shendet-te-brishte"

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 14:20

77-vjeçari i arrestuar në Serbi, Tahiri thirrje institucioneve vendore e ambasadave: Të lirohet, ka shëndet të brishtë

Lajme

Gazeta Express

25/11/2025 14:20

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka bërë thirrje publike Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, me mbështetje të Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadës së SHBA-ve, për lirimin e shtetasit të Kosovës nga Podujeva, 77 vjeçarit, Hazir Haziri – Zogu, i cili po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në burg.

Tahiri ka thënë edhe se, Haziri po mbahet i burgosur me akuza të pabazuar për ‘’krime lufte’’, dhe se, burgosja e tij është i padrejtë, me motive politike dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

‘’ Sipas Marrëveshjes të vitit 2015, rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës, prandaj kërkojmë urgjentisht lirimin e tij ose transferimin e rastit në Kosovë’’, thuhet nga Tahiri mes tjerash.

Postimi:

KËRKESË PËR VEPRIM URGJENT INSTITUCIONAL

Po kërkoj publikisht angazhimin e menjëhershëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë, me mbështetje të Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadës së SHBA-ve, për lirimin e shtetasit të Kosovës nga Podujeva, Hazir Haziri – Zogu, 77 vjeçar, i cili tashmë 78 ditë po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në burg, nën akuza të pabazuara për “krime lufte”.

E njoh personalisht Hazir Hazirin, është mik i prindëve të mi, një qytetar i urtë i Podujevës, familjar, pa të kaluar kriminale, me kulturë të lartë dhe me shëndet të brishtë. Ky burgim i zgjatur është i padrejtë, ka motive politike dhe në kundërshtim të hapur me të drejtat elementare të njeriut.

Vazhdimi i mbajtjes së tij paraqet rrezik real për shëndetin dhe jetën e tij.

Sipas Marrëveshjes të vitit 2015, rastet e dyshuara për krime lufte ndaj shtetasve të Kosovës duhet të trajtohen nga gjykatat e Kosovës, prandaj kërkojmë urgjentisht lirimin e tij ose transferimin e rastit në Kosovë.

Familja e tij po kalon ditë të padurueshme pasigurie, frike dhe dhimbjeje. Çdo ditë që kalon është e rëndë dhe e padrejtë.

Institucionet tona, partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë e Kosovës, veproni TANI. Mos heshtni. Mos prisni. Ky është test i humanizmit, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.