730 ditë pune dhe 18 milionë euro për bulevard – Alban Hyseni synon ta kapë edhe një mandat me projektin që e quan “bombë” - Gazeta Express
string(120) "730-dite-pune-dhe-18-milione-euro-per-bulevard-alban-hyseni-synon-ta-fitoje-edhe-nje-mandat-me-projektin-qe-e-quan-bombe"

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 14:59

730 ditë pune dhe 18 milionë euro për bulevard – Alban Hyseni synon ta kapë edhe një mandat me projektin që e quan “bombë”

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 14:59

Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon të jetë edhe më tej kryetar i Gjilanit. Në fund të mandatit të tij të parë, ai po nis një projekt 18 milionë eurosh për ndërtimin e një bulevardi në qytet.

Sot është data e planifikuar për nënshkrimin e kontratës, ndërsa punimet pritet të nisin pas pesë ditësh.

Hyseni po përpiqet ta shfrytëzojë projektin më të madh urban në qytet si një instrument në fushatën zgjedhore që jozyrtarisht ka nisur tashmë.

Komuna e Gjilanit do ta nënshkruajë kontratën me vlerë prej 17,988,000 eurosh për ndërtimin e bulevardit. Fitues i tenderit është shpallur grupi i operatorëve “B-Bardhi” dhe “Besa Company”, të cilët do t’i realizojnë të gjitha fazat e projektit pa nënkontraktim të mëtejshëm.

Tenderi, i publikuar në platformën e E-prokurimit, sipas dokumentacionit, kishte marrë oferta më të ulëta nga disa kompani të tjera, por Komuna ka vendosur t’ia japë kontratën këtij grupi operatorësh. Procedura kishte kaluar edhe për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas ankesave nga kompanitë “Pro & Co Group” dhe “Ileaa-Gr”, të cilat pretendonin shkelje dhe diskriminim gjatë tenderimit. OSHP vendosi se ankesa ishte pjesërisht e bazuar, por jo e mjaftueshme për ta ndryshuar vendimin e komunës.

Punimet që pritet të fillojnë brenda pesë ditësh planifikohet të përfundojnë brenda 730 ditëve (2 vjet).

Ky projekt i madh vjen në një vit zgjedhor, ndërkohë që Hyseni duket se e sheh element të rëndësishëm politik përdorimin e kësaj për ta nxitur mbështetjen ndaj tij për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kritikat ndaj tij kanë qenë të shumta. Ka pasur pretendime se tenderi favorizonte grupin fitues dhe jo operatorët që kishin ofruar çmime më të ulëta.

Hyseni të martën publikoi në rrjetet sociale pamje të animuara të projektit të bulevardit, duke ua prezantuar qytetarëve vizualizimin e punimeve të ardhshme. Një bombë dhe tri pika ishin përshkrimi në postim.