Këshilli i Ministrave të qeverisë Rama ka miratuar një fond shtesë prej 150 mln lekësh të reja, për projektin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
Sipas vendimit, në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë vit do të shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për projektin “Rishikimi i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”, me vlerë të plotë të parashikuar 750 000 000 (shtatëqind e pesëdhjetë milionë) lekë.
VENDIMI:
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin buxhetor “Transporti rrugor” 04520, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” i shtohet fondi prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për projektin “Rishikimi i studimit të fizibilitetit dhe hartimi i projektit të detajuar inxhinierik “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë””, me vlerë të plotë të parashikuar 750 000 000 (shtatëqind e pesëdhjetë milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.