6 gazetarë/e të RTK'së thonë se janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve: Kemi marrë paralajmërime sa herë kemi intervistuar të ftuar nga pushteti - Gazeta Express
string(146) "6-gazetare-e-te-rtkse-thone-se-jane-perjashtuar-nga-moderimi-i-emisioneve-kemi-marre-paralajmerime-sa-here-kemi-intervistuar-te-ftuar-nga-pushteti"

Lajme

Gazeta Express

25/08/2025 17:56

6 gazetarë/e të RTK’së thonë se janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve: Kemi marrë paralajmërime sa herë kemi intervistuar të ftuar nga pushteti

Lajme

Gazeta Express

25/08/2025 17:56

Gjashtë gazetarë e gazetare të RTK’së, kanë reaguar publikisht duke thënë se u është ndaluar moderimi i emisioneve. Ata kanë thënë se kanë kërkuar takim me menaxhmetin e RTK’së por nuk kanë marrë përgjigje.

Gazetarët që kanë reaguar janë Blerta Foniqi – Kabashi, Meneta Zekaj – Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi e Valon Bajrami.

“Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje.”

Ajo ka thënë se kanë marrë paralajmërime për heqje të magazinave informative nga skema programore sa herë që kanë pasur intervista me të ftuar nga pushteti dhe ata kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.

“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.”

Kabashi ka thënë se skema programore mund të ndryshohet vetëm nga bordi dhe RTK aktualisht nuk ka bord funksional.

“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional.”

“Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur. Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik. Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend. Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale.”