NASA do të humbasë kontaktin me astronautët për rreth 40 minuta, ndërsa anija e tyre kalon pas Hënës – një nga momentet më tensionuese të gjithë misionit.
Ekuipazhi i misionit Artemis II ndodhet në fazën përfundimtare të afrimit me Hënën, përpara një fluturimi rreth saj që pritet të thyejë rekordin për distancën më të madhe që njerëzit kanë udhëtuar ndonjëherë nga Toka.
Gjatë këtij misioni, astronautët po realizojnë foto dhe video të Hënës, si dhe po regjistrojnë vëzhgime shkencore. Por për 40 minuta, sipërfaqja e Hënës do të bllokojë sinjalet radio, duke ndërprerë çdo komunikim me Tokën.

Kjo do të krijojë një “blackout” komunikimi – një periudhë gjatë së cilës ekuipazhi nuk mund të kërkojë ndihmë nëse ndodh ndonjë problem.
Piloti i misionit, Victor Glover, e ka përshkruar këtë moment si një mundësi reflektimi: një kohë për të shpresuar dhe besuar se gjithçka do të shkojë mirë deri në rikthimin e kontaktit.
Ky udhëtim prej rreth 1.1 milion kilometrash vajtje-ardhje është misioni i parë që dërgon njerëz drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh. Kapsula Orion ndodhet aktualisht rreth 51 mijë kilometra larg sipërfaqes hënore.
Misioni pritet të thyejë rekordin e vendosur nga Apollo 13 në vitin 1970, duke arritur një distancë maksimale prej mbi 406 mijë kilometrash nga Toka.
Gjatë fluturimit, ekuipazhi do të kalojë rreth shtatë orë duke vëzhguar Hënën, duke parë nga afër si anën e dukshme, ashtu edhe atë të padukshme. Për shkak të hapësirës së kufizuar, astronautët do të ndahen në grupe për të kryer vëzhgimet me radhë.
Momenti më kritik pritet kur kapsula të kalojë pas Hënës dhe komunikimi të ndërpritet plotësisht. Pikërisht në këtë fazë, astronautët do të jenë më afër Hënës se kurrë gjatë misionit.


Megjithatë, drejtuesit e misionit janë të sigurt se gjithçka është nën kontroll. Ata theksojnë se kapsula nuk do të përdorë motorë për t’u kthyer, por do të mbështetet në gravitetin e Hënës për t’u rikthyer drejt Tokës.
Pas rreth 40 minutash, pritet që komunikimi të rikthehet dhe misioni të vazhdojë normalisht. Më pas, ekuipazhi do të vazhdojë vëzhgimet dhe do të dërgojë të dhëna dhe imazhe në Tokë.
Misioni deri tani ka ecur kryesisht pa probleme, përveç disa çështjeve teknike të vogla që tashmë janë zgjidhur.
Pas përfundimit të fluturimit rreth Hënës, kapsula do të nisë kthimin drejt Tokës, një udhëtim që do të zgjasë rreth katër ditë. Gjatë kësaj kohe, astronautët do të kryejnë teste të rëndësishme sigurie, përfshirë mbrojtjen nga rrezatimi diellor.
Në fazën finale, kapsula do të hyjë në atmosferë me shpejtësi shumë të lartë dhe do të ulet në Oqeanin Paqësor.
Ky mision synon të hapë rrugën për një ulje të re në Hënë në vitin 2028 – që do të ishte hera e parë që njerëzit rikthehen në sipërfaqen hënore që nga viti 1972. /GazetaExpress/