300 shkrimtarë nga Franca, kanë publikuar një letër të hapur në gazetën franceze Liberation, duke kërkuar sanksione ndaj Izraelit për “gjenocidin në Gaza”.
Me titullin: Nuk mund të kënaqemi me fjalën tmerr; sot duhet të emërtojmë “gjenocidin” në Gaza”, letra është nënshkruar nga 300 autorë, përfshirë Alice Zeniter, Leila Slimani, JMG Le Clezio, Virginie Despentes dhe Mohamed Mbougar Sarr.
Në letrën, pjesë e së cilës është publikuar edhe në The Guardian, shkrimtarët kërkojnë gjithashtu një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e pengjeve të mbetura izraelite të mbajtura në robëri nga Hamas (mendohet të jenë 58).
Më poshtë gjeni një pjesë të letrës së publikuar:
Që kur Izraeli shkatërroi një armëpushim që ishte parashikuar të çonte në mbarimin e luftës dhe lirimin e pengjeve, sulmi ndaj Gazës është rifilluar me një brutalitet të shtuar.
Tani, deklaratat e përsëritura publike nga figura të larta si ministrat izraelitë Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir shprehin hapur qëllime gjenocidale.
Termi “gjenocid” për të përshkruar atë që po ndodh në Gaza nuk është më një çështje diskutimi për shumë juristë ndërkombëtarë dhe organizata të të drejtave të njeriut: Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (FIDH), Amnesty International, Mjekët Pa Kufij, Human Rights Ëatch, Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, raportuesit e OKB-së dhe shumë specialistë dhe historianë të tjerë…
Përgjegjësia jonë kolektive është angazhuar. Ne, shkrimtarët që flasim frëngjisht, kemi pritur shumë gjatë për të folur me një zë të vetëm. Disa prej nesh tashmë kanë firmosur opinione dhe peticione, kanë shkruar, votuar dhe protestuar. Sot, ne flasim në emër të profesionit tonë – për të folur për veten tonë.