30 milionë euro për bomberin kosovar? Bayern mendon seriozisht për Asllanin - Gazeta Express
string(74) "30-milione-euro-per-bomberin-kosovar-bayern-mendon-seriozisht-per-asllanin"

Sport

Gazeta Express

19/02/2026 16:13

30 milionë euro për bomberin kosovar? Bayern mendon seriozisht për Asllanin

Sport

Gazeta Express

19/02/2026 16:13

Bayern Munich nuk e ka hequr nga lista e dëshirave emrin e Fisnik Asllani, pavarësisht raportimeve të mëhershme që sugjeronin të kundërtën. Sipas raportimit të fundit nga Sport Bild, sulmuesi kosovar vazhdon të konsiderohet një opsion serioz për repartin ofensiv të bavarezëve.

Vetëm pak ditë më parë, Kicker kishte raportuar se drejtuesit e klubit gjerman kishin dyshime për përshtatshmërinë e 23-vjeçarit me stilin sulmues të trajnerit Vincent Kompany, duke e cilësuar atë si jo mjaftueshëm të shpejtë për kërkesat taktike. Megjithatë, raporti i ri tregon se bordi i Bayernit e sheh Asllanin si kandidatin ideal për të qenë zëvendësuesi kryesor i sulmuesit titullar, Harry Kane.

Aktualisht pjesë e TSG Hoffenheim, Asllani ka kontratë deri në qershor 2029 dhe mund të largohet përmes një klauzole lirimi prej 30 milionë eurosh, një shumë që konsiderohet e përballueshme për Bayernin, sidomos në një periudhë ku klubi synon të mbajë nën kontroll shpenzimet në afatet kalimtare.

Sulmuesi është produkt i akademisë së Union Berlin dhe ka kaluar nëpër huazime te Austria Vienna dhe SV Elversberg përpara se të fitonte vend në formacionin e parë të Hoffenheimit. Këtë sezon ai ka regjistruar 23 paraqitje zyrtare, me 8 gola dhe 7 asistime, duke tërhequr vëmendjen e një prej klubeve më të mëdha në Evropë.

Mbetet të shihet nëse interesi do të konkretizohet me ofertë zyrtare, por është e qartë se emri i Fisnik Asllanit vazhdon të qarkullojë seriozisht në zyrat e kampionëve gjermanë. /GazetaExpress

Advertisement
Advertisement
Advertisement