Një ekspert i kopshtarisë ka ndarë tri bimë të brendshme që besohet se ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjumit, pasi mund të vazhdojnë të çlirojnë oksigjen edhe gjatë natës.
Për ta nisur ditën plot energji, një gjumë i mirë është thelbësor. Sipas rekomandimeve të National Health Service (NHS), të rriturit duhet të synojnë rreth shtatë deri në nëntë orë gjumë çdo natë, megjithëse kjo mund të ndryshojë nga personi në person.
Megjithatë, arritja e një gjumi të qetë nuk është gjithmonë e lehtë. Stresi në punë, ankthi apo edhe mënyra si është organizuar dhoma e gjumit mund të ndikojnë në cilësinë e pushimit. Nëse netët pa gjumë janë bërë të shpeshta, një ekspert në TikTok sugjeron një zgjidhje natyrale: bimët e brendshme.
Michael, i njohur në rrjetet sociale si The Mediterranean Gardener, ka përmendur tri bimë që mendohet se përmirësojnë cilësinë e gjumit duke ndihmuar në pastrimin e ajrit në ambientet e brendshme.
Ai shpjegon se disa bimë mund të vazhdojnë të çlirojnë oksigjen edhe gjatë natës, gjë që i bën ato të përshtatshme për t’u vendosur në dhomën e gjumit. Zakonisht bimët thithin dioksid karboni dhe prodhojnë oksigjen gjatë ditës përmes fotosintezës, ndërsa natën ky proces ndalon dhe shumica e bimëve lëshojnë vetëm dioksid karboni. Megjithatë, disa specie sillen ndryshe dhe mund të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e ajrit.
1. Snake Plant (Sansevieria)
Snake Plant është një nga bimët më të njohura për ambientet e brendshme. Përveç pamjes së saj karakteristike, ajo ofron edhe disa përfitime praktike.
Sipas ekspertëve të Easy Plant, kjo bimë mund të ndihmojë në reduktimin e alergjenëve duke çliruar oksigjen dhe lagështi në ajër, çka mund të zvogëlojë efektet e pluhurit dhe grimcave të tjera irrituese.
Një tjetër avantazh është se kjo bimë është shumë rezistente dhe kërkon pak kujdes. Ajo mund të përballojë periudha të gjata pa ujitje dhe është ideale për ata që nuk kanë shumë kohë për mirëmbajtjen e bimëve.
2. Orkidea
Orchid është një bimë elegante që gjendet në shumë ngjyra dhe i shton sofistikim çdo ambienti. Përveç bukurisë së saj, kjo bimë ndihmon edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Ekspertët e Plantura theksojnë se orkideja mund të ndihmojë në largimin e disa substancave kimike nga ajri, si ksilen, toluen dhe formaldehid, duke kontribuar në një ambient më të shëndetshëm brenda shtëpisë.
Sipas Michael-it, kjo bimë e bukur me lule mund të ndihmojë në oksigjenimin e ajrit në dhomën e gjumit gjatë natës.
3. Areca Palm
Areca Palm, e njohur gjithashtu si palma e artë, palma flutur ose palma e verdhë, është një tjetër zgjedhje e mirë për ambientet e brendshme.
Kjo bimë u përfshi edhe në një studim të NASA mbi bimët që ndihmojnë në pastrimin e ajrit dhe u rendit ndër më efektivet në shpërbërjen e komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs), të cilat gjenden shpesh në shtëpitë moderne.
Me gjethet e saj të gjata dhe pamjen tropikale, Areca Palm preferon dritë indirekte dhe një spërkatje të lehtë me ujë disa herë në javë, duke e bërë një shtesë dekorative dhe funksionale për çdo shtëpi. /GazetaExpress/