Liberalizimi i vizave për Kosovën, i cili hyri në fuqi në ditën e parë të vitit që po e lëmë pas, shënoi fundin e izolimit disa dekadash për qytetarët e saj.
Tani ata trajtohen njësoj si qytetarët e tjerë të rajonit, të cilët prej kohësh kishin harruar pritjet e gjata para ambasadave evropiane.
Vetëm disa javë pas kësaj ngjarjeje, Kosovës iu hapën dyert për forcimin e shtetësisë së saj, duke u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Mirëpo, entuziazmi për miratimin me shumicë dërmuese në
Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në muajin prill u venit shpejt.
Një muaj më vonë, Komiteti i Ministrave i kësaj organizate vendosi të bëjë përjashtim nga praktikat e zakonshme kur kryesisht zbatohet vullneti i Asamblesë.
Kosovës iu kërkua dorëzimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese. Refuzimi i Prishtinës bëri që Kosova të mos përfshihet në agjendën e takimit të ministrave, duke humbur kështu një mundësi historike.
Viti 2024 u pagëzua si viti i “super-zgjedhjeve”: krahas SHBA-së, zgjedhje u mbajtën edhe në Bashkimin Evropian, ku mbi 400 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Edhe pse pritej një “tërmet politik” me rritjen e partive te ekstremit te djathë, partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të djathtë arritën të mbajnë shumicën në Parlamentin Evropian.
Postet kryesore në institucionet e BE-së tani drejtohen nga fytyra të reja, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar. Kosova dhe vendet e tjera të
Ballkanit Perëndimor tani do të trajtohen nga Kaja Kallas nga Estonia, shefe e re e diplomacisë evropiane, dhe Marta Kos nga Sllovenia, komisionare për zgjerim.
Në NATO, ndryshimet ishin po ashtu domethënëse. Mark Rutte, ish-kryeministër i Holandës, u emërua në krye të organizatës, duke zëvendësuar Jens Stoltenbergun pas një dekade udhëheqjeje të suksesshme.
Procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë mbeti në stagnim. Ftesa për një takim në qershor mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë nuk dha rezultat, pasi kryeministri i Kosovës refuzoi një takim kokë më kokë.
Dialogu përfundoi në gjendje që përshkruhet si “klinikisht i vdekur”. Gjatë vitit, disa takime mes kryenegociatorëve u mbajtën pa arritur rezultate të prekshme. Takimi i fundit i vitit 2024, megjithatë, solli një përparim modest: Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e deklaratës për të pagjeturit, të miratuar në nivel liderësh në vitin 2023.
Rezultatet e zgjedhjeve evropiane sollën ndryshime të ndjeshme në skenën diplomatike. Politikanë nga shtetet baltike, të njohura për qasjen e tyre të ashpër ndaj ndikimit rus, morën përsipër proceset e lidhura me Kosovën dhe dialogun.
Funksionarët nga shtetet mosnjohëse u larguan nga skena, ndërsa Miroslav Lajçak mbeti figura e fundit nga struktura e vjetër. Ai vazhdoi komunikimin me publikun përmes rrjeteve sociale ndërsa në janar 2025, pritet të largohet nga posti i emisarit për dialog.
Pavarësisht mungesës së takimeve të nivelit të lartë dhe stagnimit të procesit, presioni ndaj Kosovës për zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbeti konstant.
Dialogu u shfaq si pengesa kryesore në avancimin e agjendës integruese të Kosovës. Dështimi për të hyrë në Këshillin e Evropës dhe mungesa e trajtimit të aplikimit për statusin e kandidatit në BE ishin pasoja të drejtpërdrejta të mosmarrëveshjeve në dialog.
Ndërkohë, Kosova u përball me sulme terroriste dhe nën masat ndëshkuese të BE-së, të cilat, edhe pse të quajtura të përkohshme, mbeten në fuqi prej 18 muajsh.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...