Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me fermerët në Dimal, ku zbuloi planin e tij të detajuar për ringritjen e bujqësisë shqiptare dhe mbështetjen e fshatit, nëse vjen në pushtet. Berisha shpalosi një sërë premtimesh që përfshijnë subvencione të zgjeruara, çmime të kontrolluara dhe ndryshime të thella fiskale.
“Ballkani i Hapur hidhet në kosh të plehrave javën e parë. Nuk ekziston! Çfarë ndodhi miq? Çfarë drame e madhe. Myzeqeja arriti në 35 mijë kokë lopë race. Hapën kufirin për prodhimet e Shumadisë, futën ligjin në parlament për të hequr taksën për qumështin pluhur dhe rritën çmimet e imputeve bujqësore. Dengu i barit shkoi më keq se litri i qumështit dhe fermerët u detyruan të therin lopët e racës që ishin fabrika të vogla qumështi në vetvete. U garantoj ju se qumështit pluhur do t’i vendosim taksën atje ku e meriton dhe do jetë qumështi juaj që do preferohet dhe do shitet në tregun shqiptar”, tha ai.
Plani i Berishës për bujqësinë ndalon importin e imputeve bujqësore që nuk shiten në Bashkimin Europian.
“Importi i inputeve bujqësore që nuk janë të lejuara në Bashkimin Europian do ndalohet. Kush kapet me pesticide kancerogjene, do dënohet për krim të rëndë. Nuk do lejojmë më që mafia të prishë prodhimin tuaj.”
Lidhur me çmimin e naftës për fermerët, ai tha: “Nafta për fermerët do shitet me çmimin e kostos. Nuk mund të jetë më e shtrenjtë se në Kosovë apo Maqedoni. Ndërpritet abuzimi me milionat litra që përfundojnë në jahte. Do shkojnë për fermerët tanë.”
“Në 100 ditët e para, nuk do ketë më asnjë pension në fshat nën 200 euro, qoftë i plotë apo i pjesshëm. Kjo është dinjiteti që u është mohuar për vite“, shtoi Berisha sa i përket pensioneve në fshat.
Ai dha shifra konkrete për mbështetjen direkte ndaj fermerëve.
“Subvencionet do rriten nga 32 në 230 milionë euro. Do hiqen kriteret absurde për hektarë apo numër lopësh. Shpërblimi do bëhet sipas realitetit të çdo ferme.
Nuk do ketë më monopole çmimesh. Ose krijojmë borde të përbashkëta për përcaktimin e çmimeve, ose ndërhyn shteti. Grumbulluesit do pajisen me sigurim, që të garantohet pagesa për fermerët. Kjo nuk është shpikje, është praktikë e suksesshme në Maqedoni“, shtoi më tej.