1984 në 2020 - Gazeta Express
string(12) "1984-ne-2020"

1984 në 2020

Gazeta Express

26/03/2020 17:00

Shkruan: Arian Zeka

Injoranca është Fuqi

Lexo Edhe:

Nuk gjej shprehje më të mirë se sa ky citat nga romani “1984” i George Orwell, për të nisur këtë shkrim për situatën në të cilën po kalon vendi këtyre ditëve. Se jemi të talentuar në art, tashmë nuk është ndonjë sekret, por tingëllon gati e pabesueshme që një shtet kaq i vogël, të ketë talente që krijojnë rrëfime distopike që shkojnë përtej imagjinatës e kreativitetit të Orwellit, e që do ta kompleksonin në pafundësi autorin e njohur. E përkufizimi i distopisë nuk nënkupton asgjë tjetër përveç një gjendje a shoqëri të imagjinuar ku ka vuajtje ose padrejtësi të madhe. Në këtë aspekt, Kosova e vitit 2020 është rrëfim shkuar rrëfimeve, roman shkuar romaneve. E krijuesit e tij do të ishin të denjë për një çmim “Nobel” në letërsi, e sidomos nëse edhe pjesa tjetër e botës do të karakterizohej nga një distopi e thellë. Megjithatë ne edhe këtu bëjmë përjashtim nga definicioni i mësipërm. Nuk ka asgjë imagjinare në këtë gjendjen tonë!


Kaosi është Progres

Të kompleksuar nga të gjitha veprimet e udhëheqësve tonë do të mbeteshin edhe kundërshtarët më të mëdhenj të lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Ata nuk do të ishin kujtuar të përdornin në artikulimet e tyre asnjëherë argumentet që ne i prodhojmë në vazhdimësi. Dhe sinqerisht, nëse ka ndonjë lakore që është në progresion të vazhdueshëm, është lakorja e krizës dhe e kaosit. Në gjashtë vite, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar largimin e katër qeverive, tri kriza të stërzgjatura politike, dhe tri qeveri të reja gjeneruese të krizave të reja. Jemi të parët që iniciojmë krizë politike në kohën e një pandemie globale që po kërcënon shëndetin e njerëzve dhe ekonomitë anembanë globit. Në fakt, progresioni i krizës nuk duhet vlerësuar vetëm në gjashtë vitet e fundit. Njëri ndër mendimtarët më të ndritur të kombit shqiptar, Faik Konica, do të na linte me thënien në vijim: “Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh.” Sa e vlefshme edhe një shekull pas, dhe nëse jo të gjithë janë maskarenjë e të korruptuar, atëherë të gjithë janë dallaveraxhinj për aq kohë sa nëpërkëmbin besimin dhe nevojat e qytetarëve.

Shteti si plaçkë

Nëse kuantifikojmë vetëm muajt e bllokadave politike paszgjedhore, rezultatet do të ishin këto: 13 muaj të ngecjes së vendimmarrjes, 13 muaj shpenzime për paga për zyrtarë shteti të cilët nuk janë në nivel të detyrës, 13 muaj humbje kohe për të zënë hapin me shtetet fqinje në proceset zhvillimore e integruese. Ani pse as në rrethanat e tjera normale (normale u thënçim), vendimmarrja, të merituarit e pagave e dinamizmi i  zhvillimit, nuk është që kanë qenë në nivel më të kënaqshëm. Shteti nuk vidhet e abuzohet vetëm përmes tenderëve e punësimeve partiake e nepotike, por edhe përmes mbajtjes së pushtetit në mënyrë joproduktive, duke rrënuar në vijimësi prospektet e tij për zhvillim e përparim. Për ekonominë dhe mirëqenien, krizat politike janë shkatërruese. Asnjë investitor i huaj serioz nuk investon në vende të cilat prodhojnë jostabilitet të vazhdueshëm politik, të brendshëm a të jashtëm. Asnjë investitor i brendshëm me mendje të shëndoshë nuk e investon kapitalin e tij, kur rreziku politik minon kthimin nga ai investim. E në mungesë të investimeve të reja, bëhet gati i pamundur krijimi i vendeve të reja të punës. E jo rastësisht, alternativë e vetme për qytetarët mbetet migrimi në shtete të tjera. Shtetin e abuzojmë edhe kur rrënojmë shpresat e qytetarëve, por edhe pritshmëritë e partnerëve strategjikë të cilët kanë vënë bast të madh për suksesin e shtetit tonë.

Mbi racionalizmin dhe pragmatizmin

Përtej premtimeve utopike e realiteteve distopike që na ofrojnë politikanët tanë, vendi ka nevojë për vendime racionale e pragmatike, që mundësojnë vënie në funksion të të gjitha kapaciteteve njerëzore, natyrore e teknologjike, me qëllim të arritjes së progresit ekonomik e social. Është e nevojshme që pavarësisht rrethanave aktuale e pasojave të rënda që do të lërë pandemia COVID-19, të gjithë hisedarët politikë e jopolitikë, qeveritarë e joqeveritarë, të bashkojnë forcat për veprime që tejkalojnë egon e secilit. Tashmë jemi vonë, por shumë vonë nuk është asnjëherë!

(Autori është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë)