18-vjeçari nga Kosova dyshohet se e qëlloi mësuesen me thikë – zbardhen detaje të reja nga sulmi në shkollën e Essenit - Gazeta Express
string(116) "18-vjecari-nga-kosova-dyshohet-se-e-qelloi-mesuesen-me-thike-zbardhen-detaje-te-reja-nga-sulmi-ne-shkollen-e-essenit"

Lajme

Gazeta Express

05/09/2025 12:39

18-vjeçari nga Kosova dyshohet se e qëlloi mësuesen me thikë – zbardhen detaje të reja nga sulmi në shkollën e Essenit

Lajme

Gazeta Express

05/09/2025 12:39

Pas ngjarjes tronditëse të ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë profesionale në qytetin e Essen-it, ku një mësuese u godit me thikë nga një nxënës, autoritetet gjermane kanë dhënë informacion të ri lidhur me incidentin.

Sipas burimeve të gazetës BILD, sulmuesi – një 18-vjeçar me origjinë nga Kosova – është qëlluar nga policia disa kilometra larg vendit të ngjarjes, pasi u përpoq të sulmonte edhe forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë (SEK). I riu ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është intubuar nga ekipet e urgjencës.

Mësuesja e plagosur rëndë në stomak është dërguar menjëherë në spitalin universitar, ku sipas të dhënave më të fundit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo u sulmua brenda ambienteve të shkollës, në zonën e njohur si Bildungspark në Nordviertel të Essen-it.

Pas sulmit, brenda shkollës ka shpërthyer paniku. Disa dhjetëra nxënës janë vetë-mbyllur në klasat e tyre duke ndjekur protokollet e alarmit për sulm të armatosur. Ndërkohë, dhjetëra të tjerë janë trajtuar nga ekipet mjekësore për gjendje shoku, pasi ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të sulmit ose ndihmuan në ofrimin e ndihmës së parë për viktimën.

Rreth orës 11:00, policia identifikoi të dyshuarin në një park afër stacionit qendror të qytetit. Kur efektivët e njësisë speciale tentuan ta ndalonin, ai ka vrapuar drejt tyre me një thikë në dorë, duke detyruar policët të qëllonin për ta neutralizuar. Sulmuesi u plagos rëndë dhe iu dha ndihma e parë në vendngjarje përpara se të transportohej në spital.

Kryetari i Bashkisë së Essen-it, Thomas Kufen (CDU), ka mbërritur në vendngjarje për të ndjekur nga afër situatën. Policia ka izoluar zonën përreth shkollës dhe ka kërkuar nga qytetarët që ta shmangin atë përkohësisht. Një helikopter policie ka mbikëqyrur zonën nga ajri gjatë gjithë operacionit.

Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për motivin e sulmit. Po ashtu nuk dihet nëse nxënësi ishte pjesë e orës mësimore apo hyri në klasë me qëllim të drejtpërdrejtë për të kryer sulmin.