Dyshohet se një 17-vjecar ka therur me thikë një 21-vjecar në Kaçanik. Policia ka njoftuar se i lënduari ka pësuar lëndime, për të cilat edhe ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
“Me datën 09.03.2026, rreth orës 20:50, policia në Kaçanik është njoftuar nga Qendra Emergjente se një person i lënduar me mjet të mprehtë (thikë) ishte dërguar nga një qytetar për trajtim mjekësor. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku sipas të dhënave fillestare është konstatuar se viktimë e këtij rasti është SH. K., rreth 21 vjeç. Nga informatat e para dhe veprimet hetimore në terren është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fillim të bulevardit “Ismajl Raka”, tek ura e qytetit në Kaçanik, ku viktima dyshohet se është sulmuar dhe është therur me mjet të mprehtë (thikë) nga një person i dyshuar, identiteti i të cilit fillimisht nuk dihej. Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Kaçanikut, më pas është transferuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për trajtim të mëtejshëm është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë (QKUK). Njësitet policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Si rezultat i hetimeve, është arritur të identifikohet i dyshuari J. Sh., 17 vjeç, i cili rreth orës 23:50 është arrestuar nga policia dhe në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit policorë. Me vendim të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejshme hetimore, ndërsa hetuesit policorë vazhdojnë hetimet dhe grumbullimin e informatave edhe për persona tjerë të implikuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.