Bayern Munichu po fiton 2-0 ndaj Union Berlinit, në ndeshjen e xhiros së 27-të në Bundesliga.
Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany po udhëheq me golat e Michael Olises dhe Serge Gnabryt.
Mirëpo, ajo çka tërheq vëmendje është edhe përfshirja e disa talentëve të akademisë në ekipin e parë, të cilët janë pjesë e bankës rezervë.
Ndër ta është talenti me prejardhje nga Kosova, Erblin Osmani, i cili vjen nga qyteti i Gjilanit.
Ai konsiderohet si një nga talentët më të mëdhenj të Bayern Munichut.
Osmani, pavarësisht moshës së re prej vetëm 16 vjeç, ka marrë ftesë për t’u stërvitur me ekipin e parë të Bayernit më parë, derisa tashmë është edhe në bankën rezervë.
Falë paraqitjeve të shkëlqyera në ekipet e të rinjve ai madje krahasohet me Joshua Kimmichin për stilin e tij të lojës.
Edhe pse Osmani luan kryesisht në pozicionin numër gjashtë (mesfushor defensiv), ai ka treguar cilësi edhe si golashënues, duke realizuar tre gola dhe duke dhënë pesë asistime në 13 paraqitje gjatë sezonit 2025/26, përfshirë ndeshjet me grupmoshat U17 dhe U19 të Bayern.
Përveç paraqitjeve të tij me ekipet e të rinjve të Bayern Munich, ai ka përfaqësuar edhe kombëtaret U16 dhe U17 të Gjermanisë, ku ka shënuar një gol në nëntë paraqitje./GazetaExpress/