Policia Rajonale e Ferizajt gjatë javës nga 4 deri më 10 maj tha se ka intensifikuar kontrollet në trafik me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, policia tha se janë shqiptuar gjithsej 1477 gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.
Llojet e kundërvajtjeve:
Tejkalim i shpejtësisë – 338 gjoba
Parking i parregullt – 215 gjoba
Xhama të errësuar – 146 gjoba
Mosrespektim i shenjave të komunikacionit – 92 gjoba
Mosmbajtje e distancës mes automjeteve – 75 gjoba
Përdorim i telefonit gjatë vozitjes – 70 gjoba
Mospërdorim i dritave – 66 gjoba
Kalim i afatit të regjistrimit – 54 gjoba
Kundërvajtje të tjera – 421 gjoba
Policia pati edhe një apel për qytetarët.
“Ngasja e papërshtatshme dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e drejtuesve të automjeteve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe tregoni kujdes maksimal gjatë vozitjes. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën. Policia njofton se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Ftohen qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406”.
Policia shtoi se të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë.