string(100) "142-miliarde-dollare-vec-per-arme-shba-dhe-arabia-saudite-forcojne-aleancen-me-marreveshje-historike"

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 16:58

142 miliardë dollarë veç për armë, ShBA dhe Arabia Saudite forcojnë aleancën me marrëveshje historike

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 16:58

Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe princit arab Mohammed bin Salman, është raportuar edhe për detajet që përmbajnë këto marrëveshje.

E para është marrëveshja e rëndësishme për mbrojtje, ku Arabia Saudite do të investojë miliarda në blerje të armëve. BBC raporton se, sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo është marrëveshja më e madhe e shitjes së armëve në histori – me një vlerë prej afro 142 miliardë dollarësh.

Bëhet e ditur se në këtë paketë poashtu përfshihen; trajnim i gjerë dhe mbështetje për ndërtimin e kapaciteteve të forcave të armatosura saudite, përfshirë akademitë ushtarake dhe shërbimet mjekësore ushtarake.

Kurse pikat e tjera janë, zhvillimi i forcave ajrore dhe kapaciteteve hapësinore, mbrojtja ajrore dhe kundërraketore, siguria detare dhe bregdetare, siguria kufitare dhe modernizimi i forcave tokësore si dhe përmirësimi i sistemeve të informacionit dhe komunikimit.

Shtëpia e bardhë poashtu ka dhënë detaje për marrëveshjet shtesë të nënshkruara, ku përfshihen; inteligjenca artificiale, turbinat me gaz dhe avionët.

Bëhet e ditur se Arabia Saudite do të investojë edhe 20 miliardë dollarë në qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale në ShBA, 80 miliardë dollarë për firmat teknologjike amerikane për teknologji të avancuara në të dy vendet, kurse 14.2 miliardë dollarë për eksportet amerikane të turbinave me gaz dhe zgjidhjeve energjetike në vlerë.

Poashtu në marrëveshje përfshihet blerje e avionëve të pasagjerëve Boeing 737-8, prej 4.8 miliardë dollarësh, si dhe një marrëveshje bashkëpunimi në sektorët e energjisë dhe mineraleve.

Ndërkohë, në një fletë-informuese nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se marrëveshja për mbrojtjen është pjesë e një angazhimi prej 600 miliardë dollarësh në total nga Arabia Saudite për investime në Shtetet e Bashkuara.