13 organizata mbështesin Flutura Kusarin në prag të fillimit të procedurave penale kundër të pandehurit Mentor Llugaliu - Gazeta Express
string(119) "13-organizata-mbeshtesin-flutura-kusarin-ne-prag-te-fillimit-te-procedurave-penale-kunder-te-pandehurit-mentor-llugaliu"

Lajme

Gazeta Express

20/06/2025 10:41

13 organizata mbështesin Flutura Kusarin në prag të fillimit të procedurave penale kundër të pandehurit Mentor Llugaliu

Lajme

Gazeta Express

20/06/2025 10:41

13 organizata, pjesë e Media Freedom Rapid Response dhe të Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, kanë shprehur mbështetjen e plotë për Flutura Kusari, këshilltaren e lartë ligjore në Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), në prag të fillimit të procedurave penale kundër të pandehurit Mentor Llugaliu.

Këto organizata i kanë bërë thirrje Prokurorisë Themelore në Prishtinë që të ndërmarrë dhe garantojë hetim të shpejtë, të paanshëm dhe të plotë të këtij rasti.

“Më 21 mars 2025, znj. Kusari ka ushtruar pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë kallëzim penal kundër të pandehurit Mentor Llugaliu, një aktivisti në rrjete sociale dhe përkrahësi të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo e akuzon atë për ngacmim dhe frikësim sistematik ndaj saj dhe familjes së saj”, thuhet në komunikatë.

Këto organizata thonë se ngacmimi ka zgjatur për tre vjet, nga dhjetori 2021 deri në shkurt 2025, gjatë së cilës periudhë Llugaliu ka publikuar të paktën 101 postime në facebook, të cilat tërhoqën vëmendje të gjerë publike, duke mbledhur mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente.

“Aktiviteti i tij në rrjete sociale, i shoqëruar me gjuhë denigruese ndaj saj, ka shkaktuar shqetësim të thellë për znj. Kusari dhe familjen e saj. Në postimet e tij, Llugaliu i referohet Kusarit me termin përçmues “Mickoja” në mënyrë që t’i ikë bllokimit të llogarisë së tij nga ana e facebook-ut. Ngacmimi është përshkallëzuar më tej kur ai filloi të shënjestrojë anëtarët e familjes së saj, përfshirë bashkëshortin dhe nënën e saj, me një koment veçanërisht shqetësues me përmbajtje të natyrës seksuale|.

Ngacmimi ka filluar në vitin 2021, pasi Kusari, në emër të ECPMF-së, kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Transmetuesit Publik të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës, duke mbështetur dhe avokuar për përzgjedhjen e anëtarëve të pavarur politikisht.

“Llugaliu, një përkrahës i partisë në pushtet, kishte aplikuar për një vend në bord, por nuk ishte përzgjedhur. Edhe pse znj. Kusari nuk e ka përmendur ndonjëherë të pandehurin Llugaliu me emër, në bazë të postimeve të tij, ai e fajëson atë për dështimin e tij që të bëhet anëtar i bordit”.

Organizatat thanë se shumë nga postimet e tij janë poshtëruese dhe nxitëse, duke e targetuar vazhdimisht Kusarin dhe duke e akuzuar për ndikim në vendime politike.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka ndihmuar znj. Kusari për përgatitjen e kallëzimit penal kundër të pandehurit Llugaliu. Sipas IKD-së, bazuar në vendime të tjera që kanë të bëjnë me veprën penale të ngacmimit, ky është një nga rastet më të rënda dhe më të mëdha të ngacmimit online ndaj një aktivisteje grua në Kosovë. Sipas znj. Kusari, ngacmimi dhe përndjekja trevjeçare online dhe në mënyrë obsesive nga aktivisti politik dhe i pandehuri Llugaliu është bërë në shenjë hakmarrjeje për aktivizmin e saj në monitorimin e RTK-së. Ai synon dehumanizimin dhe largimin e saj dhe të grave tjera aktive nga jeta publike”.

Ajo ka kërkuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që të ndjekë penalisht të pandehurin Llugaliu për veprën e ngacmimit, siç parashikohet në nenin 182 të Kodit Penal të Kosovës.

 “Ne shprehim solidaritet me Flutura Kusarin dhe i bëjmë thirrje kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, si dhe prokurorit përgjegjës, që të garantojnë një hetim të shpejtë dhe të paanshëm të këtij rasti. Si një rast thelbësor në luftën kundër ngacmimit online ndaj mbrojtësve të fjalës së lirë, sidomos atyre gra, ne organizatat ndërkombëtare që e kemi nënshkruar këtë letër do të monitorojmë nga afër këtë rast. Shpresojmë që kallëzimi penal do të çojë në një rezultat që do të shënojë një hap të rëndësishëm në luftën kundër abuzimit online të grave”, thanë organizatat që nënshkruan këtë thirrje.