string(50) "12-ore-ne-dite-gjermanet-duhet-te-punojne-me-shume"

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 8:44

12 orë në ditë? Gjermanët duhet të punojnë më shumë

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 8:44

Me deklaratat e para disa ditëve se gjermanët duhet të punojnë më shumë, kancelari gjerman, Friedrich Merz ndezi një debat mbi kohëzgjatjen e punës në Gjermani. Aktualisht në Gjermani llogaritet dita e punës tetë-orëshe, një standard ky nga viti 2018. Tani qeveria gjermane planifikon që t’ua mundësojë kompanive të kalojnë në orar javor pune, ashtu si e kanë kërkuar prej kohësh shoqatat e punëdhënësve me argumentin e një tregu pune më fleksibël.

Por ndryshimi i planifikuar në një orar pune javor mund të rezultojë në ditë pune që zgjasin deri në dymbëdhjetë orë e 15 minuta. Ky është rezultati i një studimi të Fondacionit Hans Böckler, i cili është i afërt me sindikatat. Marrëveshja e koalicionit, parashikon të krijohet mundësia e “një kohe maksimale pune javore në vend të kohës ditore”, por “rregulloret aktuale të periudhës së pushimit duhet të ruhen”. Kjo do të thotë se duhet të ruhen të paktën njëmbëdhjetë orë midis dy ndërrimeve. Ekspertët e HSI-së llogarisin se duhet të planifikohet edhe një pushim 45-minutësh gjatë orarit të punës duke krijuar mundësinë e një dite pune prej më shumë se dymbëdhjetë orësh.

Me deklaratat e para disa ditëve se gjermanët duhet të punojnë më shumë, kancelari gjerman, Friedrich Merz ndezi një debat mbi kohëzgjatjen e punës në Gjermani

Sindikatat protestojnë kundër braktisjes së ditës tetë-orëshe të punës. Kryetarja e Shoqatës së Sindikatave Gjermane, DGB, Yasmin Fahimi i përsëriti kritikat e saj në gazetën “Rheinische Post”: “Bëhet fjalë më shumë për legalizimin e modeleve të biznesit ligjërisht të dyshimta, siç janë turnet e rregullta dymbëdhjetë-orëshe për nënkontraktorët në shërbimin e pakove ose mungesa e periudhave të pushimit në industrinë e hotelerisë dhe ushqimit.”

Pavarësisht, se marrëveshja e koalicionit e shikon kalimin në orar javor pune “në interes të një përputhshmërie më të mirë midis familjes dhe karrierës”, analiza e Institutit Hugo Sinzheimer për të Drejtën e Punës (HSI) të fondacionit paralajmëron nga pasojat. Pasojat do të ishin jo vetëm rreziqe shëndetësore, por edhe më shumë presion mbi familjet, sipas studimit.

Instiuti HSI analizon argumentet kundër planeve të koalicionit. “Prej kohësh mjekësia mbi profesionet e ka provuar, se orët e punës më shumë se tetë orë janë të rrezikshme për shëndetin.” Në planin afatgjatë, problemet që lidhen me stresin dhe ato psikologjike shtohen, dhe kjo nga ana tjetër bëhet arsye për mungesa në punë dhe dalje në pension të parakohshëm nga jeta e punës. Sipas studimeve të HSI edhe rreziku i aksidenteve rritet gjithashtu nga ora e tetë e punës e më shumë. Ky rrezik rritet si në ambiente pune ashtu edhe rrezik aksidentesh gjatë udhëtimit për në shtëpi. Risia madje mund të jetë “madje ekonomikisht kundërproduktive”.

Megjithëse marrëveshja e koalicionit e thotë qartë se do të ruhen “standarde të larta në sigurinë në punë” dhe se “asnjë punonjës nuk mund të detyrohet të punojë orë më të gjata kundër vullnetit të tij ose të saj”, realiteti mund të jetë ndryshe.