string(44) "11-iluzione-nga-zgjedhjet-e-11-ta-te-11-maji"

OP/ED

Gazeta Express

28/05/2025 14:25

11 iluzione nga zgjedhjet e 11-ta të 11 majit

OP/ED

Gazeta Express

28/05/2025 14:25

Zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri, të 11-at në historinë e pluralizmit ekspozuan një sërë iluzionesh të rrënjosura, që e deformojnë analizën e realitetit elektoral.

Shkruan: Adri Nurellari

Në një demokraci të konsoliduar, zgjedhjet janë mjeti përmes të cilit qytetarët ndryshojnë qeverinë; në një demokraci të deformuar si jona ato shndërrohen në rituale që ripërtërijnë të njëjtën skemë pushteti nën iluzionin e konkurrencës. Zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri, të 11-at në historinë e pluralizmit ekspozuan një sërë iluzionesh të rrënjosura, që e deformojnë analizën e realitetit elektoral. Ky shkrim synon të identifikojë dhe dekonstruktojë 11 nga këto mite të strukturuara, të cilat jo vetëm që pengojnë përmirësimin e sistemit, por prodhojnë një ndjesi të rreme përparimi.

1. Iluzioni i apatisë demokratike: Është bërë klishe të thuhet se po votojmë gjithnjë e më pak dhe se kemi një “zonë gri” me abstenues. Por ky pretendim është larg të vërtetës. Nëse heqim nga ekuacioni listat e fryra me emra të larguar prej vitesh dhe llogarisim numrin real të rezidentëve të rritur në vend, tabloja ndryshon rrënjësisht. Po të marrim si pikënisje listën zyrtare prej 3.71 milionë votuesish dhe shfrytëzojmë të dhënat e Censit 2023, që tregon se vetëm 52% e popullsisë qëndron këtu; mund të përllogarisnim se rreth 1.93 milionë votuesish janë të pranishëm fizikisht. Meqenëse kanë votuar 1.46 milionë, kjo do të thotë se pjesëmarrja reale në zgjedhje, në raport me popullsinë rezidente, ka qenë rreth 76%. Ky është një vlerësim minimal që nuk llogarit dy faktorë kyç. Së pari, emigracioni ndodh kryesisht mes të rriturve, çka e ul më tej numrin real të votuesve të pranishëm fizikisht në Shqipëri. Së dyti, vetë Censi është një fotografi statike e një momenti të shkuar, ndërkohë që dhjetëra mijëra qytetarë janë larguar nga vendi që prej atëherë (shumica në moshë votimi) duke e zvogëluar edhe më shumë trupën aktuale elektorale rezidente. Në këtë kontekst pjesëmarrja reale mes votuesve të pranishëm në vend mund të ketë kaluar 80% e ndoshta edhe 85%. Një përqindje e tillë na rendit në krye të Evropës, e cila sipas IDEA-s, ka një mesatare prej 65% pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare.

2. Iluzioni i mungesës së alternativës: Pjesëmarrja e lartë në këto zgjedhje rrëzon edhe një tjetër klishe të stërpërdorur: se shqiptarët nuk kishin alternativa. Në të vërtetë, këto zgjedhje ofruan më shumë alternativa sesa zakonisht në të gjithë spektrin ku Qori sfidoi të majtën, Shehaj përfaqësoi një alternativë të djathtë, ndërsa në qendër në terrenin populist ishte Lapaj. Po ashtu, brenda koalicionit kryesor të Partisë Demokratike, votuesit patën mundësi të zgjidhnin kandidatë nga partitë aleate. Përpos këtyre opsioneve, votuesit, kishin një alternativë shumë të qartë: mospjesëmarrjen. Bojkoti ishte një zgjedhje reale për të shprehur pakënaqësinë me ofertën aktuale politike. Kështu që votuesit që morën pjesë masivisht, nuk janë viktima naive të mungesës së zgjedhjeve, ata zgjodhën të përfshiheshin aktivisht, me ndërgjegje, sipas mënyrës së tyre. Nuk kemi të bëjmë me viktima naive të një sistemi pa opsione, por me qytetarë që zgjodhën të pozicionohen e mbështesnin masivisht aktorët e vjetër politikë, pavarësisht pakënaqësive ose skepticizmit që shfaqin në përditshmëri.

3. Iluzioni se votuesit zgjedhin bazuar te programi. Një ndër përrallat më të përhapura tek ne është ideja se qytetarët lexojnë programet, krahasojnë platformat, peshojnë premtimet… dhe pastaj votojnë me logjikë. Në realitet, shumica e votuesve nuk i lexojnë kurrë programet. Ata votojnë për ndjesinë që iu jep një lider, për bindjet që ndajnë me grupin e tyre, për një identitet që duan të ruajnë, ose kundër një frike që duan të shmangin. Premtimet e politikave janë si dekor skenik, të dobishme, por jo vendimtare. Shpesh, zgjedhësit as nuk i mbajnë mend premtimet konkrete. Ajo që mbetet është toni, gjuha e trupit, krenaria, frika, ose ndjenja se “ky është një i yni”. Pra, nuk është që njerëzit janë të paditur, por vota është më shumë një akt psikologjik dhe kulturor sesa një test logjik. Prandaj, kush përpiqet të bindë votuesit me tabela, grafiqe dhe programe të detajuara, harron gjënë më thelbësore, që njerëzit nuk votojnë për planin më racional, por për ndjesinë që i prek më shumë.

4. Iluzioni i diasporës shpëtimtare: Në mitologjinë politike shqiptare diaspora glorifikohet shpesh si më e ndërgjegjshme, më e pavarur dhe më e pastër moralisht – një korrigjues simbolik ndaj devijimeve të brendshme politike. Imagjinata kolektive e përfytyron diasporën si një komunitet të lartë moral, të papërlyer nga korrupsioni, i mbushur me botëkuptime perëndimore dhe idealizëm politik. Partia Socialiste – forca që ka mbajtur pushtetin për më shumë se një dekadë – u përqafua në mënyrë disproporcionale nga diaspora, me një rezultat gati +9% më të lartë se brenda vendit ose më saktë 61.14 % të totalit. Por më ironikja është se nga gjysma e trupës zgjedhore që jeton jashtë pjesëmarrja reale ishte e papërfillshme dhe kryesisht e orkestruar nga partitë këtej. Me fjalë të tjera, ata që portertizohen si shpëtimtarë të demokracisë shqiptare as nuk morën mundimin të votonin. Në vend të një korrigjimi moral, diaspora u shfaq ose indiferente, ose e orientuar në mënyrë disproporcionale nga forca që mban pushtetin.

5. Iluzioni i vjedhjes si shpjegim i përhershëm i humbjes: Manipulimi zgjedhor është një problem real dhe i vazhdueshëm në Shqipëri. Por të pretendosh se humbja e opozitës shpjegohet vetëm me vjedhjen e votave është një alibi, një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për gabimet politike, mungesën e organizimit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë bindëse alternative. Tirana është prova më e qartë që ky justifikim nuk pi më ujë. Kryeqyteti është qendra më autonome politike dhe shoqërore e vendit, vendi ku përqendrohen akademikët, profesionistët e lirë, sipërmarrësit, aktivistët e shoqërisë civile, brezi i ri urban me pritshmëri të larta dhe kontakt të përditshëm me Perëndimin. Pra, ka përqindjen më të lartë të shtresës së mesme dhe qasjen më të gjerë ndaj informacionit të pavarur. Dhe pikërisht aty, Partia Socialiste mori 48.90% të votave në nivel bashkie. Në njësitë më urbane të qytetit koalicioni PD-ASHM nuk mori dot as 1/3 e votave. Nëse nuk fiton në zemër të Tiranës ku qytetarët nuk frikësohen për vendin e punës, ku nuk kanë nevojë për patronazhist për të marrë një shërbim, atëherë humbja duket qartë që s’ka ardhur nga manipulimi, por nga mungesa e alternativës. Askush nuk mohon se manipulimet zgjedhore ekzistojnë dhe duhen luftuar e denoncuar, por ato nuk mund të bëhen justifikimi i përhershëm për çdo humbje, sidomos kur ajo është e thellë si sivjet.

6. Iluzioni se opozita ka gjithmonë të drejtë – vetëm sepse është opozitë. Në politikën shqiptare dominon një bindje se kushdo që është jashtë pushtetit është automatikisht më i ndershëm, më përfaqësues dhe më demokratik. Opozita idealizohet si mbrojtëse e interesit publik, thjesht sepse nuk ka akses te fondet publike. Por fakti që një forcë është jashtë qeverisjes nuk e bën automatikisht më morale, më kompetente apo më përfaqësuese. Statusi si opozitë nuk është certifikatë morali. Në shumë raste, opozita shqiptare ka dështuar jo vetëm për shkak të manipulimeve, por sepse nuk ka ditur të ndërtojë alternativa të besueshme e vizionare. Në vend që të ndërtojë një ofertë konkurruese, ajo është gozhduar në rolin e viktimës permanente, që ankohet, por nuk frymëzon. Dhe qytetarët, ndonëse të lodhur nga pushteti, nuk votojnë për viktima, por për liderë që dinë se ku po shkojnë dhe se si do të mbërrijnë atje. Në realitet, opozita dhe qeveria në Shqipëri ngjajnë më shumë se duan të pranojnë (psh., bashkojnë votat për të amnistuar të dënuarit e SPAK-ut). Negociojnë në prapaskenë për ndryshime të Kodit Zgjedhor që pengojnë futjen e forcave të reja në sistem, sepse kur bëhet fjalë për të ruajtur status quo-në, ndarjet ideologjike treten si kripa në ujë. Dhe kur opozita duket po aq e përfshirë në marrëveshje klienteliste sa mazhoranca, ajo nuk përfaqëson ndryshimin, por një version tjetër të së njëjtës logjikë. Prandaj për sa kohë opozita shqiptare sillet si partner i heshtur i sistemit që pretendon të rrëzojë, ajo mbetet pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes.

7. Iluzioni që partitë e reja janë shpresa e ndryshimit: Është përsëritur shpesh se partitë e reja do të ishin zëri i pastër i brezit të ri politik, një ndreqje morale ndaj sistemit të vjetër. Por ajo që ndodhi në praktikë ishte një tjetër zhgënjim i mirambalazhuar. Shumë nga të ashtuquajturat “forca të reja” nuk sollën as stil të ri, as përmbajtje të re, por ricikluan të njëjtat taktika të politikës së vjetër. U shfaqën si forca me potencial për ndryshim, por u kthyen shpejt në “one man show”, pa ekip, pa vizion të ndërtuar, pa ide konkrete për të zgjidhur problemet reale të vendit. Fushatat e tyre nuk prodhuan debat politik, por kult individësh dhe ndjekje emocionale, si të ishin protagonistë të një spektakli personal me audiencë tifozësh e jo pretendentë për përfaqësim serioz. Në vend që të ofronin një vizion alternativ dhe të artikuluar, bazuan fushatën në përbaltje, aluzione, insinuata dhe protagonizëm personal, duke e reduktuar premtimin për ndryshim në një lojë egosh dhe thashethemesh. Lufta absurde mes Shehajt dhe Lapajt la përshtypjen e një koreografie të planifikuar, një ndarje e menaxhuar e votës, jo një përballje për ide. Ishte e pamundur të mos vihej re fakti që as PS nuk sulmoi fort Shehajn dhe as PD nuk u përplas me Lapajn, siç ndodh zakonisht me figura që realisht rrezikojnë balancat. Kjo heshtje strategjike ngriti pyetje legjitime: a ishin këta aktorë politikë të rinj vërtet të pavarur, apo thjesht instrumente për të absorbuar zemërimin popullor dhe për ta shpërndarë në mënyrë të padëmshme për sistemin? Prandaj këto parti u sollën më shumë si kopje në miniaturë të partive tradicionale sesa si një alternativë reale. Me më shumë retorikë sesa platformë, më shumë përbaltje se përmbajtje, ato u shfaqën si zgjatime të një skeme që di ta gllabërojë dhe neutralizojë çdo tentativë për ndryshim të vërtetë. Dhe në këtë kuptim, zhgënjimi që mund të prodhojnë është ndoshta më i rrezikshmi nga të gjithë: sepse kur edhe “shpresa e re” ngjan me të vjetrën, atëherë humbet jo vetëm vota, por edhe besimi që ndryshimi është i mundur…

8 Iluzioni i alternativës me fytyrave të reja: Në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025, Partia Socialiste sjell 53 deputetë të rinj nga 83 mandate (rreth 63.8%), ndërsa koalicioni PD-ASHM ka vetëm 14 të rinj nga 50 (28%). Pra, ironikisht, është pushteti ai që ka “rinuar” më shumë sesa opozita nga e cila pritej ndryshimi. Por, gjithsesi duhet theksuar se rinovimi i emrave nuk është as reformë, as garanci ndryshimi, thjesht një mundësi. Shpesh, këto fytyra të reja janë produkt i po të njëjtave logjika përzgjedhjeje të mbështetur në besnikëri ndaj shefit dhe mungesë autonomie reale. Ashtu si në vitin 2021, kur 72 deputetë hynë për herë të parë në Kuvend dhe shumica u shkrinë në disiplinën e partisë, edhe ky “freskim” i vitit 2025 nuk shënon ndonjë emancipim institucional, por një makijazh për status quo-në.

9. Iluzioni i Reformës Zgjedhore si zgjidhje magjike: Dy partitë kryesore e kanë bërë tashmë zakon që të gatuajnë një Kod të ri para çdo procesi zgjedhor, për të bllokuar konkurrencën. Sido që të ambalazhohet reforma, problemet ripërsëriten dhe kanë të bëjnë mungesën e integritetit dhe konkurrencës së ndershme. Asnjë reformë teknike nuk do e zgjidhë krizën për sa kohë që kultura e kontrollit dhe klientelizmit mbetet e pandryshuar. Zgjidhja finale nuk është teknike, është morale dhe politike. Është një çështje vullneti për të ndërtuar një sistem që nuk mbështetet tek manipulimi, por te gara e ndershme. Përndryshe, çdo reformë tjetër do vazhdojë të jetë dekor dhe jo substancë.

10. Iluzioni i listave të hapura: Lista e hapur është shitur këtë dekadën e fundit si simbol i një kapitulli të ri për demokracinë shqiptare, si garanci që qytetari më në fund do të kishte zë real mbi përfaqësuesit e tij. Por, ajo që u premtua si çelësi i fuqizimit të votës, rezultoi thjesht një makiazh. Në zgjedhjet e fundit, vetëm 44 nga 140 deputetë u zgjodhën realisht nga qytetarët përmes votës preferenciale. 96 të tjerët u vendosën në Kuvend nga renditja e mbyllur e hartuar paraprakisht nga partitë dhe shefat e tyre, një renditje që qytetari nuk e ndryshon dot, sido që të votojë. Pra, rreth 69% e deputetëve të Kuvendit nuk janë zgjedhur nga qytetarët, por janë emëruar fitues nga partitë, përpara zgjedhjeve.

11. Iluzioni i votimit elektronik: Që prej vitit 2009, votimi elektronik është paraqitur si shpëtimi teknik i zgjedhjeve shqiptare: një teknologji e shpejtë, e saktë, e verifikueshme, e menjëhershme dhe e pavarur nga ndërhyrjet njerëzore, që do të garantonte transparencë të plotë dhe do t’u jepte fund njëherë e mirë maktheve të numërimit: pazareve, manipulimeve dhe rolit protagonistik të “të fortëve” në proces. Sistemi u zbatua në Vorë dhe njësinë nr. 10 në Tiranë me premtimin për rezultate të menjëhershme, por ndodhi e kundërta dhe nxjerrja e rezultateve u shty në mënyrë të pajustifikueshme. Teknologjia që duhej të ishte simbol i ndershmërisë, e cila do të mbyllte epokën e dyshimeve, u bë vetë burim dyshimi si pjesë e një pazari të vjetër. Në vend që të garantonte drejtësi, ajo diskreditoi veten, sepse edhe makina më moderne dështon kur vihet në shërbim të një skeme të vjetër. Në përmbyllje, duhet thënë se zgjedhjet e sivjetshme nuk ishin as katastrofë, as triumf, por ishin një pasqyrë, që shumë refuzojnë ta shohin nga frika e asaj që do të shfaqet. As diaspora, as teknologjia, as fytyrat e reja nuk e fshehin faktin se sistemi është i bllokuar dhe vota është bërë gjithnjë e më shumë një akt simbolik sesa mjet ndryshimi. Nëse nuk çmontojmë këto iluzione një nga një, do të vazhdojmë të riciklojmë të njëjtët fajtorë dhe të njëjtat zhgënjime. Ndryshimi nuk ndodh vetëm me votën që hedhim, por edhe me përgjegjësinë që marrim për atë që pranojmë në heshtje. Sepse nuk ka votë më të rrezikshme sesa heshtja që i hap rrugë padrejtësisë.