Lista e 10 sportistëve më të paguar për vitin 2025, e publikuar nga Forbes në fund të majit, përfshin disa nga emrat më të mëdhenj të botës së sportit, të cilët kanë arkëtuar së bashku 1.4 miliardë dollarë. Përllogaritjet përfshijnë të ardhurat nga aktivitetet sportive dhe fitimet jashtë fushës përmes kontratave komerciale dhe sponsorizimeve të shumta.
Në krye të listës për të tretin vit radhazi dhe për herë të pestë në total renditet Cristiano Ronaldo, i cili ka grumbulluar 275 milionë dollarë – 225 milionë nga kontrata e tij gjigante me Al Nassr në Arabinë Saudite dhe 50 milionë nga të ardhura të tjera si kanali në YouTube, bashkëpunime të paguara në Instagram dhe investime në kompanitë Whoop dhe Bioniq.
Ky është viti i tretë më i mirë financiarisht për një sportist aktiv që nga fillimi i analizave të Forbes në vitin 1990 – më shumë kanë fituar vetëm boksieri Floyd Mayweather në 2015 ($300 milionë) dhe 2018 ($285 milionë).
Ronaldo ka fituar 119 milionë më shumë se ylli i Golden State Warriors, Steph Curry, i cili renditet i dyti me 156 milionë dollarë. Kampioni i pesëfishtë i Ballon d’Or, Lionel Messi, është pozicionuar në vendin e pestë me 135 milionë dollarë nga paga e Inter Miami, bizneset e tij dhe sponsorizimet gjigante. Ndërkohë, boksieri Tyson Fury ka hyrë në podium me 146 milionë dollarë, kryesisht nga dy përballjet e mëdha të titullit botëror në Arabinë Saudite kundër Oleksandr Usyk.
Ish-shoku i skuadrës së Ronaldos, Karim Benzema, është futbollisti tjetër në listë, në vendin e tetë me 104 milionë dollarë pasi iu bashkua Al Ittihad në Lindjen e Mesme. Në listë janë gjithashtu yjet e NBA-së, LeBron James dhe Kevin Durant, me 133.8 milionë dhe 101.4 milionë dollarë.
Baseball përfaqësohet nga Juan Soto dhe Shohei Ohtani, të cilët kanë kaluar shifrën e 100 milionë dollarëve./GazetaExpress/
Top 10 sportistët më të paguar në 2025:
Cristiano Ronaldo – $275 milionë
Steph Curry – $156 milionë
Tyson Fury – $146 milionë
Dak Prescott – $137 milionë
Lionel Messi – $135 milionë
LeBron James – $133.8 milionë
Juan Soto – $114 milionë
Karim Benzema – $104 milionë
Shohei Ohtani – $102.5 milionë
Kevin Durant – $101.4 milionë