Simptomat e para: për disa gra, shenjat dhe simptomat e para të shtatzënisë nisin në javët e para, pasi kanë mbetur shtatzënë. Megjithatë, mos i mbani shumë shpresat te këto simptoma. Disa prej tyre mund të tregojnë se jeni thjesht sëmurë ose që cikli menstrual është afër. Por jo rrallë ndodh edhe që mund të keni mbetur shtatzënë dhe të mos keni asnjë nga këto simptoma.
Gjoks i butë ose i fryrë
Një nga shenjat e para të shtatzënisë mund ta vëreni te gjoksi. Dy javë
pasi keni mbetur shtatzënë, ndryshimet hormonale mund ta zbutin gjoksin,
ta fryjnë atë ose edhe t’ju shkaktojë dhembje. Gjithashtu, mund t’ju
duket më i rëndë.
Lodhja
Lodhja është gjithashtu një nga simptomat e para të shtatzënisë. Gjatë
javëve të para, niveli i progesteronit rritet dhe dozat e larta të tij
mund t’ju shkaktojnë gjendje gjumi. Në të njëjtën kohë, niveli më i ulët
i sheqerit në gjak, tensioni i ulët dhe shtimi i numrit të qelizave të
kuqe në gjak, mund t’ju bëjnë të ndiheni të pafuqishme.
Gjakderdhja e paktë ose spazmat
Ndonjëherë, një nga simptomat e para të shtatzënisë, është rrjedhja ose
gjakderdhja vaginale. Ajo që njihet si gjakderdhja e transplantimit,
ndodh kur veza e fertilizuar kapet pas veshjes së brendshme të mitrës,
zakonisht rreth 10 apo 14 ditë pas fertilizimit. Gjakderdhja ndodh
zakonisht para datës së ciklit menstrual: janë njolla më të zbehta
krahasuar me periodat e zakonshme, përveç kësaj, nuk zgjat aq sa
menstruacionet. Në fillimet e shtatzënisë, disa gra kanë dhimbje barku
të ngjashme me ato të menstruacioneve.
Të përziera, me ose pa të vjella
Simptoma klasike të shtatzënisë janë edhe të vjellat në mëngjes, të
cilat mund t’ju kapin gjithashtu në çdo kohë të ditës apo natës. Te disa
femra, të përzierat nisin shumë shpejt, dy ose tri javë pasi kanë
mbetur shtatzënë. Përveç kësaj, nuhatja e tyre është më e mprehtë dhe
aroma të ndryshme, si: gatimet, parfumet apo tymi i duhanit, mund t’u
shkaktojnë të përziera.
Urinim i shpeshtë
Gjatë kësaj kohe mund të urinoni më shpesh se zakonisht.
Neveri ose fiksim pas ushqimeve të veçanta
Gjatë periudhës së shtatzënisë, mund të ndieni neveri ndaj ushqimeve të
caktuara, si: ndaj kafesë apo ushqimeve të skuqura, por është e
zakonshme edhe fiksimi pas ushqimeve të veçanta. Ashtu si simptomat e
tjera të shtatzënisë, ato mund t’u atribuohen ndryshimeve hormonale.
Dhimbje koke dhe marramendje
Rritja e qarkullimit të gjakut si pasojë e ndryshimeve hormonale mund të
shkaktojë dhimbje të shpeshta dhe të lehta koke. Përveç kësaj, për
shkak të zgjerimit të enëve të gjakut dhe rënies së tensionit, mund të
ndiheni të trullosura ose mund t’ju merren mendtë.
Luhatje humori
Në fillim të shtatzënisë, mund të bëheni shumë emocionale dhe të prekeni
lehtë, për shkak të rritjes së nivelit të hormoneve në trup. Pra, edhe
luhatjet e humorit janë më se të zakonshme.
Rritja e temperaturës normale të trupit
Temperatura normale është ajo që ka trupi në mëngjes. Pas ovulimit, ajo
rritet lehtë dhe qëndron në atë nivel deri në ciklin e ardhshëm
menstrual. Nëse e keni mbajtur shënim temperaturën e trupit për të
përcaktuar kohën e ovulimit dhe nëse vëreni se ajo vazhdon të jetë e
lartë për më tepër se dy javë, kjo nënkupton se keni mbetur shtatzënë.