E diela shënoi sërish tensione të forta në disa qytete të Serbisë, ku mbështetësit e qeverisë marshuan kundër protestuesve, që vijojnë prej 10 muajsh demonstratën, ku pati dhe përplasje mes palëve.
Marshime paralele u mbajtën në qytete si Nishi, Çaçaku dhe Shabaci, ku në disa raste ndërhyri policia për të ndarë dy grupet e protestuesve përmes kordonit. Studentët iu bënë thirrje qytetarëve që të mos përleshen me protestuesit e palës tjetër.
“Qeveria është duke angazhuar njerëz që të krijojnë imazhe të shpikura ‘të popullit’. Dëshiron të shkaktojë incidente. Le të mos jemi viktimë e shfaqjes”, kanë thënë studentët.
Nga ana tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, iu bashkua marshimit të mbështetësve, duke përsëritur thirrjen e tij për dialog.
Disa prej studentëve që protestojnë kundër Qeverisë, e kanë refuzuar ftesën e tij për debat të hapur televiziv, duke thënë se do të flasin me të kur t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme dhe t’i përmbushë kërkesat.
Studentët dhe mijëra qytetarë tjerë protestojnë prej 10 muajsh, duke kërkuar përgjegjësi për 16 personat e vdekur në nëntor të vitit të kaluar në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni.
Në kuadër të protestave janë bllokuar 60 fakultete në shtatë universitete nëpër Serbi. Ditëve të fundit disa kanë nisur të punojnë, ndërsa disa vazhdojnë të jenë të bllokuara./TCH