24 orët e fundit të Ligës së Kampionëve do të mbeten në histori… por për arsye aspak të lavdishme për Premierligën.
Gjashtë ndeshje në dy ditë, gjashtë skuadra angleze në fushë dhe zero fitore.
Një statistikë tronditëse që rrezikon të kthehet në një dështim historik për futbollin britanik.
Liverpooli, që pritej të reagonte në Turqi pas humbjes në fazën e ligës në Champions, u mposht sërish 1-0 nga Galatasaray, duke i konfirmuar vështirësitë e një sezoni vërtet të komplikuar.
Nuk shkoi më mirë as për Tottenhamin e Igor Tudor, i cili u shkatërrua 5-2 nga Atlético Madrid në një mbrëmje makthi, mes zgjedhjeve të çuditshme dhe gabimeve të rënda të portierit Kinsky.
Newcastle dhe Arsenal arritën vetëm nga një barazim përkatësisht kundër Barcelonës dhe Bayer Leverkusenit, ndërsa Chelsea e pësoi një humbje poshtëruese 5-2 nga Paris Saint-Germaini.
Për ta kompletuar panoramën erdhi edhe fitorja e pastër 3-0 e Real Madridit ndaj Manchester Cityt, duke i zbehur ambiciet e “Citizens” për ta fituar kompeticionin më të madh evropian.
Nëse futbolli anglez kishte nevojë për një sinjal, ai erdhi qartë – por në mënyrë negative: asnjë fitore dhe pothuajse të gjitha skuadrat në rrezik eliminimi.
Mesazhi është i qartë: Premierliga, edhe pse e pasur dhe plot me yje e talente, duhet të përballet me një realitet evropian gjithnjë e më konkurrues dhe të fortë.
Gara për majën e kontinentit nuk fal shpërqendrime, dhe aktualisht klubet angleze duken larg pritshmërive.
Nëse ky është vetëm një aksident rruge apo fillimi i një trendi negativ, do ta tregojnë ndeshjet e ardhshme.
Por një gjë është e sigurt: këtë javë Premierliga u poshtërua në Champions League. /Gazeta Express