​Era Syla fiton Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematikë Evropiane për Vajza - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

15/04/2021 18:55

​Era Syla fiton Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematikë Evropiane për Vajza

Lajme

Gazeta Express

15/04/2021 18:55

Nxënësja kosovare Era Syla ka fituar Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematikë Evropiane për Vajza-EGMO 2021.

Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë prestigjioze ndërkombëtare për nxënës të arsimit parauniversitar.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Shoqata e Matematikanëve të Kosovës përmes një komunikate për media.

Kjo është komunikata e plotë:

Përfundoi me sukses Olimpiada e 10-të Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2021. Ekipi i Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze fitoi një Medalje të Argjendtë. Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë prestigjioze ndërkombëtare për nxënës të arsimit parauniversitar.

EGMO është gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e Evropës dhe shumica e vendeve jashtë Evropës marrin pjesë në cilësinë e mysafirëve, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës. EGMO është kampionati evropian i matematikës për nxënëset e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Erës është vërtet e jashtëzakonshme.

Rikujtojmë se këtë vit nxënësja Era Syla, falë edhe sukseseve në olimpiada ndërkombëtare të matematikës, është pranuar për të studiuar matematikë në njërin ndër universitetet më të mira të botës, në MIT – Massachusetts Institute of Technology, në SHBA.

Ky sukses i Erës para së gjithash është rezultat i talentit të saj për matematikë dhe i punës e përkushtimit të saj të palodhshme.

Po ashtu, ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa mbështetjen profesionale të kolegëve e anëtarëve të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës. Me këtë rast, një falënderim të veçantë e meritojnë udhëheqësit e ekipit të Kosovës: Lideri i ekipit, matematikani Valmir Krasniqi dhe zëvendëslideri i ekipit, matematikani Dorlir Ahmeti, të cilët për vite me radhë kanë dhënë kontribute të rëndësishme për përgatitjen profesionale të nxënësve olimpiadistë të talentuar në matematikë.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon nxënësen Era Syla për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze!

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës.