Vjosa Osmanit i kanë mbetur veç edhe dy rrugë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme - Gazeta Express
string(80) "vjosa-osmanit-i-kane-mbetur-vec-edhe-dy-rruge-para-zgjedhjeve-te-jashtezakonshme"

Lajme

Gazeta Express

12/01/2021 17:08

Vjosa Osmanit i kanë mbetur veç edhe dy rrugë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Lajme

Gazeta Express

12/01/2021 17:08

Tashmë ligjërisht Osmanit i ka mbetur që të garojë e vetme në një iniciativë qytetare, apo të shkrihet në një listë të përbashkët me ndonjë parti. Koalicionet mes partive kanë afat të regjistrohen si të tilla vetëm deri në orën 18:00. Çfarë po ndodh me bashkëpunimin e saj me Lëvizjen Vetëvendosje?

Asnjë bashkëpunim ende nuk është finalizuar mes partive politike. Ani pse sot është afati i fundit për dorëzim të koalicioneve, gara e 14 shkurtit i ka bërë skeptikë pak ata që po tentojnë të ju hyjnë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lexo Edhe:

LDK dhe AKR me gjasë do të garojnë me një listë të përbashkët, PDK-ja dhe Nisma po qëndrojnë në heshtje, derisa një bashkëpunim që nuk ka marrë formë konkrete po pritet mes Vetëvendosjes e Vjosa Osmanit, shkruan Gazeta Express.

Tashmë sinjale pozitive janë dhënë veç nga partia e Isa Mustafës që sipas të gjitha gjasave do të garojë me një listë të përbashkët me AKR-në e Behgjet Pacollit. Sipas këtyre të fundit, bashkëpunimi pritet të finalizohet sot pasdite.

Në anën tjetër, në një status që nuk po përkthehet në bashkëpunim janë bisedimet e nisura mes PDK-së e Nismës.

Këto dy subjekte janë larg një koalicioni që mund të finalizohet në pak orë që kanë mbetur. Takime mes krerëve të subjekteve kanë ndodhur, siç është deklaruar edhe publikisht, por, që nuk dihet saktësisht se çka është duke i mbajtur palët jashtë një marrëveshje.

Në heshtje sa i përket ndonjë bashkëpunimi të mundshëm në koalicion janë duke qëndruar edhe në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në iniciativën e Vjosa Osmanit “Guxo”.

Nga dy palët kanë shprehur gatishmëri që së bashku të shkojnë drejt zgjedhjeve të 14 shkurtit, megjithatë, nuk ka deri më tani detaje nga bisedimet për marrëveshje e as ndonjë koalicion parazgjedhor.

Express ka pyetur në kabinetin e Osmanit për mënyrën e bashkëpunimit me LVV-në dhe atë të garimit në zgjedhje, mirëpo, deri në momentin e publikimit të lajmit nuk është kthyer përgjigje.

Ajo se çka është deklaruar deri më tani zyrtarisht është se sipas të gjitha gjasave Osmani do të shkojë drejt zgjedhjeve me një listë të iniciativës qytetare.

Eugen Cakolli nga KDI thotë se në rast se sot nuk dorëzohet ndonjë listë për zgjedhje, atëherë janë edhe disa mundësi tjera për kandidatët.

“Sot përfundon afati i subjekteve politike për dorëzimin e koalicioneve që do të garojnë në zgjedhje, kjo përbën një prej hallkave të përmbylljes së procesit të certifikimit. Kjo nuk I pamundëson subjektet, iniciativat, apo edhe kandidatët e pavarur për deputetë që do të garojnë në zgjedhje që të certifikohen brenda afatit tjetër”, ka thënë ai.

Në KDI shprehen se subjektet që nuk garojnë kanë mundësi që në afatin tjetër të garojnë me ndonjë iniciativë qytetare apo edhe të shkrihen në listën e një subjekti tjetër.

“Kjo nënkupton që përkundër përfundimit, subjektet që nuk arrijnë dakordimin kanë dy mundësi, të garojnë si iniciativa qytetarë apo parti, apo të arrijnë marrëveshje për t’u shkrirë brenda listave tjera, që pastaj nuk paraqet asnjë lloj pengese për certifikimin e tyre”, thotë Cakolli për Gazetën Express.

Në listë zgjedhore, partia e Kurtit edhe këtë herë e ka marrë Alternativen e Mimoza Kusarit.

Afatet ligjore për t’u regjistruar si parti politike të iniciativës së Osmanit tashmë kanë kaluar. Sipas ligjit, aplikimet për certifikim të një subjekti politik duhet të dorëzohen 60 ditë para zgjedhjeve.

Sa i përket Nismave qytetare, që e ka paralajmëruar Osmani, ligji për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thotë se nisma qytetare trajtohet si subjekt politik nga dita e certifikimit të saj deri sa nisma qytetare të dorëzojë raportin përfundimtar të Publikimit Financiar të Fushatës sipas nenit 40.2 (b) të këtij ligji.

Në këtë ligj saktësohet edhe çka do të thotë termi Nismë qytetare.

‘’“Nisma Qytetare” do të thotë grupi i personave të cilët bashkohen vullnetarisht mbi bazën e një ideje, interesi ose pikëpamje të përbashkët, me qëllim zgjedhjen e kandidatëve të tyre, por që nuk dëshirojnë të formojnë parti politike”, thuhet në këtë ligj./GazetaEXPRESS/