Salih Mustafa largohet nga salla e gjykimit në Hagë - Gazeta Express
string(51) "salih-mustafa-largohet-nga-salla-e-gjykimit-ne-hage"

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 13:14

Salih Mustafa largohet nga salla e gjykimit në Hagë

Lajme

Gazeta Express

15/09/2021 13:14

Pas pauzës që u mbajt në gjykimin e sotëm të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, kryetarja e trupit gjykues, Mapi Feld-Folia tha se ky i fundit nuk dëshiron të jetë i pranishëm më në gjykim.

“Klienti i juaj nuk dëshiron të jetë i pranishëm më këtu dhe është rregulla 68 (4) me kusht që të gjitha kushtet të plotësohen i akuzuari mund të refuzojë”, iu drejtua ajo mbrojtësit të Mustafës, avokatit Julius Von Boné.

Lexo Edhe:

“Nuk do të qëndroj i pranishëm sot më”, ka thënë avokati i Mustafës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo deklaroi se edhe në rastin që nuk parashikohet nga rregullorja, do ua jap fjalën prokurorisë dhe mbrojtjes së viktimave, por para se të bëj këtë, dëshiron të kalojnë disa nga kushtet e parashikuara në paragrafin 4

“Është bërë paraqitja fillestare, zoti Mustafa është në dijeni të faktit që në parim prania e tij është e nevojshme, nuk është këtu, por në parim kërkohet të rri dhe një pjesë e rëndësishme është se ka heq dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm me vullnetin e tij të lirë”, ka deklaruar gjykatësja.

“Po, hoqi dorë nga e drejta për të qenë këtu i pranishëm gjatë seancës të sotme. E di që parashikohet e drejta për t’u gjykuar, nuk e di si është formuluar konkretisht kjo dispozitë”, tha avokati i Mustafës.

“Është gjyqi që po zhvillojmë, një gjë tjetër që ka rëndësi është që ju do të jeni i pranishëm dhe përfaqësoni të drejtat dhe interesat e tij”, vazhdoi tutje gjykatësja, të cilën gjë e pohoi edhe avokati, duke shtuar se do të përfaqësoj të drejtat e klientit të tij.

Kurse, prokurori i specializuar Jack Smith tha se preferenca e tyre është që të jetë i pranishëm i akuzuari dhe ia lë trupit gjykues të vendosë për këtë.

“Duam të jetë e qartë në procesverbal se me vullnetin e tij ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qenë i pranishëm. Duam të jetë e qartë në procesverbal për më vonë, se mund të thuhet se u privua nga e drejta për të qenë i pranishëm”, tha Smith.

Mbrojtësja e viktimave, Anni Pues tha se pikë së pari me rregullën 68, parimet e parashikuara kanë të bëjnë më praninë e të akuzuarit dhe po të shihet paragrafin 1, ai gjykohet në praninë e tij.

“Për mendimin tonë është mospërfillje e qartë dhe mungesë respekti për viktimat që ai largohet. Por ky është parimi dhe qëllimi i rregullës që të jetë i pranishëm, kur është i lirë i akuzuari duhet të tregoj arsye për mosprezencë, nëse nuk është i lirë dhe paraqitet në paragrafin 4, në fund të paragrafin d thuhet qartë se të gjitha këto kushte duhet plotësuar dhe në diskrecion të trupi gjykues nëse prania e tij, për ta urdhëruar ose jo të jetë i pranishëm”, ka thënë ajo.

Tutje, mbrojtësja e viktimave tha se nuk dëshiron që kjo të ndodhë çdo ditë.

“Do të doja të keni parasysh se mos kjo gjë ndodh çdo ditë që i akuzuari të vendos nëse do të rri apo jo, për shembull nëse dëshmitarët që do të paraqiten, që është traumatike për ta, të kenë mundësinë të përgatiten a do të ballafaqohen me praninë e tij apo jo”, tha Anni Pues.

Ndërkaq, avokati Julius Von Boné, që mbron të akuzuari, tha se nuk mund të thotë që do të jetë gjë e zakonshme kjo, por sot ndodhi si ndodhi dhe nuk mund të thotë diçka për të ardhmen

Kurse, tha se çdo herë do të ketë një dokument nëse i akuzuari dëshiron të jetë i pranishëm apo nuk do të jetë, apo do jetë me videolink.

Avokati i Mustafës, Julius Von Boné deklaroi se nuk kërkohet prania e të mbrojturit të tij.

“Unë e kuptova ndryshe, e nderuara kolege citoi rregullën 68, faktikisht është 68 (4) që është kumulative. Rregulla 68 (4) këto çështje janë kumulative nga A deri te E, jo nga 1 deri te 6”, tha avokati Von Bone.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues, tha se do të konsultohet me kolegët e saj, por nuk do ta bëjnë këtë në sallë, ku më pas u larguan nga salla.

Pas kthimit në sallë, ajo tha se do të jap një urdhër gojor në përputhje me rregullën 68 (4) të rregullores.

“Theksoj se në këtë çështje ka pasur një paraqitje të parë, i akuzuari është njoftuar në mënyrën e duhur dhe duhet të jetë i pranishëm, në mënyrë vullnetare ai ka hequr dorë nga e drejta e të qenit i pranishëm dhe avokati i tij është i pranishëm dhe do të përfaqësoj interesat e tij gjatë kësaj seance. Trupi gjykues është i mendimit se prania e të akuzuarit është e nevojshme edhe pse jo e nevojshme në këtë rast. Ky refuzim për tu paraqitur, kjo lidhet vetëm me pjesën e mbetur të seancës së sotme, gjykata e mban të drejtën diskrecionale në të ardhmen që ta detyroj të jetë i pranishëm edhe kur heq ai heq dorë nga kjo e drejtë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, tha se sekretarja mund të organizoj kthimin e Mustafës në objektin e paraburgimit.

“Duhet të lajmëroni klientin e tij që nuk do ta lejojmë në seancat në të ardhmen që të përdor gjuhë pa kurrfarë respekti lidhur me palët apo pjesëmarrësit siç ishte gjuha kur përdori kur iu referua ZPS”, tha ajo, duke iu referuar asaj që Mustafa e quajti ZPS-në “Zyra e Gestapos”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe, gjatë seancës që po mbahet sot, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./BetimipërDrejtësi/