Sa ditë do t’i shfrytëzojnë partitë politike për fushatë - Gazeta Express

Sa ditë do t’i shfrytëzojnë partitë politike për fushatë

Lajme

Gazeta Express

16/09/2021 8:15

Disa prej partive kanë dorëzuar mundësinë e fushatës njëmujore, siç thonë ato, për hir të shëndetit publik. Asnjë institucion shtetëror nuk ka vendosur për fushatë të shkurtuar. Ka mbetur në dorën e partive se sa ditë do t’i shfrytëzojnë për t’i bindur qytetarët për votë.

Valona Hasani

Lexo Edhe:

Para dy ditësh, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se subjekti që ai drejton do t’i mbajë vetëm 5 ditë fushatë në zgjedhjet lokale.

LDK-ja e ka parë të arsyeshme që për shkak të situatës së rënduar me Covid-19 të vendosin në rend të parë qytetarin e pastaj zgjedhjet.

Iniciativa e Abdixhikut u përkrah edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë. 

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka theksuar që subjekti i tij do t’i minimizojë ditët e fushatës zgjedhore.

Nga një muaj në 5 ditë do të shfrytëzohen për fushatë nga këto dy subjekte politike.

Ndryshe prej këtyre dy subjekteve, Qëndron Kastrati nga PSD ka dhënë qëndrim tjetër sa i përket kohëzgjatjes se fushatës zgjedhore.

“Zgjedhjet lokale janë instrumenti më i rëndësishëm i demokracisë. Duke qenë hallka e parë e komunikimit me qytetarë, është e domosdoshme që në fushatë parazgjedhore të shkëmbehen vizioni, planet dhe idetë për 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Kastrati për Express

Ai ka shtuar që për shkak të situatës në të cilën gjendet Kosova do të bëhen edhe takime nëpërmjet mjeteve elektronike.

“Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme pandemike, fushata duhet të fokusohet kryesisht në hapësirën virtuale, takime të vogla dhe të shmangen tubimet e mëdha.”

Nga VV-ja dhe nga partia më e madhe opozitare PDK-ja nuk janë përgjigjur rreth qëndrimeve të tyre në lidhje me këtë.

Edhe pse pati përpjekje, data e zgjedhjeve nuk u ndryshua. Ato do të mbahen me 17 tetor, ka konfirmuar presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me përfaqësues të partive politike. Partitë opozitare donin që të mos shtyhet data, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kërkonte që zgjedhjet të mbahen më vonë.

 “Mënyra e vetme për të shtyrë zgjedhje është dakordimi mes partive në pushtet dhe në opozitë. Ky është standard ndërkombëtar, pra si presidente e vendit e kam obligim të marrë vendime pasi t’i kem konsultuar këto subjekte. Përkundër rekomandimit të ekspertëve shëndetësorë, për ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike, partitë politike nuk u pajtuan me shtyerjen e zgjedhjeve. Unë do ta respektoj këtë, por assesi nuk do të thotë se pajtohem me këtë. Data e zgjedhjeve mbetet ashtu si ka qenë”, kishtë thënë presidentja Osmani. /Gazeta Express