Rrëfimi i të infektuarit të parë me Covid-19 në Kosovë: Si e sheh ai pandeminë shtatë muaj pas shërimit - Gazeta Express

Lajme

Gentiana Hasani

23/10/2020 18:02

Me i fundit

Rrëfimi i të infektuarit të parë me Covid-19 në Kosovë: Si e sheh ai pandeminë shtatë muaj pas shërimit

Lajme

Gentiana Hasani

23/10/2020 18:02

Para shtatë muajve ishte personi më i përfolur në Kosovë. Bëhet fjalë për Mëhill Martinin, 77-vjeçarin nga Stublla e Vitisë. Ky person ishte i pari që u infektua me virusin COVID-19 në Kosovë. Ai ka rrëfyer për Express për sfidat të cilat i ka kaluar si dhe si e ka përjetuar ndjenjën e të qenit personi i parë i infektuar me koronavirus në Kosovë.

Ditët po i kalon në malet e fshatit Stubëll të Vitisë. Aty i ruan tetë krerë lopë. Edhe pse në moshën 77-vjeçare, Mëhill Martini nga ky fshat gëzon shëndet të mirë.

Mëhill Martini – personi i parë i infektuar me Covid 19 në Kosovë

Por historia e këtij të moshuari është më e veçantë se kaq.

77-vjeçari ishte personi i parë i infektuar me koronavirus në Kosovë. Ai më 13 mars u njoftua zyrtarisht se u prek nga ky virus, megjithëqë nuk ia kishte idenë se çka ishte ky virus.

Rrëfimi i 77-vjeçarit: Në muajin mars erdha nga Italia, nuk e dija që kam COVID

Me datë 5 mars të këtij viti, Mëhill Martini nga Italia u nis me aeroplan për në Kosovë. në Itali në atë kohë, tashmë kishin nisur që të shtohen rastet me koronavirus.

Por, 77-vjeçari edhe pse kishte pasur më shumë se 5 muaj që gjendej në Itali mori rrugën për në vendlindje. Simptoma nuk kishte të COVID-it dhe pa asnjë masë mbrojtëse mori rrugën për në Kosovë.

Fshati Stubëll-Viti

Në atë kohë (mars), Kosova po bëhej gati për të pritur rastet e para me COVID-19, ngase virusi ishte afruar në shtetet fqinje të Kosovës.

Ndërkaq, i pari që u infektua zyrtarisht me COVID-19 në Kosovë, doli të jetë pikërisht ky person, 77-vjeçi nga Stublla e Vitisë, Mëhill Martini.

Në një rrëfim ekskluziv për Express, ky person 7 muaj që nga infektimi i tij ka rrëfyer gjithë historinë.

“Unë kam qenë në Itali, kam qëndru atje për disa muaj. E kam familjen atje. Po ashtu i kryej edhe disa kontrolle mjekësore në Itali. Unë me 5 mars jom kthy në Kosovë. Këtu asgjë s’ka pasë. Më mori malli për djalin, nipat e mbesat. Unë kur jam infektu nuk e kam ditë se çfarë virusi kam marrë. Në frymëmarrje kisha problem, me gjoks, krytë, fyti e të gjitha. Tash jam mirë”, rrëfen për Express 77-vjeçari.

Ai tregon për procedurat të cilat i ndoqi pas paraqitjes së simptomave të para të koronavirusit.

“Me datë 12 mars jam shtri në spital, me datë 13 më është konfirmu testi. Kisha mundim. Koka më dhimbte shumë, gjoksi. Kisha vështirësi në frymëmarrje, isha i lodhur. Pas meje u infektua edhe gruaja, po ajo e ka kaluar më lehtë. Tash edhe ajo është mirë me shëndet”, shpjegon tutje personi i parë i infektuar me COVID në Kosovë.

Ai thotë se edhe trajtimi në QKUK ka qenë i mirë. Edhe pse thotë se nuk e kishte idenë se çka është koronavirusi.

“Në QKUK neve na kanë pritë shumë mirë. Shërimi i mjekëve ndaj nesh ka qenë shumë korrekt. Maskë vnutë nuk kam pasë, kur pata ardhë. Kur unë kam ardhë në Kosovë as në Itali nuk ka pasë raste. Për virusin nuk kisha dëgju asnjëherë më parë”, thotë ai.

Tutje ky person bën apel te të gjithë kosovarët që t’i respektojnë masat anti-COVID.

“Për këta të infektumit Zoti iu ndihmoftë. Respektoni rregullat”, apelon ai.

“Për këta të infektumit Zoti iu ndihmoftë. Respektoni rregullat”, apelon personi i parë i infektuar me Covid 19 në Kosovë

Ndërsa, në Kosovë në dhjetëditëshin e fundit janë dyfishuar rastet me koronavirus. Vendit të premten i janë​ shtuar 169 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 1.119 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar dy viktima.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të premten janë regjistruar edhe 85 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 1.953.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 17.591 të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 659 pacientë kanë vdekur. /GazetaExpress/