Qeveria i ngec punët për Institutin e Krimeve të Luftës, Ministria e Drejtësisë ende në pritje - Gazeta Express

Lajme

Arlena Krivenjeva

27/11/2020 8:51

Qeveria i ngec punët për Institutin e Krimeve të Luftës, Ministria e Drejtësisë ende në pritje

Lajme

Arlena Krivenjeva

27/11/2020 8:51

Që nga fillimi i punës së Qeverisë Hoti është premtuar themelimi i një instituti të ri që do të dokumentojë krimet e luftës në Kosovë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Ministria e Drejtësisë, e pyetur nga Express, thotë se është në pritje nga Qeveria që kjo çështje të futet në rend të ditës. Gazeta ka pyetur edhe ekzekutivin për këtë temë, mirëpo ai pyetjet e njëjta ia ka përcjellë MD-së.

GAZETA EXPRESS

Qeveria Kurti kishte hyrë në procedurë të krijimit të Institutit për Krime të Luftës. Kjo çështje që nuk ishte finalizuar në ekzekutivin e kaluar, po has në probleme edhe në aktualin.

Që nga fillimi i mandatit, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar se duhet të krijohet një institut që i shërben memories kolektive dhe shpreson që kjo temë së shpejti të dërgohet në Qeveri.

“Unë rishtazi e kam dërguar kërkesën në qeveri për të themeluar grupin e ri për të treguar se si do të bëhet, apo kur do të bëhet Instituti për krime të luftës… shpresoj që mbledhjen e ardhshme të qeverisë të paraqitet ky propozim dhe të fillojë ky grupi që mund të bëjë hulumtimin e domosdoshëm për themelimin e Institutit. Pozicioni im politik dhe si bartës i institucionit është që të kemi një institut për hulumtim e krimeve të luftës që do t’i shërbejë memories kolektive tonë dhe brezave të ardhshëm”, kishte thënë Selimi.

Ministria e Drejtësisë thotë për Gazetën Express me datë 6 tetor e kanë riproceduar kërkesën që kjo çështje të futet në rend të ditës.

“Sa i përket çështjes së themelimit të Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë më datë 06.10.2020 ka ri-proceduar për në Zyre të Kryeministrit kërkesën për përfshirje në rend të ditës propozimin përkitazi me këtë çështje”, thuhet në përgjigje, ku gjithashtu sqarohet se me datë 19 tetor është aprovuar propozimi i MD-së për të themeluar grupin punues. Përbërjen e këtij grupi e cakton Selimi.            

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më datë 19.10.2020 ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilit është themeluar Grupi punues, përbërjen e të cilit do ta caktojë ministri i Drejtësisë”, thonë tutje. Në këtë dikaster kanë treguar edhe për punën që do të bëjë grupi i krijuar.

“Grupi do të bëjë përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, me theks të veçantë do të ketë mandat për çështjet si në vijim:  Të ofroj një analizë/studim të argumentuar mbi mundësinë e themelimit të një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë; Të identifikojë praktikat me të mira krahasuese dhe të pasqyrojë elementet dhe  specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës”, thonë në MD, duke shtuar se janë në pritje të këtij vendimi.

“Aktualisht jemi në pritje të këtij vendimi”, thonë ata.

Rrjedhimisht, MD-së i janë refuzuar dy herë kërkesat për këtë çështje, e tash ka një kohë që nuk është dërguar për në rend të ditës nga ekzekutivi ani pse janë përcjellë përmirësimet.

Në vendimin për krijimin e grupit punues si anëtarë të këtij grupi janë Agim Gashi nga Kryqi i Kuq, Ahmet Grajçevci përfaqësues nga Këshilli i Shoqatave të familjarëve të zhdukur, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Baki Sfirca përfaqësues nga Ministria E drejtësisë, Behxhet Shala nga KLMDNj, Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale, Fadil Gashi nga Policia e Kosovës, Feride Rushiti nga QKRMT, Hysen Azemi nga Shoqata e Arkivave të Kosovës, Jahja Lluka anëtar, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, Luigj Ndou nga ICMP, Meriman Braha nga Shoqata e të burgosurve politik, Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, Sanije Ismajli nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Sheremet Ahmeti në cilësinë ekspertit dhe Valentina Vitali nga EULEX-i.

Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte themeluar në vitin 2011, por me vendim të Qeverisë së Kosovës, drejtuar nga Ramush Haradinaj, i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018, me arsyetimin se nuk ka treguar rezultate të mjaftueshme. Deri më tani funksionon vetëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në Divizionin për Drejtësi Tranzicionale.

Instituti ishte krijuar nga Qeveria, dymbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, me iniciativën që atëherë e kishte marrë Hajredin Kuçi, që në atë kohë udhëhiqte në Ministrinë e Drejtësisë. /GazetaExpress/