Prokuroria fillon hetimet rreth sulmit të djalit të Nenad Rashiqit - Gazeta Express
string(66) "prokuroria-fillon-hetimet-rreth-sulmit-te-djalit-te-nenad-rashiqit"

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

23/02/2021 10:33

Prokuroria fillon hetimet rreth sulmit të djalit të Nenad Rashiqit

Lajme

Valmire Maliqi Jashari

23/02/2021 10:33

Nikolla, djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq është sulmuar dje nga afro 30 persona, përgjatë kohës kur ai po dilte nga shkolla në fshatin Llapnasellë të komunës së Graçanicës.

E për sulmin ndaj djalit të ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. E ndaj këtij incidenti Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet.

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ulaj tha se tetë të dyshuarit vazhdojnë të jenë në masën e arrestit dhe pritet që prokurori i rastit të bëj kërkesë për caktimin e paraburgimit.

“Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka nisur hetimet rreth rastit. Dje me vendim të prokurorit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Jemi duke pritur kallëzimin penal nga Policia e Kosovës. Më pas prokurori i rastit do të ushtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Rasti është iniciuar si “Pjesëmarrje në rrahje”.

Djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, është rrahur dje nga rreth 30 persona, teksa po dilte nga shkolla në Llapnasellë të Graçanicës, raporton Express.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.

Sipas policisë, si pasojë e rrahjes, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Graçanicës.

Për këtë rast, deri tash janë arrestuar shtatë të dyshuar.

“Shkolla “Miladin Mitic”, 22.02.2021 – 10:30. Raportohet se ka ndodhur një rrahje masive në oborrin e shkollës, ku janë të përfshirë nxënësit e shkollës dhe disa persona të tjerë. Si pasojë e rrahjes, viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Graqanicës. Janë arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit të njëjti janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Për rastin është deklaruar edhe Nenad Rashiq. Rashiq ka thënë se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiç.

Rashiq sulmin ndaj djalit e ka lidhur me aktivitetin e tij politik.

Ndaj këtij rasti kanë reaguar edhe krerët politikë në Kosovë.Ata kanë dënuar sulmin ndaj 18-vjeçarit Nikolla Rashiq, djalit të kreytarit të Partisë Progresive Demokratike në Kosovë, Nenad Rashiq.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të  Kosovës, Vjosa Osmani, dënoi sulmin duke e cilësuar si akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejtë t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qllim frikësimin e qytetarëve serbë”, ka theksuar Osmani në reagimin e saj.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë sulm ai e cilësoi si të organizuar dhe i ndërlidhur me veprimtarin politike të babait të tij Nenad Rashiq.

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë. Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”, është shprehur Kurti në rrjetet sociale.

Në lidhje me incidentin ka reaguar edhe kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale, ka dënuar fuqishëm sulmin dhe ka bërë thirrje që policia ta hetojë këtë rast dhe të arrestohen sulmuesit.

“Dënoj fuqishëm sulmin kundër djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq. Nxis policinë të hetojë këtë rast dhe të arrestojë ata që janë përgjegjës për këtë akt. Ky është i fundit në serinë e veprimeve ngacmuese të kryera kundër figurave të opozitës serbe të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj. /Express/