Letrat nga Izraeli dhe Turqia, Kurti do të jetë në udhëkryq diplomatik - Gazeta Express

Letrat nga Izraeli dhe Turqia, Kurti do të jetë në udhëkryq diplomatik

Lajme

Gazeta Express

01/03/2021 11:18

Albin Kurti gjendet midis një udhëkryqi diplomatik ende pa u zgjedhur kryeministër. Në mesin e urimeve, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të 14 shkurtit, në adresë të tij kanë shkuar edhe dy letra me mesazhe shumë të rëndësishme.

Gazeta Express

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit, vendit të fuqishëm aziatik me të cilin Kosova zyrtarizoi njohjen reciproke, në letrën e urimit, i ka thënë Albin Kurtit se do të ishte i lumtur ta mirëpriste në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, shkruhet në letrën që Netanyahu ia ka dërguar homologut të tij të ri.

Letra që Benjamin Netanyahu ia dërgoi Albin Kurtit

Ndërkohë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i shkroi Albin Kurtit duke ia kërkuar saktësisht të kundërtën, rishikimin e vendimit për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Mes urimeve, Erdogan ka thënë se mirëpret qëndrimet e partisë së Albin Kurtit, se do të shqyrtohet vendimi i Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem. Ai i ka thënë Kurtit se po të shmangej një hap i tillë do të bëhej gjëja e dobishme.

“Për më tepër, jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj  se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, shkruhet ndër tjerash në letrën e presidentit turk.

Letra që Recep Tayyip Erdogan ia dërgoi Albin Kurtit

Këyë situatë e ka komentuar profesori dhe analisti politik, Blerim Latifi. Ai ka thënë se nëse Kurti gjykon si shqiptar, duhet të shkojë në Jerusalem në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës.

“Nëse Kurti gjykon si shqiptar, shkon në Jerusalem në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës aty!
Nëse gjykon si internacionalist socialist, nuk shkon!
Nëse gjykon si islamist, prapë nuk shkon!
Koha për të vendosur midis Aleancës me Amerikën dhe Aleancës Islamo-Majtiste.
Koha për t’i thënë Erdoganit se marrëdhëniet e sotme midis Kosovës dhe Turqisë nuk mund të formulohen me terminologjinë e Perandorisë Osmane”, ka shkruar Latifi.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se do ta shqyrtojnë vendimin e Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem nëse një gjë e tillë kërkohet dhe bëhet kusht nga Bashkimi Evropian në rrugën drejt integrimit. Kështu ka deklaruar numri dy i partisë së Kurtit, Glauk Konjufca.

Edhe një prej zyrtarëve të kësaj partie që Kurti e kishte afruar afër vetes gjatë kohës sa kishte qenë kryeministër, Haki Abazi, kishte deklaruar se qëndrimi i Bashkimit Evropian ka shumë rëndësi për Kosovën rreth asaj se ku duhet vendosur ambasada, dhe sipas tij, Kurti duhet të ulet me Brukselin dhe Izraelin për ta zgjidhur atë që Abazi e konsideron ‘nyje’.

“Është komplekse të diskutohet edhe në nivelin diplomatik se, qëndrimi i BE-së lidhur me atë se ku duhet të jetë pozicioni ambasadës, është shumë i rëndësishëm, sepse për Kosovën ka rëndësi qëndrimi i Bashkimit Evropian. Mendoj që qeveria Kurti do të ulet me sinqeritetin më të madh të bisedoj edhe me shtetin e Izraelit edhe me BE-në për të tentuar që të zgjidhet kjo nyje që është krijuar pa nevojë nga qeveria e kaluar”, ka deklaruar Haki Abazi.

Bashkimi Evropian ndërkohë e ka cilësuar si një vendim për keqardhje nga ana e Kosovës, duke qenë se Brukseli vazhdon ta njoh Tel Avivin si kryeqytet.

“Në përgjithësi, është gjithnjë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Sidoqoftë, kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit” kishte deklaruar Peter Stano. /Express/