Kurti i premton Turqisë shqyrtimin e vendosjes së ambasadës në Jerusalem - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

01/03/2021 15:23

Kurti i premton Turqisë shqyrtimin e vendosjes së ambasadës në Jerusalem

Lajme

Gazeta Express

01/03/2021 15:23

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka përfillur shpejt letrën që ia dërgoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ai ka deklaruar se Ambasada e Kosovës në Jerusalem dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit, janë çështje të rëndësishme për vendin.

Por në një takim me ambasadorin e Turqisë, Çagri Sakar, Kurti gjithashtu ka thënë se vendndodhja e ambasadës është çështje që do të shqyrtohet, raporton Gazeta Express.

“Rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Sipas njoftimit të LVV-së, ambasadori turk e ka uruar Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se Turqia është e interesuar të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme.

“Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”, thuhet tutje në njoftim.

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit, vendit të fuqishëm aziatik me të cilin Kosova zyrtarizoi njohjen reciproke, në letrën e urimit, i ka thënë Albin Kurtit se do të ishte i lumtur ta mirëpriste në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ndërkohë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i shkroi Albin Kurtit duke ia kërkuar saktësisht të kundërtën, rishikimin e vendimit për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

Mes urimeve, Erdogan ka thënë se mirëpret qëndrimet e partisë së Albin Kurtit, se do të shqyrtohet vendimi i Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem. Ai i ka thënë Kurtit se po të shmangej një hap i tillë do të bëhej gjëja e dobishme.

“Për më tepër, jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj  se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, shkruhet ndër tjerash në letrën e presidentit turk.