Në një kabllogram të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të nënshkruar nga ambasadori Philip Konsett, Kosova paraqitet si “e rrënuar nga pandemia”.
Një gjë të këtillë e ka bërë të ditur gazetarja e mediumit prestigjioz ‘Politico’, Nahai Toosi. Në një sërë postimesh në llogarinë e saj në ‘Twitter’, ajo ka shpalosur detaje nga dokumenti, për të cilin Toosi thotë se është nënshkruar nga Kosnett, përcjell Gazeta Express.
Siç thotë ajo, në këtë dokument të nënshkruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, ambasada amerikane në Prishtinë paraqitet në “pikën kritike”, si dhe Kosova paraqitet si vend i shkatërruar nga pandemia.
“Kosova sillet si një vend i liruar nga pandemia Covid-19… Por Kosova është një vend i shkatërruar nga pandemia… Në SHBA, nëse nuk mbani maskë në publik mund të përfundoni duke u bërë viral; në Kosovë ka më shumë të ngjarë të bëhesh viral pse e vë maskën”, thuhet në serinë e postimeve të gazetares.
Në kabllogram, përshkruhen edhe ambientet e vështira përbrenda ambasadës amerikane në Prishtinë, të krijuara nga pandemia.
“Ambasada është me një staf të shkurtuar, kështu që stafi po merret me më shumë se pjesën e tyre të zakonshme të detyrave. Përafërsisht 20 për qind e punonjësve të ambasadës kanë kontraktuar Covid-19; shumica dërrmuese janë Stafi [i Punësuar Lokal], i cili është një tregues i kontrollit joefektiv të sëmundjes në Kosovë”, thuhet tutje.
Ajo po ashtu ka thënë se amerikanët edhe para situatës së shkaktuar nga COVID-19 kishin pasur probleme me ndotjen e ajrit, me mungesë të hapësirave gjelbruese, shanset e vogla për aktivitete në hapësirat e jashtme dhe infrastrukturën e dobët në kryeqytetin e Kosovës.
Në kabllogram, sipas saj, janë përmendur edhe qentë endacakë, që “mund të jenë agresivë kur janë të uritur”. Për këtë dhe arsye të tjera “stafi i ambasadës shpesh ka ngelur i mbyllur në kohën e krizës së COVID-19”. /Gazeta Express/
7/“Kosovo behaves like a country free from COVID-19 … But Kosovo is a country ravaged by the pandemic … In the U.S., if you don’t wear a mask in public you might end up in a viral video; in Kosovo you’re more likely to trend on social media because you’re wearing a mask.”
— Nahal Toosi (@nahaltoosi) February 20, 2021