Intervista e plotë e ambasadorit Kosnett për Express dhe T7 - Gazeta Express
string(59) "intervista-e-plote-e-ambasadorit-kosnett-per-express-dhe-t7"

Intervista e plotë e ambasadorit Kosnett për Express dhe T7

Lajme

Gazeta Express

22/02/2021 21:45

Çfarë mendon Kosnett për refuzimin e Albin Kurtit, që të intervistohet nga mediat që kritikohet? Çka thotë ai për mosbesimin e kosovarëve në virus? Pse ishte i lumtur me rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë? Çfarë thotë ambasadori amerikan për Kurtin dhe për Vjosa Osmanin?

Intervistues: Berat Buzhala 

Lexo Edhe:

Intervista e plotë e ambasadorit Kosnett dhënë për Gazetën Express dhe Televizionin 7.

T7: Z. Kosnett, faleminderit për praninë tuaj këtu sonte.

Ambasadori Kosnett: Kënaqësia është e imja, Berat. Ju faleminderit për ftesën.

T7: Dëshiroj t’ia filloj me mediat në Kosovë. Si i shihni mediat këtu në mjedisin tonë? A i përcillni?

Ambasadori Kosnett: Po, i përcjelli mediat në Kosovë dhe mendoj se kam qenë shumë i mahnitur me zhvillimin e mediave këtu prej herës sime të parë në Kosovë. Siç e dini, kam shërbyer këtu pothuajse 20 vjet më parë… po, në 2003-n. Shumë gjëra kanë ndryshuar për të mirë – disa gjëra nuk kanë ndryshuar, por mendoj se mediat janë rrëfim shumë i suksesshëm. Ka shumë larmi në opinione, mendoj se profesionalizmi është përmirësuar shumë dhe mendoj se është me rëndësi që ka kaq shumë gazetarë hetues, që janë të gatshëm të hetojnë në emër të popullit dhe t’i zbulojnë problemet.

T7: Kemi qejf të mendojmë se ne, mediat këtu jemi më pluralë, të themi ashtu, se mediat në vendet fqinje. Do të thotë ka media këtu që kritikojnë të themi Vetëvendosjen, disa e kritikojnë PDK-në, por nuk ka media si në vendet e tjera që janë në një anë, janë pro-qeverisë, siç ka raste në vendet e tjera. A e keni këtë përshtypje edhe ju?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se shumë shtëpi mediatike këtu në Kosovë janë shumë të mira për të bërë dallimin në mes të raportimit të lajmeve, të fakteve dhe opinioneve të tyre, përfshirë edhe preferencat e tyre politike. Kjo është me rëndësi në mediat edhe në SHBA. Gjithmonë shpresojmë që mediat do të prezantojnë faktet me saktësi edhe në qoftë se kanë pikëpamje politike. Edhe diçka për mediat, meqë ia filluat me to, mendoj se është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët, në vendin tim, në Kosovë, kudo, që të dëgjojnë pikëpamje të ndryshme e të mos gjejnë vetëm një stacion televiziv apo një uebfaqe që i bën të ndjehen rehat, që ua ushqen pikëpamjet e tyre për botën. Duhet të dëgjoni edhe pikëpamje të tjera.

T7: Kohëve të fundit po përjetojmë një problem ku politikanët nuk duan të intervistohen nga mediat që i kritikojnë ata. P.sh. në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk deshën të intervistoheshin nga ky televizion. Ata përzgjodhën një televizion tjetër, por ky nuk ishte rasti i vetëm. Edhe në të kaluarën ka pasur politikanë që e kanë bërë këtë. Çka mendoni për këtë? A duhet t’ju japin më shumë mundësi mediave që i kritikojnë ata?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se është me rëndësi që figurat publike të jenë të gatshëm për të folur me një gamë mediash, e jo vetëm të shkojnë në ndonjë program ku mendojnë se do të kenë pyetje të lehta. Mendoj se të gjithë në jetën publike duhet të jenë të gatshëm të përballen me pyetje të vështira, ashtu siç ne, si diplomatë nuk arrijmë përparim duke folur vetëm me miqtë tanë. Nganjëherë duhet të flasim me kundërshtarët tanë. Duhet të kemi biseda të vështira e jo vetëm të lehta.

T7: Një pyetje të vështirë për ju. Ta ndërrojmë temën e të kalojmë te Covid-i. A e keni lexuar atë artikullin në Politico për një kabllogram që pretendojnë se ishte i juaji rreth gjendjes nga Covid-i në Kosovë që e ka rrënuar Kosovën.

Ambasadori Kosnett: Sigurisht.

T7: Dua të them, si u bë që artikulli u botua? A nuk është sistemi i mbrojtur nga këto lloj nxjerrjesh të fshehtave?

Ambasadori Kosnett: Nuk flasim për raportimet tona të brendshme, kështu që nuk mund t’ju shkoj pikave një nga një të gjitha gjërave që ishin shpalosur në Politico. Por, më lejoni t’jua shpjegoj pse ambasadat, pse ambasadat amerikane i raportojnë Uashingtonit rreth kushteve në vendet nikoqire. Arsyeja kryesore që e bëjmë këtë është të shpjegojmë jo vetëm për ato me çka përballet stafi i ambasadës, por me çka përballen edhe nikoqirët tanë. Kur i raportojmë Uashingtonit p.sh. për cilësinë e ajrit – nuk është fshehtësi që cilësia e ajrit në Prishtinë nuk është e mirë. Nuk e bëjmë këtë vetëm për tu ankuar, e bëjmë sepse përpiqemi që të promovojmë infrastrukturë energjetike në Kosovë që do të trajtojë shqetësimet e shëndetit publik, si dhe ato ekonomike. Kur flasim për sfidat ndaj sistemit shëndetësor, nuk është befasi. Mjekët, profesionistët mjekësorë në Kosovë janë heronj, por infrastruktura mjekësore ka nevojë për përmirësim dhe SHBA-ja dëshiron të ndihmojë për këtë. Pra, mendoj se sfidat me të cilat përballemi këtu, nuk ka të bëjë me punonjësit amerikanë që ankohen se jeta jonë këtu është kaq e vështirë. Neve na pëlqen jeta në Kosovë. E duam popullin e Kosovës – sërish, kjo është hera ime e dytë në Kosovë dhe isha shumë i lumtur që u ktheva. Një prej arsyeve pse njerëzit në ambasadat amerikane, jo vetëm në Kosovë sepse kjo është çështje globale, mezi s’po presim që të vaksinohemi si të gjithë të tjerët…

T7: A do vaksinoheni? A ka ndonjë plan qeveria juaj për të vaksinuar stafin? Sepse në atë storie …

Ambasadori Kosnett: Po, me kohë. Tashmë e kanë vaksinuar stafin në disa shtete jashtë vendit dhe eventualisht, jam i sigurt, të gjithëve do t’ju vijë radha. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë qytetarët e vendeve të tjera. Administrata e Bidenit ka bërë një lajmërim të rëndësishëm se do t’i zotojë 4 miliardë dollarë – fillimisht 2 miliardë e më vonë edhe 2 miliardë të tjera – për mekanizimin Covax, që është mekanizmi ndërkombëtar i bashkëpunimit për të ndihmuar vendet e tjera për sigurimin e vaksinës. Pra, nuk po mendojmë në mënyrë të kufizuar vetëm për stafin tonë, po mendojmë globalisht si t’i përmirësojmë kushtet për të gjithë.

T7: A mendoni se edhe Kosova mund të përfitojë nga kjo ndihmë, meqenëse jemi prapa rajonit në këtë aspekt? Dua të them, shumë vende në rajon tashmë kanë filluar vaksinimin, si Maqedonia, që ka blerë vaksina nga Kina, Serbia i ka marrë nga Rusia dhe vendet perëndimore, si dhe Shqipëria, por ne … madje edhe kryeministri i ardhshëm Albin Kurti ka thënë se nuk duam të blejmë vaksina nga Kina dhe Rusia, por i presim nga shtetet perëndimore.

Ambasadori Kosnett: Ky është qëllimi i mekanizmit Covax. Që të gjejë mënyra që vendet të bashkëpunojnë ndërkombëtarisht, që vendet që iu nevojitet më së shumti të marrin vaksinën. Pra, absolutisht Kosova do të jetë në radhë. Do të dëshiroja të di kur do të vaksinohen të gjithë; nuk e di ende. Në këtë artikullin që e përmendët kishte edhe diçka tjetër. Njerëzit mendojnë se amerikanët po ankohen që Kosova nuk e merr virusin seriozisht. Paj…

T7: Është realitet. Është kultura.

Ambasadori Kosnett: Le të jemi të sinqertë… Faleminderit Berat! Kam folur për këtë për një kohë të gjatë. Nuk ka të bëjë aq shumë me qeverinë. Ka të bëjë me qëndrimin e publikut. E dini, njerëzit këtu janë trima, janë të fortë, nuk duan të frikësohen nga virusi.

T7: Më me dëshirë hidhemi në ujë se sa…

Ambasadori Kosnett: Njerëzit janë të fortë.

T7: Nuk është mirë, por ky është realiteti.

Ambasadori Kosnett: Por nëse përballeni me betejë të vështirë, i përdorni armët, i përdorni veglat që i keni dhe për këtë arsye mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të bartin maskën, të lajnë duartë dhe të mbajnë distancën sociale. Kjo nuk është deklaratë politike.

T7: Shembulli i mirë është se gjatë gjithë kësaj kohe sistemi ynë shëndetësor rezistoi, madje edhe pse ishte i stërngarkuar deri në kufi, spitalet në Kosovë disi ia arritën ta përmbajnë pandeminë. A e keni edhe ju këtë përshtypje?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se personeli mjekësor ka qenë absolutisht heroik, por, janë pothuajse 2 mijë të vdekur në Kosovë, siç janë pothuajse gjysmë milioni në SHBA. Kjo nuk paraqet situatë ku ne i kemi të gjitha përgjigjet dhe që amerikanët kanë bërë gjithçka siç duhet. Të gjithë ne ende po mësojmë për këtë çdo ditë. E di që njerëzit kanë sugjeruar se, oh, po, amerikanët janë hipokritë, apo ankohen. E kuptoj këtë pikëpamje. Por, dua ta theksj se duam të jemi këtu për t’i mbështetur miqtë dhe fqinjët tanë në Kosovë dhe kur amerikanët në ambasadë thonë duam të vaksinohemi, duam të dalim prapë jashtë – pjesërisht kjo është sepse iu mungojnë miqtë e tyre kosovarë. Iu mungon mundësia për t’u takuar me miqtë e tyre, për të mbajtur takime afariste sy më sy, nuk duan vetëm të qëndrojnë të ngujuar në shtëpitë e tyre po aq sa çdokush tjetër. Amerikanët këtu, ashtu si kosovarët, kanë miq, kanë familje që po vuajnë dhe mezi po presin që të gjithë që të marrin frymë më shlirë.

T7: A e keni pasur ju personalisht virusin?

Ambasadori Kosnett: Jo, nuk e kam pasur ende.

T7: Mirë, po stafi i juaj a është i sigurt? A e keni arritur atë imunitetin e tufës ende në ambasadë apo jo?

Ambasado Ambasadori Kosnett: Jo. Shumë veta nga stafi ynë kanë vuajtur nga Covid-i dhe siç e dini disa njerëz vuajnë shumë keq nga sëmundja dhe ka të tjerë që jo aq shumë.

T7: Pothuajse 80% janë asimptomatikë, siç e thotë shkenca.

Ambasadori Kosnett: Po, nuk jemi imunë. Nuk jemi të posaçëm dhe imuniteti diplomatik nuk vlen për virusin.

T7: Z. ambasador, ndoshta jemi prapa rajonit përkitazi me mjedisin, apo shumë çështje të tjera, por duket që jemi kampionë sa i përket demokracisë. Kështu, dita e zgjedhjeve ishte ditë historike. Prej 2014, Kosova i ka pasur pesë kryeministra. Ishte kryeministri Thaçi, kryeministri Mustafa, kryeministri Hoti, kryeministri Haradinaj, kryeministri Kurti, kurse në rajon kemi parë vetëm një kryeministër qe dhjetë vjet. A është kjo gjë e mirë apo e keqe?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se me siguri flas për shumë njerëz kur them se shpresoj që Kosova të hyjë në një valë ku nuk do të ketë kaq shumë zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, isha shumë i lumtur, shumë i mahnitur me rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Duket që ishin të lira, të drejta, sigurisht që u mbajtën në mënyrë të sigurtë dhe profesionale. Sigurisht janë disa hetime duke u zhvilluar dhe gjithmonë ka mësime që nxirren. I njoh Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin mjaft mirë tashmë dhe mendoj se është e qartë që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin për ta formuar qeverinë dhe për ta udhëhequr vendin dhe mendoj se ata kanë vizion e energji dhe kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën.

T7: A jeni takuar me ta pas zgjedhjeve?

Ambasadori Kosnett: Jam takuar me ta shumë herë, përfshirë edhe pas zgjedhjeve.

T7: Ajo që mund ta lexoj nga qëndrimi i Departamentit të Shtetit dhe i BE-së dhe nga intervistat e Albin Kurtit, mendoj se kemi një zbrazëtirë. Dua të them se në fjalimin e tij të parë, Albin Kurti ka thënë se dialogu nuk është ndër prioritetin e tij të parë, madje as i shtati. Si e komentoni këtë?

Ambasadori Kosnett: Së pari, mendoj se qeveria ime mirëpret mundësinë për të pasur marrëdhënie bashkëpunuese dhe partneriteti me Qeverinë e Kosovës. Administrata e Bidenit e ka bërë shumë të qartë, nuk po flasim vetëm për Kosovën, por për të gjithë partnerët tanë se duam të kemi marrëdhënie të respektueshme dhe bashkëpunuese. Është një qasje paksa më e ndryshme nga ajo që nganjëherë e kemi parë në të kaluarën. Pra, pres me padurim që të kem shumë biseda me Qeverinë e Kosovës, kur të formohet, kur të bëhet, për drejtimin që politikat duhet të marrin. Shumë prej prioriteteve për të cilat flet zoti Kurti, luftimi i korrupsionit, ndërtimi i sundimit të ligjit, krijimi i mundësive ekonomike, këto janë prioritete edhe për qeverinë time, Berat, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë gjatë 20 viteve të shkuara. Nuk ka pikë dyshimi në këtë. Kur zoti Kurti thotë, në rregull, dialogu, politika e jashtme, do ta lëmë atë pak më poshtë – përvoja ime është se bota nuk pret. Një qeveri amerikane e ka thënë këtë në të kaluarën. Nganjëherë vijnë në pushtet dhe thonë se dy vitet e para, katër vitet e para do të merremi me politikën e brendshme, e pastaj do të shqetësohemi për politikën e jashtme. Kjo është paksa e vështirë për t’u bërë, prandaj nuk do të lidhesha shumë për këtë pikë.

T7: A keni folur me të për këtë?

Ambasadori Kosnett: Po dhe e kam thënë privatisht dhe publikisht se, e them sërish, se duam të kemi marrëdhënie bashkëpunuese. Duam të dëgjojmë e jo vetëm t’ju flasim, por t’i dëgjojmë partnerët tanë në Kosovë dhe në Serbi, në rajon për çështje si dialogu, si integrimi ekonomik rajonal. Pra, dëshirojmë që të ecim përpara me mendje të hapur, e në këtë aspekt kemi thënë, Sekretari i Shtetit Blinken ka thënë se nuk do të hedhim poshtë tërë punën që është bërë për Ballkanin nga administrata paraprake. Duam t’i rishikojmë me kujdes, t’i rimendojmë dhe të mbajmë atë që e vlen për të mbajtur. Prandaj, gjithashtu do të inkurajoja edhe të tjerët që të jenë mendjehapur dhe të shqyrtojnë bashkërisht çka është bërë në të kaluarën që ia vlen për t’u ruajtur për të ardhmen.

T7: A do të jetë administrata amerikane më aktive në kërkim të paqes në Ballkan viteve të ardhshme sepse, ta themi kështu, administrata e Trumpit, dua të them Albini ka pasur ca probleme me atë administratë, nuk është fshehtësi kjo, por të paktën gjatë administratës së Trumpit kemi parë punë intensive për të bërë diçka këtu. Por, gjatë tetë viteve të administratës së Obamës nuk kemi parë që është punuar shumë për rajonin. Cila do të ishte qasja e administratës së Bidenit ndaj rajonit?

Ambasadori Kosnett: Kështu, nëse e marrim pamjen e gjerë strategjike, mendoj se qëllimet fundamentale të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Ballkanit nuk ndryshojnë aq shumë nga një administratë te tjetra. Çka duam? Duam paqe në rajon, duam përparim, duam sundim të ligjit. Këto gjëra themelore nuk ndryshojnë. Qëllimi ynë i përgjithshëm është që të shohim Kosovën duke u bërë më e vetëmjaftueshme dhe të jemi të sinqertë, të bëhet më shumë partnere e barabartë për shtetet në rajon, si dhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tani, përkitazi me specifikat, cilat programe, cilat nisma mund t’i ndjekë administrata e Bidenit, është pak herët për t’iu përgjigjur kësaj. Mbani në mend, kemi vetëm disa javë me këtë administratë. Pra, kolegët e mi në Uashington, në konsultime me ambasadat jashtë vendit, ende janë duke i hartuar pikat specifike se si do të duket politika e jonë. Prandaj, nuk dua të spekuloj.

T7: Ish-administrata e ka thënë se do të kemi paqe në rajon përmes zhvillimit ekonomik. Kjo dallonte nga administratat e tjera. A mendoni se do ta vazhdoni këtë shtegtim që e ka filluar administrata e Trumpit apo do të shohim ndryshime?

Ambasadori Kosnett: Do të prisja të shohim disa ndryshime taktike, por sigurisht zhvillimi ekonomik dhe integrimi ekonomik rajonal do të mbesin pjesë e programit tonë për Ballkanin. Kosova përbën treg shumë të vogël. Duhet që të ketë mundësinë për të integruar ekonominë e vet në rajon; duhet që të ketë mundësinë për të integruar rrjetin e vet energjetik në rajon. Madje edhe në SHBA, njëri nga shtetet federale vendosi të ketë rrjet të ndarë energjetik, e të mos integrohej me të gjitha shtetet e tjera dhe vuajti shumë keq…

T7: Teksasi…

Ambasadori Kosnett: disa javëve të fundit. Për shumë gjëra për të cilat flasim në Kosovë duhet t’i shqyrtojmë përvojat anembanë botës, prandaj kur marrim parasysh diçka si e ashtuquajtura Marrëveshja për Mini-Shengen, e di që njerëzit në Kosovë janë skeptikë ndaj saj, por qëndrimi ynë është se Kosova duhet ta ketë ekonominë e vet të integruar në rajon. Nëse nuk ju pëlqen ky apo ai propozim, Kosova nuk duhet vetëm që ta kthejë shpinën; uluni në tavolinë me fqinjët tuaj dhe vendosni si të ecni përpara sepse edhe fqinjtë tuaj kanë nevojë që Kosova të jetë pjesë e ekonomisë rajonale po aq sa edhe ju keni nevojë për ta.

T7: Gjatë fushatës, Kurti dhe Haradinaj e kanë përmendur… në një intervistë rishtasi me Euroneës kur u pyet për bashkimin e Kosovës me Shqipëri, Kurti tha se në rast të referendumit, ai do të votonte Po. Gjatë fushatës zgjedhore edhe Haradinaj e ka përmendur idenë e bashkimit me Shqipërinë. Kohëve të fundit, ju keni thënë se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për krijimin e Shqipërisë së Madhe apo edhe për krijimin e Serbisë së Madhe. Çka keni menduar me këtë?

Ambasadori Kosnett: Çka kam menduar me këtë? Së pari, qëndroj prapa asaj që kam thënë. Vizioni i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin nuk është Shqipëria e Madhe dhe Serbia e Madhe. Njerëzit kanë pyetur, cilët ushtarë amerikanë kanë vdekur? Kur flas për ta, atëherë flas për dy pilotë amerikanë të helikopterit, që kanë vdekur në vitin 1999 gjatë operacioneve këtu. Ata kanë vdekur kur helikopteri i tyre është rrëzuar në Shqipëri. Kevin Riker dhe David Gibbs. Kjo nuk është fshehtësi. Në Prizren është ngritur memorial në nderim të tyre, por gjithashtu e kam thënë dhe mendoj se kjo është me rëndësi që Kushtetuta e Kosovës bën thirrje që Kosova të jetë vend shumetnik e jo vend i vetëm një etnie. Të njëjtën gjë ua përmendim edhe njerëzve në vendet e tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara e marrin një pjesë të madhe të fuqisë së tyre nga fakti që jemi vend me larmi fetare dhe shumetnik. Nga kjo nuk e marrim vetëm larminë kulturore; marrim edhe larminë e ideve dhe mendoj se do të ishte e vështirë për çfarëdo qeverie amerikane se përgjigja për paqe në Ballkan qëndron në ndarjen e të gjithëve sipas etnisë dhe ndërtimit të mureve. Duhet të ndërtojmë ura e jo mure.

T7: Por, argumenti kryesor i njerëzve që lobojnë për bashkim me Shqipërinë është mungesa e perspektivës për kosovarët. Po mbahemi të izoluar më shumë se çdo vend tjetër në rajon. Të themi p.sh. disa prej serbëve në Kosovë kanë pasaportë serbe, kanë dyshtetësi, mund të udhëtojnë, por kosovarët po mbahen në geto. Mungesa e perspektivës bën që njerëzit të mendojnë për të gjetur zgjidhje të tjera. A nuk është ky realiteti?

Ambasadori Kosnett: Nuk do të përpiqem të hyj brenda mendjes së të gjithë atyre individëve që kanë folur për këtë. Mendoj se e ardhmja e Kosovës nuk qëndron në izolim, apo të përdori fjalën tuaj, të jetesës në geto. Kosova duhet që të jetë pjesë e Evropës së madhe e jo vetëm e Shqipërisë së madhe. Natyrisht, si amerikan, e kam të lehtë për të thënë që BE-ja duhet t’ju ofrojë kosovarëve liberalizim të vizave.

T7: Po, por, zoti ambasador, kërkoj falje që po ju ndërpres. Kemi parë që madje edhe ish-administrata, si dhe kongresisti Eliot Engel shumë shpesh i bëjnë thirrje Evropës për t’iu dhënë vizat kosovarëve, dua të them mundësinë për udhëtim të lirë kosovarëve, por vazhdojmë të mbahemi kështu dhe kur një vend është i varfër, kur një vend është i izoluar, askush nuk e pëlqen atë vend dhe kjo është arsyeja përse fillojmë ta humbim besimin në Kosovë dhe fillojmë të shohim për ndonjë mundësi ku të shkojmë diku më mirë.

Ambasadori Kosnett: Mendoj se populli i Kosovës duhet të ketë besim të madh në të ardhmen. Një prej gjërave që me të vërtetë më ka lënë mbresa kur jam kthyer në Kosovë para dy vite e gjysëm ishte ky brez i ri i mahnitshëm i kosovarëve shumë të talentuar, të arsimuar mirë, që flasin shumë gjuhë, që mund të jenë të suksesshëm kudo nëpër botë, por prapë se prapë përpiqen që t’ia dalin në Kosovë, që të ndërtojnë të ardhmen këtu për vete dhe për familjet e tyre. Jam i sigurt se e keni vizituar Qendrën Inovative të Kosovës. Njerëz të mahnitshëm, me ide të jashtëzakonshme. Shumë prej ktyre ndërmarrjeve tashmë kanë lidhje me vendet apo ndërmarrjet e tjera në rajon. Ata nuk mendojnë çka mund të bëjë qeveria për ta; vetëm duan të zhvillojnë biznesin e tyre. Një prej arsyeve përse në Amerikë jemi kaq të lumtur që Kosova dhe Izraeli kanë vënë marrëdhënie diplomatike, nuk është se vetëm për shkak se është edhe një flamur, edhe një njohje. Izraeli është vend pothuajse pa asnjë burim natyror, me shumë armiq, kanë pasur jetë shumë të vështirë; ende është shtet i ri si Kosova, por kanë arritur të ndërtojnë ekonomi të jashtëzakonshme duke përdorur fuqinë mendore të të rinjve, veçanërisht në sektorin e teknologjisë. Prandaj, shpresojmë që Izraeli do të jetë jo vetëm shembull, por partner që edhe Kosova të ndërtojë një ekonomi të ngjashme dhe ne shohim mundësi si për ndërmarrjet amerikane, ashtu edhe për ato izraelite, për të bashkëpunuar më shumë me ndërmarrjet në Kosovën. Gjithë këto fjalë për izolimin e madh; nuk mund t’ia dalim vetëm – kam shumë më shumë besim në popullin e Kosovës se kaq.

T7: Faleminderit që kaluam te Izraeli. Këtu po bëhet gjithë ai debat sepse pas njohjes reciproke me Izraelin dhe Kosova e përcollin shembullin e SHBA-së duke premtuar për të venddosur Ambasadën në Jerusalem, po e shohim që BE-ja po ndjehet e zhgënjyer me këtë lëvizje të Kosovës dhe njerëzit nga Vetëvendosja kanë thënë që nëse BE-ja këmbëngulë për këtë çështje, e kushtëzon perspektivën evropiane të Kosovës, atëherë Kosova mund ta rishqyrtojë vendimin për vendosjen e ambasadës sonë në Jerusalem. Cili është mendimi i juaj për këtë?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se është temë legjitime për diskutim. Kjo na kthen te ajo që e thashë më herët, se duhet të flasim për çështjet e jo vetëm të lëshojmë direktiva. Administrata e Bidenit e ka bërë të qartë që ne e konsiderojmë Jerusalemin kryeqytet të Izraelit. Nuk do ta largojmë ambasadën tonë nga Jerusalemi. Kjo nuk do të thotë që kjo temë është e mbyllur për diskutim. Pra, duhet vetëm të presim, të shohim çka do të ndodhë.

T7: A mund të llogarisim në mbështetjen e SHBA-së për këtë vendim? Siç mund ta keni parë, njerëzit ishin shumë të lumtur për këtë njohje të dyanshme. Tërë lajmet në Facebook ishin të mbushura me flamuj të Izraelit dhe kjo nuk është aq e rëndomtë me një popullatë ku shumica është myslimane – për të parë flamuj izraelitë në Facebook.

Ambasadori Kosnett: Mendoj se keni të drejtë që vendimi që Kosova të vë marrëdhënie diplomatike me Izraelin ishte shumë i popullarizuar këtu, në tërë spektrin politik. Pra, kjo ishte situatë ku të gjithë fitojnë. Të gjithë janë të lumtur për këtë. Çështja ku do të jetë ambasada është çështje që nuk do ta vendosim këtu. Është çështje legjitime për diskutim dhe do të duhet të shohin çka ndodhë.

T7: Kjo njohje është siguruar nga Shtëpia e Bardhë, me ndërmjetësimin e vet Presidentit Trump, por kjo nuk ishte pika e vetme e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe pastaj me Izraelin. Kishte edhe pika të tjera në marrëveshje. A e mbështetni ende, dua të them a e mbështet ende Qeveria e juaj atë marrëveshje, edhe pse administrata e Trump-it nuk është më në pushtet?

Ambasadori Kosnett: Së pari, zotimet e bëra në Uashington ende qëndrojnë derisa dikush të thotë ndryshe. Natyrisht, administrata e Bideni-it është duke i shqyrtuar çështjet specifike të marrëdhënies Kosovë – Serbi. Është e mundshme që disa prej nismave të përmendura në marrëveshjen e Uashingtonit të ndryshojnë. Nuk kam diçka për të bërë të ditur sot. Disa gjëra mund të ndryshojnë. Disa prej pikave specifike. Synimi i përgjithshëm është që duam që Kosova dhe Serbia t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike; duam që ekonomia e Kosovës të integrohet më shumë në rajon; duam të shohim planifikim energjetik në baza rajonale – nuk mendoj se ndonjëra nga këto do të ndryshojë. Nëse e shihni pamjen e gjerë, nëse shikoni përtej së dukshmes, atëherë mendoj se jemi në drejtim të duhur. Madje edhe Sekretari i Shtetit Blinken e ka lavdëruar punën e bërë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga administrata paraprake. Pra, nëse administrata e Bidenit mund të rrijë mendjehapur për punën e bërë, shpresoj se edhe të tjerët do ta bëjnë të njëjtën gjë.

T7: A mendoni se administrata e Bidenit do të ketë Emisar të Posaçëm për Kosovën dhe Serbinë siç ishte rasti herën e kaluar apo kjo do të bëhet përmes kanaleve të zakonshme të Departamentit të Shtetit?

Ambasadori Kosnett: Ende e kemi përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matt Palmer; kjo pozitë ende ekzison.

T7: Po, Matt Palmer ishte edhe në të kaluarën, kur zoti Grenell ishte Emisar i Posaçëm.

Ambasadori Kosnett: Po, e kuptoj. Nuk e dimë ende nëse Shtëpia e Bardhë do të emërojë emisar të posaçëm presidencial për rajonin. Sekretari Blinken është pyetur për këtë dhe ai ka thënë që është duke e studiuar këtë çështje.

T7: Një çështje tjetër shumë e ndjeshme. Gjatë zgjedhjeve, Quint-i reagoi kur Valdete Daka nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u bë cak i partive politike përkitazi me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. E kemi parë Vetëvendosjen dhe zoti Albin Kurti duke thënë se institucionet duhet t’i binden vullnetit të popullit, gjë që nuk është rasti në shtetet demokratike: institucionet duhet t’i binden ligjit e jo vullnetit të njerëzve. Shumicën e kohës, vullneti i popullit dhe sundimi i ligjit përputhen, por dime raste kur nuk janë në vijë të njëjtë. A jeni të shqetësuar për punën e organeve të pavarura në Kosovë, nëse ky do të jetë qëndrimi i palës së re?

Ambasadori Kosnett: A jam i shqetësuar? Jo, nuk jam. Mendoj se udhëheqësit politikë të Kosovës kanë investuar shumë për suksesin dhe funksionalizimin e institucioneve kosovare dhe sigurisht zoti Kurti një kohë të gjatë ka theksuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit, ndërtimit të sundimit të ligjit në të gjitha institucionet kosovare, nuk po flas vetëm për KQZ-në. Prandaj, nuk jam i shqetësuar për këtë. Mendoj se është me rëndësi dhe do të mbetet me rëndësi, që njerëzit të respektojnë sistemin gjyqësor, përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Qëndrimi i qeverisë sime gjithmonë ka qenë që qeveritë në Kosovë nuk mund të zgjedhin cilin vendim të Gjykatës Kushtetuese do ta pranojnë dhe zbatojnë e cilin jo. Duhet t’i pranojnë të gjitha.

T7: Njerëzit në Kosovë, siç mund ta keni dëgjuar; dua të them përbëjmë terren të përsosur për teori komploti dhe kemi shumë njerëz që kanë thënë se Qeveria Hoti është rrëzuar me bekimin e ambasadës amerikane. Shumë njerëz thonë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shkruar nga ambasada amerikane me qëllim të ribërjes të situatës në Kosovë. Çka thoni për këtë?

Ambasadori Kosnett: Së pari, Gjykata Kushtetuese nuk i raporton ambasadës amerikane dhe nëse dikush njëmend e beson se ne po i shkruajmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kjo thjesht nuk është e vërtetë. Nuk e di si ti bindi njerëzit ndryshe. Nuk është fshehtësi se ka pasur shumë tension në mes të administratës Trump dhe qeverisë Kurti dhe këto tensione kanë kontribuar në thyerjen në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Kjo është absolutisht e vërtetë. Mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të përqendrohen në situatën e tanishme, që është se Shtetet e Bashkuara qartazi do ta mbështesin çfarëdo qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, të formuar sipas Kushtetutës. Mirëpres mundësinë për të punuar me zotin Kurti, kur qeveria e re të formohet. Do ta them thjesht: e di se ka njerëz që mendojnë se ishte një cicërrimë famëkeqe që ka dalë nga ambasada me emrin tim, me qëllim për ta rrëzuar qeverinë. Ajo që kam dashur të them është se njerëzit duhet t’i përmbahen rregullave kushtetuese dhe nëse partitë tjera dëshironin të veprojnë në pajtim me Kushtetutën, atëherë ato e kanë të drejtën për ta bërë atë. Po të kisha makinë kohe, do të kthehesha në kohë dhe do ta riformuloja atë, por nuk mendoj se kjo do të ndryshonte faktin se shumë njerëz i fajësojnë Shtetet e Bashkuara për rënien e qeverisë Kurti. Ka të tjerë që besojnë se martesa në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së ishte e dënuar për të dështuar prej fillimit.

T7: Madje edhe vetë zoti Kurti, zoti Ambasador, ka thënë në një intervistë se qeveria ime ishte rrëzuar nga Shtetet e Bashkuara.

Ambasadori Kosnett: E kuptoj çka ka thënë dhe çka ka menduar zoti Kurti. Asgjë që e them tash nuk do t’ua ndryshojë njerëzve mendjen, por dëshiroj që të përqendrohem në të tashmen dhe jo në atë se çka ka menduar administrata e Trumpit, por çka mendon administrata e tanishme e Bidenit dhe mirëpresim mundësinë për të punuar me qeverinë e re kur të formohet nga procesi i tanishëm. Marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Kosovën mbetet e fortë si guri.

T7: Pyetja e fundit. Nuk kemi president, kemi ushtruese të detyres së presidentit; nuk kemi qeveri, kemi qeveri në detyrë. A mendoni se procesi duhet të fillojë me zgjedhjen, së pari të presidentit e pastaj të qeverisë apo anasjelltas? A keni ndonjë ide për këtë?

Ambasadori Kosnett: Sa e kuptoj unë, së pari duhet të formohet qeveria, e pastaj të zgjedhet presidenti. Nëse po pyesni a është sistem i mirë, atëherë kjo është çështje tjetër. Mendoj se në çdo demokraci, njerëzit vazhdimisht duhet të mendojnë a është e dobishme të amandamentohet Kushtetuta. Shtetet e Bashkuara e kanë amandamentuar Kushtetutën shumë herë përgjatë shekujve. Kushtetuta e Kosovës është mjaft e re dhe siç e kemi parë, ka dykuptimësi. Ka gjëra që nuk janë të qarta dhe kjo është aryeja pse Gjykata Kushtetuese është kaq e zënë me punë në përpjekje për ta intepretuar atë. Është puna e Gjykatës për ta interpretuar Kushtetutën, por është detyrë e Parlamentit, Kuvendit, për ta ndryshuar atë sipas nevojës. Një nga ëndrrat e mia për Kosovën është që prijësit kosovarë nga i tërë spektri politik ta rishikojnë, me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, nëse ka kuptim për të ndryshuar gjuhën në Kushtetutë për të mirën e të gjithë popullit në vend.

T7: Por, zoti ambasador, nëse nuk e zgjedhim presidentin, atëherë do të mund të kemi prapë zgjedhje sepse duhen 2/3-at e votave. Pra, pengesa e parë nuk është krijimi i qeverisë sepse Kurti i ka 58 ulëse dhe i duhen vetëm edhe 4 apo 3 për të krijuar shumicën e thjeshtë, por çka ia vlen nëse nuk mund të zgjedhë presidentin pastaj.

Ambasadori Kosnett: Kam shumë besim në popullin e Kosovës dhe mendoj se ata ua kanë bërë shumë të qartë liderëve, prijësve të tyre, se duan ndryshim dhe se meritojnë qeveri funksionale dhe kuvend funksional sa më parë që është e mundur. Mendoj se kjo tradita në Kosovë ku partitë shpenzojnë muaj se kush do të bëhet ministër i kësaj e kush minister i asaj, mendoj se kjo me të vërtetë ka shkaktuar dëme në të kaluarën dhe mendoj se do të jetë ndryshe këtë herë.

T7: Pyetja njëmend e fundit. Kemi parë në zgjedhje, veçanërisht në veri ku Lista Serbe apo udhëheqësit serbë në veri e manipuluan sistemin duke ua mundësuar disa joserbëve për t’u zgjedhur me votat e serbëve. A e keni parë këtë problem, këtë deformim të asaj çka është menduar për serbët dhe joserbët me ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës?

Ambasadori Kosnett: Jemi duke i studiuar krejt këto. Nuk jemi të verbër. Momentalisht nuk kam ndonjë konkludim, por dëshiroj të bëjë një dallim në mes të ndërtimit të aleancave politike dhe përdorimit të metodave të pavend, përfshirë frikësimin, zhvatjen për forcimin e pozitës politike. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë i marrin këto çështje me shumë seriozitet dhe jemi duke i vëzhguar ato me shumë vëmendje.

T7: Në të ardhmen edhe shumica shqiptare mund të manipulojë sistemin duke zgjedhur parti të serbëve në Kosovë dhe nuk do të duhet të themi shumë kreativitet për t’i gjetur 20-30 mijë vota dhe për të pasur deputetë serbë me vota të shqiptarëve. Dua të them e mësuam këtë tash nga serbët e pjesës veriore të Kosovës. A mendoni se kjo është gjë e mirë?

Ambasadori Kosnett: Nuk e di a është gjë e mirë, por mendoj se keni të drejtë. Kjo është lojë që mund ta luajnë të gjithë. A është kjo në frymën e Kushtetutës, a është kjo në frymën e themeluesve të Kosovës, që kanë dashur të sigurohen se të gjitha komunitetet etnike, të gjitha pakicat do të kenë zë, atëherë kjo është pyetje legjitime dhe është diçka që po e studiojmë me shumë vëmendje.

T7: Zoti ambasador, faleminderit që ishit me ne sonte.

Ambasadori Kosnett: Ishte kënaqësi, Berat.